Pyetja:

Çfarë nënkupton dija e Firases (njohjes së dikujt përmes fizionomisë) dhe a ekziston një dije e tillë?

***

Përgjigjja:

Po, ka një dije të tillë dhe për të ka folur Ibn El-Kajim në librin e tij të njohur Medarixh Es-Salikin! Ai e ndan këtë dije e ndan në tre llojesh:

Firase e besimit.
Me këtë lloj ai ka për qëllim intuitën e dhuruar nga Allahu për shkak të besimit për të dalluar të vërtetën nga e kota, të plotën nga boshja dhe të sinqertën nga gënjeshtra.
Kjo firase u jepet njerëzve besimtarë siç thotë Ibn El-Kajimi thotë: “Origjina e kësaj dije është prej gjallërisë dhe dritës të cilat ua jep Allahu -Allahu i madhëruar- atij që do prej robërve të Tij dhe për pasojë zemra e tij gjallërohet dhe ndriçohet dhe kështu gjykimi i tij rrallë herë mund të gabojë. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “A është ai i cili ishte i vdekur dhe ne e ngjallëm dhe i dhamë atij dritë me të cilën ecën midis njerëzve, si ai që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?!” (Enam: 122) Ai ishte i vdekur me mohim dhe injorancë por Allahu e gjallëroi atë me besim dhe dije dhe i dha atij nëpërmjet Kuranit dhe besimit dritë për të parë me të në mes të njerëzve rrugën e drejtë dhe për të ecë me të në errësirë”.
Besimtarët në lidhje me këtë firase janë sipas besimit të tyre: ai që është më i fortë në besim është më i mprehtë në firase.

Firase ushtrimesh.
Ai me këtë firase ka për qëllim intuitën e fituar me stërvitje sepse njeriu kur largon pengesat e saj e fiton atë sipas largimit të tyre. Në këtë firase barazohen besimtari dhe jo besimtari dhe nuk tregon as për besim dhe as evlijallëk. Kjo lloj firasje është si intuita e udhëheqësve, e komentuesve të ëndrrave apo mjekëve etj siç është thënë: gjysma e mjekësisë është intuita e saktë dhe shoqërohet nga përvoja.

Firase e pamjes.
Ai me këtë firase ka për qëllim të bazohesh në pamjen e dikujt për të gjykuar për moralin e tjetrit për shkak të lidhjes së ngushtë që ka mes tyre si rezultat i urtësisë së Allahut.
Ibn El-Kajimi përmend disa shembuj të kësaj firasje psh: të argumentohesh me kokën e vogël jashtë normales të dikujt se ka logjikë të vogël, apo me kokën e madhe të dikujt se ka logjikën e madhe, apo me kraharorin e gjerë të dikujt se është zemërgjerë, apo me fikjen e syrit dhe dobësinë e shikimit të tij se ai nuk ka zgjuarsi, apo me të bardhen e theksuar të syrit të përzier me të kuqe se ai është trim, apo me rrumbullakësinë e syrit të dhe lëvizjen e shpeshtë të tij se ai është mashtrues dhe dinak etj. Pastaj Ibn Kajimi tregon se këto domethënie më së shumti gjenden te syri sepse ai është pasqyra e zemrës dhe pastaj te gjuha sepse ajo është përkthyesja e tij.

Dy fjalë rreth origjinës së kësaj dukurie (firases së pamjes) dhe kujdesi që duhet treguar në gjykime të tilla.

