Që njeriu të shtrëngojë dhëmbët e të durojë kur përballet vetë me mungesë respekti dhe fyerje nga dikush, e me aq sa ka mundësi të mos kundërpërgjigjet, duke i shkrirë të gjithë gurët që i hidhen mbi krye në atë atmosferën e tij të tolerancës, porsi meteorët që shkrijnë në atmosferë, në fenë tonë është parë përherë si një virtyt i veçantë. Mirëpo, ç’e do se janë edhe disa të drejta të tjera, që ne i kemi quajtur “e drejta e Zotit”, “e drejta e profetit”, “e drejta e Kuranit”, që kur kryhet ndonjë gjë e pahijshme karshi tyre, ngase nuk janë edhe fyerje apo paturpësi të shfaqura kundër një personi, as ai vetë nuk e ka të drejtën e faljes. Besimtari nuk mund të bëjë sikur nuk i ka parë ose dëgjuar ato. Nuk mund t’i mbledhë diku në kraharorin e tij, duke ndenjur krejt pareagueshëm. Vetëm se ai vepron dhe sillet pikërisht ashtu siç i ka hije, duke e realizuar përpikmërisht atë që ia detyron karakteri i tij prej myslimani, dhe porsi një besimtar ai thotë fjalën e tij, e duke e ditur edhe stilin e të folurit si nderin e tij, nuk heq dorë prej reagimit.
Ai që dëshiron të respektohet, duhet të respektojë
Fatkeqësisht, në ditët tona përballemi me shumë çekuilibrime. Çdo ditë ndodhin shumë ngjarje të mbushura me urrejtje, mllef dhe smirë. Tërë ato fjalë dhe sjellje të pahijshme që vijnë, nga poshtë, nga lart, nga majtas dhe nga djathtas. Ndodh që në një vend të ndodhë diçka e papëlqyeshme. Pa u parë mirë se kush e ka kryer atë veprim, ngrihet ndonjëri, me një mllef dhe urrejtje të pashoqe, dhe thotë: “Duhet t’i vrasim të gjithë myslimanët.”. Pastaj ngrihet edhe një tjetër, e edhe ai me një tjetër fyerje. Në një vend tjetër, varen afishe në mënyrë që të nxitin edhe popullin. Por ç’e do se në mes të tërë kësaj zollumahije, kjo nuk mendohet fare; Ai që fyen Krijuesin e Vetëm, emrat dhe cilësitë e Tij, profetët apo engjëjt fisnikë, ka fyer njëkohësisht edhe të gjithë njerëzit që kanë lidhje me to, e kësodore, edhe i ka prekur. Madje ndonjëherë edhe ndërhyrja në ndonjë temë si ringjallja pas vdekjes, nuk trondit vetëm botën e Islamit, por edhe krejt njerëzit e tjerë të fesë. Sepse, në thelb, të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me besimin, janë të pranuara edhe prej feve të tjera. Kështu që, përveç një miliardë e gjysmë myslimanëve që gjenden në tërë botën, kur përfshini brenda këtyre fjalëve edhe besimtarët e tjerë, që besojnë në jetën e përtejme, mund të shihet se numri i njerëzve arrin deri në 4-5 miliardë në mbarë botën. Tani, nëse dikush ngrihet e flet mbarë e prapë, apo gjendet në turlifarë sjelljesh fyese karshi disa vlerave që u përkasin 4-5 miliardë njerëzve në mbarë botën, atëherë ai quhet se i ka fyer të gjithë ata. Kështu që, edhe ai duhet ta marrë parasysh edhe fyerjen apo përfoljen e tij pas tërë kësaj. Po, nëse një njeri ngrihet t’i ngulë një heshtë 4-5 miliardë njerëzve duke luajtur me atë që ata e konsiderojnë si të shenjtë, nuk duhet të ndjejë dhembje nga ndonjë gjilpërë që mund ta çpojë. Sepse, për këdo që të bëhet fjalë, nëse ngriheni edhe nxisni dikë, atëherë keni nxitur edhe ndjenjën e tij për t’ju kundërvënë juve; e kur silleni me respekt për pozicionin e tij, atëherë do të keni nxitur tek ai ndjenjën e respektit karshi jush.
