Gjërat që e prishin abdesin
Shejkh-ul-Islam dhe imam Muhammed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
Gjërat që e prishin abdesin janë tetë:
1 – Çdo gjë që del nga organet gjenitale dhe nga anusi.
2 – Çdo gjë e papastër që del nga pjesët e tjera të trupit.
3 – Humbja e vetëdijes.
4 – Prekja e gruas me epsh.
5 – Prekja e organit gjenital ose anusit.
6 – Ngrënia e mishit të devesë.
7 – Pastrimi i kufomës.
8 – Dalja nga Islami – Allahu na ruajt nga kjo.
Shpjegimi
Se gjërat që e prishin abdesin janë tetë është mendim i disa dijetarëve. Të tjerë thonë se ato janë më pak se kaq.
1 – Çdo gjë që del nga organi gjenital dhe anusi si urina, jashtëqitja dhe të gjitha gjërat që kanë dispozitat e tyre.
2 – Çdo gjë e papastër që del nga pjesët e tjera të trupit si qelbi, të vjellurit në sasi të madhe, ndërsa nëse është ne sasi të vogël ajo është anashkaluar.
3 – Humbja e vetëdijes si gjumi, dehja apo sëmundja. Ai që rifiton vetëdijen pasi e ka humbur atë duhet të marrë abdes.
4 – Prekja e gruas me epsh është një prej mendimeve të dijetarëve. Dijetarë të tjerë thonë se kjo nuk e prish abdesin. Pra dijetarët për këtë kanë mendime të ndryshme. Mendimi i saktë është se kjo nuk e prish abdesin. I dërguari ﷺ puthte gratë e tij e më pas nuk merrte abdes. Autori -rahimehullah- pason Hanbelitë në këtë çështje. Lidhur me fjalët e Allahut -te ala-:
أَوْ لاَمَسْتُمُ النِّسَاء
”… ose ju keni afruar grave…” 1
Këtu është për qëllim kontakti seksual.
5 – Gjithashtu abdesi prishet nëse preket me dorë organi gjenital ose anusi.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Ai që e prek organin e tij gjenital duhet të marrë abdes.” 2
Në një transmetim tjetër thuhet:
“Ai që e vë dorën e tij në organin gjenital të tij duhet të marrë abdes.” 3
Në një formulim të tretë, thuhet:
“Ai që e prek penisin e tij duhet të marrë abdes.” 4
7 – Gjëja e shtatë është pastrimi i kufomës sepse kjo zakonisht do të thotë se pjesët intime të kufomës preken. Këtë mendim e kanë disa dijetarë. Gjithashtu pastrimi shkakton një formë të dobësisë kështu që është e përshtatshme për të marrë abdes për të rifituar forcë dhe energji.
8 – Gjëja e tetë është dalja nga Islami. Ai që merr abdes, e braktis Islamin dhe pastaj udhëzohet nga Allahu dhe pendohet, duhet të marrë abdes përsëri.
Disa dijetarë, duke përfshirë Hanbelitë -rahimehumullah-, i konsiderojnë këto tetë gjëra anulues të abdesit. Dijetarë të tjerë mendojnë se ato janë më pak se kaq. Ata thonë se nuk ka argumente të qarta se papastërtitë dhe ato të neveritshmet që dalin nga pjesët e tjera të trupit (përpos organeve gjenitale) e prishin abdesin. Ata besojnë se në raste të tilla duhet marrë abdes për arsye sigurie sikurse thotë hadithi:
“Ai që vjellë duhet të marrë abdes.” 5
E njëjta gjë vlen edhe me prekjen e gruas me epsh dhe pastrimin e kufomës. Nuk ka argumente të qarta për to. Prandaj janë vetëm pesë gjëra. Dhe nëse ne themi se dalja nga Islami nuk e prish abdesin atëherë janë vetëm katër gjëra që e prishin abdesin, të cilat janë të mbështetura nga argumente të qarta. Lidhur me katër të tjerat, ka mospajtime lidhur me to:
2 – Çdo gjë e papastër dhe e neveritshme që del nga pjesët e tjera të trupit.
4 – Prekja e gruas me epsh.
7 – Pastrimi i kufomave.
8 – Dalja nga Islami.
1 En-Nisa’ 4:43
2 Ibn Maxheh (481), Ahmedi (19/36), Ibn Hibani (1114) dhe disa tjerë. Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunnen Ibn Maxheh” (391).
3 Bejhaki (1/133) dhe Ahmedi (14/130). Autentik sipas Ibn Dakik-il-Id në ”el-Imam bi Ahadith-il-Ahkam, fq. 19″, dhe Albani në ”Itmam-ul-Minnah, fq. 53″.
4 Ahmedi (11/647), Ebu Daudi (181), Nesai (163), Tirmidhi (82) dhe Ibn Maxheh (479). Autentik sipas Albanit në ”Sahih Sunnen Ebi Daud” (1/329)).
5 Tirmidhi (87). Autentik sipas Albanit në ”Irua’-ul-Ghalil” (1/148).
Autor: Imam Muhammed Ibn Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtaz, fq. 67-70
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com