Pyetje:
Dëshiroj të pyes për ajetin nga Surja El-Isra, ajeti 32:
“Mos iu afroni kurvërisë. Vërtet, ajo është vepër e turpshme dhe rrugë shumë e shëmtuar.”
Fjala “afrim” deri ku shtrihet? Çfarë veprimesh konsiderohen si “afrim ndaj zinasë” dhe cilat jo?
Përgjigje:
Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Dëshmojmë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhammedi ﷺ është robi dhe i Dërguari i Tij.
Dijetarët e tefsirit kanë shpjeguar se ky ajet nuk ndalon vetëm kryerjen e zinasë, por edhe çdo shkak apo rrugë që të çon drejt saj. Pra, ndalohet çdo afrim që e bën njeriun të bjerë në këtë mëkat të madh. Këtu përfshihen: shikimi i ndaluar, vetmia me një person që nuk është mahrem, përzierja e ndaluar e burrave me gratë, bisedat e papastra, prekja, apo çdo gjë që i hap rrugë epshit. Allahu i Madhëruar thotë:
“O ju që besuat, mos ndiqni gjurmët e shejtanit, se kush i ndjek ato, ai i urdhëron vetëm në të këqija e punë të turpshme.”
(Kur’an, 24:21)
Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka përcjellë se Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk qëndron kurrë një burrë i vetëm me një grua, përveçse i treti i tyre është shejtani.”
(Ahmad, Tirmidhi)
Sa i përket kuptimit të fjalës “afrim” në aspektin fizik, nuk ka një distancë të caktuar në Sheriat që përcakton se kur llogaritet afër dhe kur larg. Por, ajo që kërkon Islami është që të ruhet largësia e sigurt, që e mbron njeriun nga tundimi dhe mëkati.
Në Sunnet është vërtetuar se gratë falnin namazin pas burrave në xhami pa perde ndarëse, dhe Profeti ﷺ ka treguar se:
“Rreshti më i mirë për gratë është rreshti i fundit (sepse është më larg burrave), ndërsa më i keqi është i pari (sepse është më afër burrave).”
(Muslimi)
Po ashtu, është përcjellë se gratë ecnin në mes të rrugës, dhe Profeti ﷺ i urdhëroi që të ecnin anash për të mos u përzier me burrat.
Pra, afrim ndaj zinasë është çdo situatë që i hap rrugë epshit, qoftë në shikim, fjalë, prekje apo vetmi. Ndërsa ruajtja e kufijve dhe distanca që siguron pastërtinë e zemrës dhe mbrojtjen e nderit është ajo që kërkon Islami.
Allahu e di më së miri.
/islamweb.net/




