Pyetje: Çfarë është ndjesia “déjà vu” dhe si e shpjegon feja islame këtë fenomen? Pse ndonjëherë kemi ndjesinë sikur kemi jetuar më parë në këtë botë, ose sikur kemi kaluar më herët nëpër përvoja të ngjashme me ato që po jetojmë tani? Si e shpjegon Islami rastin kur disa njerëz, veçanërisht fëmijë, thonë se kanë jetuar një jetë tjetër më parë, ose se kanë qenë një person tjetër në të kaluarën, apo edhe se janë vrarë nga dikush në një jetë të mëparshme?

Përgjigje nga Dr. Adelina Kuçana.

Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen dhe shokët e tij.

▣- Së pari: Çfarë është ndjesia “déjà vu”?
Fjala “déjà vu” është me origjinë frënge (dejzhaa vu), që do të thotë: “e parë më parë”. Déjà vu është një ndjenjë e çuditshme që një përvojë e caktuar tashmë është jetuar më parë, edhe pse në realitet është hera e parë që ndodh. Psh, mund të ndodhë që të jemi në një rrugë të panjohur, por ndjejmë sikur kemi kaluar atje më parë. Ky ndjesi krijon një çast çuditjeje, sepse në mendjen tonë krijohet përshtypja se po jetojmë diçka që e kemi përjetuar më parë.

▣- Së dyti: Shkencërisht, kjo ndjesi shpjegohet si një lloj ngatërrese në përpunimin e memories në tru si një “ngarkim i dyfishtë” i përvojës si memorie e kaluar dhe përvojë aktuale.
Por ka edhe teori që lidhen me lodhjen mendore, çrregullimet e gjumit, ose sinjale të përpunuara gabimisht nga hemisferat e ndryshme të trurit.
Dhe disa e shohin si një përjetim të një informacioni të harruar, që është regjistruar në nënndërgjegje, dhe në një moment të caktuar aktivizohet nga një stimuj i ngjashëm, duke bërë që truri të ndiejë sikur kjo situatë po ndodh për herë të dytë.

▣-  Së treti: Nga ana fetare islame, dijetarët nuk kanë trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë fenomenin déjà vu, sepse nuk ka ndonjë tekst në Kuran apo Sunet, dhe as ndonjë qëndrim të qartë nga dijetarët e hershëm mbi këtë çështje. Prandaj, nuk mund të themi se Islami ka një interpretim të veçantë për këtë fenomen.
●- Ajo që duhet ditur është se fenomeni déjà vu nuk lidhet aspak me ide të shpirtërave që kthehen, apo një njeri të ketë jetuar më parë si një person tjetër, apo me rilindjen ose reinkarnimin, apo me forca të mbinatyrshme siç pretendojnë disa rryma të devijuara fetare apo ezoterike, si hinduizmi dhe budizmi. Këto janë spekulime që nuk mbështeten në argumente shkencore apo fetare, dhe bien ndesh me besimin islam.
●- Islami nuk njeh konceptin e jetës së mëparshme tokësore të njëjtit shpirt në trupa të ndryshëm, siç mësohet në hinduizëm apo budizëm. Kjo ide njihet si reinkarnimi (تناسخ الأرواح) dhe është rreptësisht e refuzuar në besimin islam.
Argumenti i qartë për mohimin e reinkarnimit është Fjala e Allahut të Lartësuar:
(كَيْفَ تَكْفُرُونَ بِٱللَّهِ وَكُنتُمْ أَمْوَٰتًۭا فَأَحْيَٰكُمْ ۖ ثُمَّ يُمِيتُكُمْ ثُمَّ يُحْيِيكُمْ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ)
“Si mund të mohoni Allahun, kur ju ishit të vdekur dhe Ai ju dha jetë, pastaj ju vdes, pastaj ju ngjall sërish, e pastaj do të ktheheni tek Ai?”
(El-Bekare: 28)
➖Ky ajet përmend vetëm katër faza:
1. mosekzistencën,
2. jetën në këtë botë,
3. vdekjen,
4. ringjalljen në Ditën e Gjykimit.
Nuk ka kthim në trup tjetër apo jetë të përsëritur, prandaj reinkarnimi është i përjashtuar në besimin islam.

●- Fëmijët kanë një imagjinatë shumë të zhvilluar dhe shpesh përfshihen aq shumë në lojëra, libra apo filma, sa që krijojnë ndjenja ose kujtime, që nuk kanë ndodhur realisht.

●- Si musliman, kur përjeton një ndjesi të tillë, duhet të kujtosh mirësinë e Allahut për shëndetin e mendjes dhe kujtesës sate dhe të reflektosh mbi kufizimin e dijes njerëzore, ashtu si Allahu thotë në Kuran:
(وَمَا أُوتِيتُم مِّنَ الْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلًا)
“Nuk u është dhënë nga dija veçse pak.”
(El-Isra, 85)

Allahu e di më së miri.

Adelina Kuçana