Pyetja:

A ka mundësi të më tregoni rregullat kur del me një djalë besimtar për qëllim fejese, p.sh. sa herë është e lejuar me dal në takim me mahrem, disa pyetje më kryesore që është mirë të bëhen?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Prej udhëzimit të Pejgamberit ﷺ është që djali dhe vajza kur dëshirojnë të martohen të dalin dhe të shihen njëri me tjetrin. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse një person dëshiron të martohet me një vajzë dhe ka mundësi ta shikojë, le ta shikojë.” [1]

Ndërsa sa i përket se sa herë lejohet të dalin që të bisedojnë, në Islam nuk diçka të caktuar për këtë, kjo varet nga nevoja e të dyve që dëshirojnë të martohen; nëse kanë nevojë, lejohet të takohen edhe më shumë se një herë, mirëpo gjithmonë në prezencë të mahremit (përgjegjësit të femrës apo ndonjë mashkulli që e ka të ndaluar ajo martesën me të përgjithmonë) dhe që mos të teprohet.

Mashkullit i lejohet të shikojë fytyrën dhe duart e femrës po ashtu edhe femrës i lejohet të shikojë fytyrën e mashkullit, pasi qëllimi i daljes është që ata të pëlqehen për bukuritë e tyre dhe për ndonjë bisedë tjetër që i intereson.

Biseda se çfarë lejohet të bisedohet edhe kjo nuk është e cekur në Islam, mirëpo lejohet të bisedohet për ato gjëra për të cilat kanë nevojë dhe dëshirojnë të dinë secili prej tyre për njëri-tjetrin.

Këto ishin pra disa rregulla të daljes me ndonjë vajzë apo djalë me qëllim që të martohesh me të.

Alaudin Abazi

———————————-

[1] Ahmedi