Harron dhe në ruku thotë subhãne rabî el-a’lã
Pyetje:
Nganjëherë ndodh të harroj në ruku dhe, në vend që të them subhãne rabî el-adhîm, them subhãne rabî el-a’lã; i njëjti gabim ndodh edhe në sexhde, dhe nuk e vërej këtë veçse pasi e them dhe e përmirësoj… A është e obligueshme të bëj sehwe sexhde (sexhde të harresës)? Nëse po, kur duhet ta bëj atë: para, apo pas selamit?
—
Përgjigje:
Shejh Ibn Uthejmin tha:
“Kur personi e thotë një thënie të ligjësuar aty ku s’e ka vendin, ai duhet të bëjë sehwe sexhde, si në rastin kur thotë subhãne rabî el-a’lã në ruku, pastaj i kujtohet dhe thotë subhãne rabî el-adhîm. Këtu ai thotë një thënie të ligjësuar, dmth subhãne rabî el-a’lã, por kjo thënie është caktuar për sexhde. Kështu, kur ai e thotë këtë në ruku, themi: vërtet që ke thënë një thënie të ligjësuar aty ku s’e ka vendin, dhe në rastin tënd është sunet të bësh (sehwe) sexhde…”
(esh-Sherh el-Mumti’ 3/359)
—
Shejh Ibn Xhibrin tha:
“Sa i përket rastit kur personi nga harresa thotë një thënie të ligjësuar aty ku s’e ka vendin, kjo nuk e zhvlerëson namazin. Nëse ai reciton Kuran ndërsa është ulur (në teshehud) apo e thotë teshehudin ndërsa është në këmbë, apo thotë subhãne rabî el-a’lã në ruku ose subhãne rabî el-adhîm në sexhde, dmth ai bën diçka që është sunet aty ku s’e ka vendin, ndonëse ajo është e ligjësuar, atëherë (sehwe) sexhdja për të është sunet, jo obligim, sepse këto janë nga fjalët/dhikret e namazit dhe kjo nuk e zhvlerëson namazin…”
(Sherh Akhdar Mukhtesarãt)
—
Shejh Ibn Uthejmin shtoi:
“Kur ai që falet mbrapa imamit gabon në namaz dhe ai nuk është vonuar, dmth i mbërrin të gjitha rekatet me imamin, si në rastin kur harron të thotë subhãne rabî el-adhîm në ruku, ai nuk e bën sehwe sexhden për këtë, sepse imami e mbart këtë (lëshim) për të.
Mirëpo, nëse supozojmë që ai i cili falet mbrapa imamit gabon me diçka që e zhvlerëson rekatin e tij, siç është lënia e leximit të Fatihasë nga harresa, ai patjetër duhet që, kur imami të japë selam, të falë rekatin i cili u zhvlerësua për shkak të harresës, pastaj të kryejë teshehudin, të japë selam dhe të bëjë sehwe sexhde mbas selamit.
Sa i përket rastit kur ai që falet mbrapa imamit gabon dhe është vonuar, ai duhet të bëjë sehwe sexhde, qoftë kur harresa e tij të ndodhë ndërsa ai falet me imam, qoftë mbasi të çohet për të plotësuar atë që ka humbur. Sepse, nëse ai bën sexhde, nuk e kundërshton imamin, sepse imami tashmë e ka kryer namazin.”
(Risalet fi Ahkãm Suxhûd Sehw e shejh Ibn Uthejmin)