Zaten, ngritja e dikujt që të flasë për çështje që nuk i përkasin fushës së tij, për të folur kështu apo ashtu, nuk është aspak e drejtë. Për shembull, nëse ngrihet një njeri që nuk ka lexuar asnjëherë filozofi, e fyen një shkollë të tërë filozofike, duke e bërë fërtele, bëhet edhe vetë qesharak, por kryen edhe një paturpësi dhe mungesë respekti karshi dijes dhe metodologjive të saj. Ndoshta ju, mund t’i shihni disa të dhëna filozofike si falsitete ngase janë të paprovuara nëpërmjet disiplinave të patundshme të Kuranit. Mirëpo, pa lexuar qoftë edhe një libër filozofie, apo pa u përpjekur aspak për të kryer ndonjë kërkim apo analizë në lidhje me atë shkollë filozofike, ju merrni një qëndrim gjykues deri në nivel fyerjeje, vetëm sa do të keni bërë veten tuaj qesharakë. Njësoj, edhe një person që nuk ka kurrfarë lidhjeje me muzikën, të ngrihet e të flasë lart e poshtë për tonet, duke folur sikur të ishte një profesionist i asaj fushe, është po aq qesharake. Poashtu, një njeri që nuk ka lidhje fare me gazetarinë, nëse fillon e bën komente sikur të ishte duke vendosur ligje për të, është një fyerje edhe ndaj gazetarisë, por edhe ndaj atyre që e kanë atë si profesion. Kur, në fakt, të gjitha këto fusha, janë të atilla që nëse dikush tregon pak vullnet, mund të profesionalizohet shumë lehtë.
Mirëpo, sot e shihni se të gjithë ata që nuk e dinë Kuranin dhe Sunetin, që nuk e njohin fare këtë fe që ka sjellë një rilindje tejet të gjerë gjeografikisht, fillojnë e flasin lart e poshtë për të dhe për ndjekësit e saj, duke e quajtur në fund të të gjithave edhe “liria e fjalës dhe e mendimit”. Mirëpo, ngase në ditët që jetojmë ne në krye të të gjitha qëndron profesionalizmi, të folur mbarë e prapë në një fushë ku nuk je i profesionalizuar është një paturpësi e kryer jo vetëm ndaj asaj fushe, por edhe ndaj arsyes, ndaj logjikës, gjykimit dhe ndërgjegjes së kulluar. Një njeri që kryen një paturpësi të këtillë, duhet që të mos ankohet duke shfryrë, duke folur sërish mbarë e prapë, nëse i ndodh ndonjë gjë prej disa njerëzve që veprojnë në bazë të emocioneve. Sepse është ai vetë i pari që ka folur fjalë të pahijshme, apo ka kryer veprime të papëlqyeshme. Kur, për më tepër, njerëzit që ka fyer ai, arrijnë deri 4-5 miliardë njerëz. E është e pashmangshme, që në mes të gjithë këtij numri kaq të madh njerëzish, të mos gjenden edhe disa njerëz që veprojnë të udhëhequr prej emocioneve.
Nëse shtëpinë tuaj e keni kristalore…
Nga ana tjetër, edhe ne si besimtarë, duhet të tregohemi përherë të ndjeshëm në fjalët, sjelljet dhe reagimet tona; përpara se të themi ndonjë fjalë të bëjmë llogaritë se si do të na kthehet sërish mbrapsht, duke mos i derdhur menjëherë të gjitha gjërat që gjenden në thellësitë e zemrës sonë. Nuk duhet harruar kurrsesi se të gjitha fjalët që dalin prej gojës sonë mund të tërhiqen në lloj-lloj drejtimesh prej disa njerëzve me qëllime të këqija, kështu që duhet folur përherë duke i përllogaritur ndjenjat e bashkëbiseduesit. Sepse, nëse shtëpinë tuaj e keni kristalore, nuk duhet të hidhni asnjësend drejt shtëpisë së tjetrit. Në të kundërt, do të keni mundësuar me duart tuaja edhe shkatërrimin e shtëpisë suaj. Në Kuranin Fisnik, tërhiqet vëmendja me këto fjalë: “Mos i fyeni zotat, që ata kanë përveç Allahut, që ata të mos tregohen injorantë, e ta teprojnë, duke fyer Allahun.” (En’am: 108)
Nëse ju filloni e fyeni Latin, Menatin, Uzan, Isafin dhe Nailen e të tjerëve, atëherë fillojnë edhe ata të fyejnë Të Shenjtën tuaj. Kur, në fakt, as në Kuran, as në Sunet dhe në asnjë libër të ndonjë prej të parëve tanë nuk ka ndonjë urdhër apo këshillë për të fyer idhujt e idhujtarëve. Ju do të flisni përherë të drejtën; do të përmendni përherë vetëm njësinë e Zotit, e kjo është një tjetër çështje. Mirëpo, besimtari nuk ka ndonjë përgjegjësi për t’i përulur gjërat që nuk kanë vlerë të vetvetishme në sytë e tij. Nga ky këndvështrim, ah sikur të mund t’i shkruanim e të mund t’i thoshim, e të mund të vepronim ashtu siç duhet sipas kritereve të Sunetit! Sepse disa sjellje dhe reagime që dalin në një boshllëk ndjenjash, mund të jenë tejet të vështira për t’u kthyer mbrapsht në emër të vlerave tona.
