Këto dhe pyetje të tjera të këtij lloji janë parashtruar në të gjitha periudhat kohore nga njerëzit nëpër botë.
Sipas fesë islame, trupi i njeriut lëviz me ndihmën e shpirtit, që do të thotë se pasi embrioni të krijohet dhe t’i formësohet trupi në barkun e nënës, në të futet shpirti dhe ai fillon të lëvizë. Më pas del në këtë dynja si njeri i gjallë, që ha, pi, shijon, dëgjon etj., dhe në momentin kur shpirti sërish ndahet nga ai trup, atëherë ai vdes, nuk lëviz më. Trupi vdes, kurse shpirti mbetet gjallë, e ata të dy sërish bashkohen pasi të futet trupi në varr, për të dhënë llogari njeriu kur të pyetet nga dy melaiket[^2]. Më pas shpirti sërish largohet për të shijuar i vdekuri kënaqësinë apo vuajtjet dhe ndëshkimin derisa të bëhet kiameti[^3].
Vdekja nuk është përfundim i çdo gjëje; vdekja është vetëm kalim nga një fazë e jetës në fazën tjetër, nga një etapë në tjetrën. Është përfundim i një etape për të kaluar në tjetrën, siç kanë thënë një numër selefësh apo të parësh të umetit tonë, si Bilal Bin Seidi, Umer Bin Abdulazizi.
Sipas shkencës, vdekja është ndërprerje e plotë e jetës së një organizmi të gjallë. Shkenca, duke qenë se nuk e beson ekzistimin e shpirtit dhe të ringjalljes së tij, nuk futet më në detaje, por ndalet në konceptin se pas vdekjes ka vetëm shkatërrim të trupit, respektivisht dekompozim të tij dhe asgjë më tepër.
Mësojmë se përgjigjet janë të ndryshme, por e vërteta është një: njeriu vdes, ai më nuk sheh, nuk dëgjon, nuk flet, nuk ha, nuk pi, i ndalon së funksionuari çdo gjymtyrë e trupit dhe çdo qelizë e trupit të tij vdes, nuk punon më. Tek ai nuk funksionon më asgjë; ai bëhet si një dru i thatë apo një trup i ngurtë. Por megjithatë, sipas Islamit, nuk përfundon çdo gjë me kaq, sepse pas vdekjes ka jetë tjetër, ka shpërblim ose ndëshkim deri në kiamet apo në ringjallje.
[^2]: Siç do na vijë më vonë.
[^3]: I vdekuri e shijon kënaqësinë me trup dhe me shpirt sipas ehli sunetit, siç do ta shohim në temën “Çështje të ndryshme të jetës në varreza”. Shpirti nga trupi largohet pjesërisht, por edhe pse nuk është në trup, ai prapëseprapë nuk i ka shkëputur tërësisht lidhjet me trupin, ngase lidhja e shpirtit me trupin është në pesë mënyra, ndër to edhe lidhja mes tyre pas vdekjes, siç e kemi sqaruar në detaje në librin tonë “Xhevahiri i Besimit”, 2/99. Qëllimi këtu është ndarja e pjesshme derisa të bashkohen në botën tjetër plotësisht dhe nuk ndahen më.
*Shiko: Ibnu Rexheb, Ehval El-Kubur, fq. 15.
DR. SHEFQET KRASNIQI
“VDEKJA DHE JETA NË VARR”