Pyetja:

Çfarë lejohet të veprohet para veshjes së ihramit?

***

Përgjigjja:

Ihrami është veshja e rrobës së posaçme për të hyrë në ibadetin e umrës apo të haxhit.

Përpara ihramit

 Është e pëlqyer për atë që vendos të bëjë haxhin apo umrën që të lahet për ihramin edhe nëse (gruaja) është me perioda apo lehonë.

Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti, ﷺ, ka thënë: “Gruaja me perioda dhe ajo lehonë kur vijnë në mikat (vendi ku vishet ihrami) lahen dhe veshin ihramin, kryejnë të gjitha ritet përveç tavafit në shtëpinë e shenjtë.” [1]

Pastaj burri vesh rroba që nuk ndajnë gjymtyrët dhe këto quhen tek dijetarët me (jo të qepuratd mth: rroba e ihramin), vesh izarin (pjesa e poshtme e ihramit) dhe e mbështjell në gjysmën e poshtme të trupit dhe rida’-në (pjesën e sipërme te ihramit) me të cilën mbështjell gjysmën e sipërme të trupit, apo të ngjashme me to, nallanet që janë çdo gjë që vishet në këmbë për ti mbrojtur ato por pa i mbuluar dy nyjet.

Nuk duhet të veshë kapuç, çallmë apo gjëra të ngjashme të cilat mbulojnë direkt kokën, kjo për burrin.

Ndërsa për gruan ajo nuk heq gjë nga veshja e saj fetare përveçse nuk vendos në fytyrë nikab, burkë, mbulesë apo shami, nuk vesh doreza, ka thënë Profeti ﷺ: “Nuk vesh ai që është me ihram: as këmishë, as çallmë, as xhybe, as tuta, as rrobë të parfumosur, as çorape lëkure përveç nëse nuk gjen nallane atëherë çorape lëkure.” [2]

Nuk vendos nikab gruaja dhe as nuk vesh doreza.[3]

I lejohet gruas ta mbulojë me diçka fytyrën e saj me shami apo hixhab,[4] ta hedhë në kokë dhe ta hedhë në fytyrë edhe nëse e prek fytyrën -sipas më të saktës- por që ajo nuk e shtrëngon siç ka thënë Shejhu islam Ibn Tejmije.

Burri mund ta veshë ihramin para mikatit qoftë dhe në shtëpinë e tij siç ka bërë Profeti ﷺ dhe shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!); kështu ka lehtësim për ata që udhëtojnë me avion dhe nuk munden të veshin ihramin në mikat, u lejohet atyre të hipin në avion me ihram por nuk hyjnë në ihram vetëm se pak para mikatit që të mos u kalojë mikati jo në ihram.

Ai mund të parfumoset në trup me çfarë parfumi të dojë (parfum) me erë por pa ngjyrë përveç grave; parfumi i tyre që mund të ketë ngjyrë dhe nuk ka erë.

Transmetohet nga Abdullah bin Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka thënë: “U nis Profeti ﷺ nga Medina pasi u kreh, u parfumos, veshi iazarin dhe ridanë, ai bashkë me shokët e tij.”[5]

Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka thënë: “Më duket sikur e shoh shkëlqimin e parfumit në të ndarën e flokëve të Profetit ﷺ ndërkohë që ishte me ihram.”[6]

Po nga ajo (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmetohet se ka thënë: “E parfumosja Profetin ﷺ për ihram kur vishte ihramin dhe kur ishte jashtë ihramit përpara se të bënte tavaf në Qabe.”[7]

Po nga ajo (Allahu qoftë i kënaqur me të!), transmetohet se ka thënë: “Dilnim me Profetin ﷺ për në Mekë dhe lyenim ballin me suk (lloj parfumi) para ihramit, nëse djersitej ndonjëra prej nesh i binte në fytyrë, e shihte atë Profeti ﷺ dhe nuk na ndalonte.”[8]

Këto të gjitha bëhen para se të bëjë nijet ihramin tek mikati dhe të bëjë telbije (dhikri i haxhit), ndërsa pas tij është haram”.

Shejh Husein El-Auaishe, “Enciklopedia e Thjeshtuar e Fikhut” vëll. 4

Përktheu dhe përgatiti: Teuta Xeka

———————————

[1] Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Buhariu

[4] Abaje

[5] Buhariu

[6] Buhariu dhe Muslimi

[7] Buhariu dhe Muslimi

[8] Ebu Davudi dhe e saktëson shejh Albani