Ashtu siç e kujtojnë të gjithë, para pak kohësh u krye një fyerje karshi Librit tonë të Lartë. Pak pas saj u sulmuan edhe disa kisha, e bashkë me to u rrëzuan edhe disa ndërtesa. Patjetër që, sulmi ndaj Kuranit është një mosnjohje e vetes dhe shprehje e paudhësisë. Por, edhe paturpësia e sulmit ndaj kishave si kundërpërgjigje e kësaj, është shprehja e një tjetër çekuilibrimi.
Pikërisht, prej këtij shkaku, para se t’i hyjë rrugës së fyerjes dhe nxitjes së të tjerëve, çdokush duhet të përllogarisë se si do t’i kthehen mbrapsht, e vetëm pas saj duhet të flasë apo të veprojë. Njerëzit që bëhen pre e këtyre fyerjeve, reagimet duhet t’i kenë përherë në një vijë pozitiviteti, duke përzgjedhur përherë rrugët e dijes dhe të së drejtës për t’i gjetur zgjidhje zhdukjes së shëmtive. Ata nuk duhet të sakrifikojnë asnjëherë prej karakterit të tyre, e kurrsesi të humbasin diçka prej stilit të tyre të të folurit dhe veprimit. Një njeri i qytetëruar duhet të përpiqet që t’i gjykojë këto sjellje ashtu siç ato duhen gjykuar. Pasi më pas, asnjë e qarë nuk përbën kurrfarë dobie.
Sa shumë do të doja, që në lidhje me respektin ndaj të shenjtës të arrihej një pajtim i përgjithshëm ndërkombëtar! U përpoqa që t’u flisja disa qendrave në lidhje me këtë çështje, por me sa duket nuk ua shpreha dot shqetësimin tim si duhej. Në botën e ditëve tona, liria e fjalës dhe e mendimit, janë dy koncepte mbi të cilat qëndrohet gjerësisht. Por ç’e do, se fatkeqësisht, ato fyerjet karshi fesë, besimit dhe disa gjërave të shenjta, ndërkohë që prej disa njerëzve duken si liri fjale dhe mendimi, nuk duken si të tilla nëse përdoren karshi disa fushave të tjera, përkundrazi, edhe quhen si krime urrejtjeje. Besimtari i vërtetë, që në fakt është përfaqësuesi i sigurisë dhe i besnikërisë mbi rruzull, nuk thotë asnjëherë fjalë të papëlqyeshme për dikë tjetër. Madje, qëllimin për të fyer apo për të shpifur nuk mund ta ketë kurrsesi, dhe nuk duhet ta ketë. Por ç’e do se ndërsa hyrje-dalja nëpër disa fusha në emër të lirisë së fjalës dhe mendimit është lënë e lirë, e në disa të tjera është ndaluar, kjo tregon se kemi të bëjmë me një standard të dyfishtë, e kjo është paksa e paqëndrushme. Dhe kjo është një e vërtetë që i shqetëson jashtë mase të gjithë besimtarët.
Me pak fjalë, është një nevojë tejet e qenësishme që të gjithë njerëzit ta kenë mendimin e respektit karshi gjërave të shenjta, madje edhe që ta shpërndajnë atë edhe te njerëzit e tjerë. Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm prej organizatash ndërkombëtare, duke përcaktuar masa të qarta pa lënë hapësirë për interpretime, dhe mbi të gjitha, kjo të jetë e lidhur me disa disiplina që do të kenë të drejtën e fjalës. Ah sikur të mund të merrej vesh mbarë njerëzimi në këtë çështje! Ah sikur ta dinin kufirin! Sepse për aq kohë që nuk tregohet respekt karshi gjërave të shtrenjta të njerëzve, e cila është një prej kritereve më parësore të ruajtjes së paqes dhe bashkëjetesës, në botën tonë që po ngushtësohet, ato kanë për ta treguar veten e tyre në trajtën e problemeve akoma më të mëdha dhe më të frikshme.
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë