Pyetje: Cila është arsyeja e ekzistimit të Shkruesve të Ndershëm*, ndonëse Allahu i di krejt sendet?

Përgjigje:Themi lidhur me këso gjëra: Ne mundemi apo nuk mundemi të kuptojmë urtësinë pas kësaj, sepse nuk e dimë urtësinë e shumë sendeve, siç thotë Allahu:
Ty pyesin ty [O Muhamed] rreth shpirtit. Thuaj: ‘Shpirti është një nga sendet për të cilën di vetëm Zoti im. Kurse, juve [njerëzimit] ju është dhënë vetëm pak dije.” [el-Isra, 85]

Sa u përket këtyre krijesave, nëse dikush na pyet: Cila është arsyeja që Allahu e ka bërë devenë në këtë mënyrë, kalin në këtë mënyrë, gomarin në këtë mënyrë si dhe njeriun në këtë mënyrë, pra, sikur të pyeteshim rreth këtyre arsyeve apo urtësive pas këtyre sendeve, nuk do t’i dinim. Sikur të pyeteshim: Cila është arsyeja pse Allahu ka bërë namazin e drekës dhe të ikindisë 4 rekate, të akshamit 3 rekate, të jacisë 4 rekate e kështu me radhë, nuk do të ishim të aftë të dinim urtësinë pas kësaj.

Kështu, e dimë që, në lidhje me shumë sende, si në univers, ashtu dhe në sheriat, urtësia pas tyre është e fshehur prej neve. Meqë kështu qëndron puna, themi: Nëse arrijmë të kuptojmë urtësinë pas disa sendeve në krijim apo në sheriat, pra, nëse Allahu na bekon duke na mundësuar t’i kuptojmë këto, kjo është një mirësi dhe dije shtesë. Nëse nuk e kuptojmë, kjo s’do të na dëmtojë në asnjë mënyrë.

Tash, le t’i kthehemi pyetjes që ka të bëjë me atë se cila është arsyeja pse Allahu ka caktuar Shkrues të Ndershëm për të shënuar atë çka bëjmë?
Urtësia pas kësaj është të tregohet se Allahu ka organizuar dhe matur krejt gjërat në mënyrën më të përsosur dhe deri aty, saqë ka caktuar Shkrues të Ndershëm për të shënuar punët dhe fjalët e Bijve të Ademit. Ata janë të urdhëruar t’i mbikëqyrin ata dhe të shënojnë atë çka ata bëjnë, edhe pse Ai e di çka do të bëjnë ata para se ta bëjnë atë. Por, ky është një manifestim i përsosmërisë së kujdesit të Allahut për njeriun dhe mbrojtje e plotë e Tij. Dhe kjo tregon se ky univers është i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe Allahu është i gjithëdijshëm, më i urti.
Allahu e di më së miri.

/Shejh Uthejmini/

*Janë shkruesit e ndershëm. Ata shkruajnë veprat e mira dhe të këqija të robërve. Ai (te ala) ka thënë:

”Por padyshim që mbi ju janë ruajtësit (melekët e caktuar me përgjegjësi për njerëzit) për t’ju vëzhguar ju. Të nderuarit që shkruajnë veprat tuaja. Ata dinë gjithçka që ju veproni.” 82:10-12