Pyetja:
Çfarë përmbanin fletushkat e Ibrahimit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të)?
***
Përgjigjja:
Fletushkat e Ibrahimit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) janë ato fletushka që Allahu ia ka zbritur Pejgamberit të Tij Ibrahimit (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Gjërat e përgjithshme që kanë patur këto fletë siç kanë thënë dijetarët ishin: Predikime, urtësi dhe mësime.
Dijetari i madh El Emin Shenkiti (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me fjalën e Allahut: “Dhe në atë çka i kemi zbritur Ibrahimit” ka thënë; nuk e ka sqaruar këtu se çfarë i ka zbritur Ibrahimit, porse e ka sqaruar në suren A’la se ato janë fletushka dhe se prej gjërave që ndodheshin në ato fletushka ishin dhe këto fjalë: “Përkundrazi ju i jepni përparësi jetës së kësaj bote, porse ahireti (bota tjetër) është më e mirë dhe më e qëndrueshme.”(Ala: 16–17)
Si dhe në fjalën e Allahut: “Këto janë në fletushkat e para, fletushkat e Ibrahimit dhe Musait.” (Ala: 18–19) [1]
Në librin enciklopedia e fikhut: 15/167 thuhet:
“Sa u përket fletushkave të Ibrahimit dhe Davudit ato ishin predikime dhe shembuj, s’ka patur brenda tyre legjislacione, ndaj nuk i përfshin ato gjykimi i Librave që kanë legjislacione.” [2]
Allahu e di më së miri.
Përktheu: Ylli Rama
————————–
[1] Edvaul Bejan: 1/45.
[2] Lika at bab el Meftuh: 176.