Kushtet themelore të mbulesës janë:
1. Veshja (hixhabi) të mbulojë të gjithë trupin (për fytyrën dhe duart dijetarët janë në mosmarrveshje).
2. Të mos jetë mbulesa tërheqëse për meshkujt, sepse Allahu e ka bërë mbulesën mbulim të bukurive, e jo zbulim të tyre. Ai thotë: “Mos e shfaqni bukurinë tuaj siç shfaqej në injorancën e herëshme!” (Ahzab, 33)
3. Të mos jetë mbulesa e tejdukshme, ngase nuk mundesh të mbulohesh me një send i cili është i tejdukshëm, e nëse vepron kështu ajo bëhet e mbuluar me emër, ndërsa në realitet është e zbuluar.
Pejgamberi (alejhi selam) thotë: “Në fundin e ummetit tim do të ketë gra të mbuluara, por të zbuluara. Kokat e tyre do t’i kenë sikur gërbat e deveve. Mallkojini ato, sepse ato do të jenë të mallkuara. Ato nuk do të hyjnë në Xhenet, e as që do ta ndiejnë erën e tij, kurse era e tij ndihet aq larg.”
Pra, ky është argumenti se veshja e një rrobe të tejdukshme konsiderohet si mëkat i madh.
4. Mbulesa duhet të jetë e gjërë, sepse qëllimi i saj është pengimi i fitnes dhe fshehja e formës së trupit.
Usame ibn Zejdi thotë: “Pejgamberi (alejhis selam) më dhuroi një manto koptijane, të cilën ia kishte dhuruar Dihjetul Kelbiu, kurse unë ia dhashë gruas time që ta veshë. Një ditë Pejgamberi (alejhis selam) më tha: ‘Përse nuk e vesh manton koptijane?’ I thashë: ‘E veshi gruaja ime.’ Ai tha: ‘Urdhëroje që të veshë diçka nën të, se kam frikë mos po ia përshkruan formën e eshtrave të saj.”
5. Të mos jetë mbulesa e parfumosur. Pejgamberi (alejhis selam) thotë: “Ajo grua, e cila parfumoset dhe kalon pranë burrave që ta nuhatin erën e saj, ajo është lavire.”
6. Të mos i përngjajë veshjes së burrave. Pejgamberi (alejhis selam) thotë: “Nuk është prej nesh (nuk është muslimane) gruaja që u përngjan burrave, dhe burri që u përngjan grave.”
Transmetohet nga ebu Hurejre se ka thënë: “Pejgamberi (alejhis selam) e ka mallkuar atë burrë që vesh veshjen e grave dhe atë grua që vesh veshjen e burrave.”
Pejgamberi (alejhis selam) thotë:
“Tre lloj njerëzish nuk do të hyjnë në Xhenet, e as që do t’i shikojë Allahu në Ditën e Kiametit: Ai që nuk i respekton prindërit, gruaja që i përngjan burrit dhe ai që përhap atë që ndodh gjatë marrëdhënieve seksuale.”
7. Të mos i përngjajë veshjes së mosbesimtarëve. Pejgamberi (alejhis selam) thotë:
“Ai që i përngjan një populli, është prej tyre.”
Transmetohet nga Abdullah ibn Amri, i cili ka thënë: “Pejgamberi (alejhis selam) pa tek unë dy rrobe të verdha dhe tha: ‘Këto janë tesha të jobesimtarëve, mos i vish!’”
8. Të mos ketë për qëllim me këtë veshje afirmim në popull. Pejgamberi (alejhis selam) thotë:
“Kush vesh veshje afirmimi në dunja, Allahu e mposhtë në Ditën e Kiametit, e pastaj e shtie në zjarrin e Xhehenemit.”
Në këtë hyn çdo veshje që të dallon prej të tjerëve, pa marrë parasysh a është veshje e shtrenjtë, të cilën e veshë për t’u lavdëruar me pasuri, ose veshjen e leckosur dhe të papastër, duke pasur për qëllim demonstrimin e asketizmit.
Prandaj me këtë rast i këshillojmë ato vajza që kanë vënë mbulesen t’i kenë parasysh këto kushte dhe të vishen ashtu, që ta çojnë urdhërin e Allahut në vend si duhet dhe të largohen veshjeve që ndoshta mbulojnë trupin, mirëpo nuk e mbulojnë ashtu siç është kërkuar nga ato.
Përgatiti: Alaudin Abazi