Ibn El-Kajimi gjithashtu thekson: “Origjina e kësaj firasje është te pamja e jashtme e rregullt që përkon me rregullsinë e përbërjes së brendshme dhe të shpirtit. Nga rregullsia e tyre rezultojnë rregullsi në morale dhe në veprime dhe sipas devijimit të tyre nga rregullsia ndodh devijimi në morale dhe në veprime.
Kjo ndodh nëse pamja mbetet në natyrën e saj, sepse ai që ka pamje të rregullt fiton nga shoqërimi dhe jetesa moralet e atyre që shoqëron dhe jeton me ta deri dhe nga kafshët duke u bërë nga më të këqijtë e njerëzve në morale dhe veprime, pastaj i vulosen ajo natyre dhe i bëhet e pamundur apo e vështirë largimi prej tyre. Kështu edhe ai me pamje jo të rregullt, fiton nga shoqërimi me njerëzit e përsosur dhe përzierja me ta, morale dhe veprime të ndershme të cilat i bëhen atij si ato të natyrshmet sepse praktika dhe veprimi i shpeshtë i jep njeriut aftësi dhe morale.
Le të vërehet me kujdes kjo çështje dhe të mos nxitohet dikush të gjykojë me firase pa marrë atë parasysh sepse ai që gjykon pa të do të ketë gabime të shumta….”

Çfarë duhet të zotërojë ai që gjykon me firase?

Ibn El-Kajimi thotë: gjykimi mbi bazën e firases ose intuitës varet nga: syri, veshi dhe zemra. Syri për të dalluar shenjat, veshi për të dalluar fjalët dhe zemra për të kaluar nga argumentimi me atë që shihet dhe dëgjohet për te e brendshmja dhe e fshehta.
Pastaj thotë se firasja ka dy kushte qe duhen plotësuar:
I pari: Cilësia i intelektit, mprehtësia e mendjes dhe largpamësia.
I dyti: Shfaqja e shenjave dhe e fakteve te njeriu që kërkon të gjykosh për të.
Nëse këto të dyja janë atëherë rrallë herë gabon firasja, nëse këto të dyja nuk janë atëherë rrallë herë ia qëllon firasja dhe nëse njëra është dhe tjetra jo atëherë firasja është mes gabimit dhe qëllimit.
Këto kushte duhet duhet të jenë te te gjitha llojet e firaseve por sidomos në lidhje me besimin duhen edhe disa punë të domosdoshme siç thotë Shah bin Shuxha El-Kermanij:
“Ai i cili ul shikimin nga harami, pengon dëshirat e tij, mbush të brendshmen e tij me ndjesinë e mbikqërjes së Allahut dhe të jashtmen e tij me ndjekjen e sunetit dhe bën zakon ngrënien e hallallit nuk i gabon firasja.”
Citat i marrë nga libri Hiljet El-Eulija dhe që e përmend shpesh herë sheikhul-Islam Ibn Tejmije dhe Ibn El-Kajim në librat e tyre -Allahu i mëshiroftë-.

Përfundime dhe udhëzime.

Kjo dije ekziston dhe që të gjykohet me të dhe gjykimi të jetë i saktë duhen të plotësohen kushtet e lartpërmendura të cilat janë dhunti prej Allahut dhe nuk gjenden te çdo kush siç edhe duhet të largohen pengesat si ato që përmend Shah bin Shuxha.
Ndërsa ne lidhje me firasen e pamjes e cila po lakohet shpesh herë kohet e fundit, nuk duhen harruar se gjykimi i bazuar ne të, nuk duhet ta anashkalojë situatën, mjedisin, shoqërinë ku njerëzit jetojnë sepse siç theksonte Ibn El-Kajimi ato ndikojnë shumë te njeriu madje nganjëherë e bëjnë ndryshe nga çduket.
Ja një rast i një tabiini të njohur Ata’ bin Ebij Raba. Ibn Sead në lidhje me të thotë: “Kam dëgjuar prej disa dijetarëve se Ata’ bin Ebij Raba ka qenë: zezak, me një sy, hundështypur, i paralizuar (në një dorë), çalaman, pastaj u verbua dhe ka qenë njeri shumë i besueshëm dhe dijetar i madh i fikhut dhe i hadithit” shih librin Sijer Ealam En-Nubela te imam Dhehebiut.

Dr Abdullah Nabolli