Pyetja:
1. Cilat janë kohët e ndaluara për varrimin e xhenazes?
2. A mundet që djali ta lajë xhenazen e nënës së vet, motrës dhe bashkëshortes së vet dhe anasjelltas?
3. Si bëhet larja e xhenazes në pika të shkurtëra?
4. Si falet namazi i xhenazes sipas sunnetit dhe nëse dikush nuk ka qenë prezent në namazin e xhenazes kur është falur me xhemat atëherë vet si duhet ta fal dhe ku?
5. Në vendin tim varrimet bëhen me bidate. Si është më mirë për ne, a t’i varrosim vetëm sipas sunetit aq sa kemi mundësi apo t’ia lëmë këtë punë udhëheqësve (siç veprojnë të gjithë) e t’i varrosin me bidate?
***
Përgjigjja:
- Kohët e ndaluara për varrimin e xhenazes janë ato tre kohë në të cilat është ndaluar edhe namazi, siç ka ardhur në hadithin e saktë të transmetuar nga Ukbeh iben Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili thotë: “Ishin tre kohë në të cilat i Dërguari i Allahut ﷺ na ndalonte që të faleshim apo të varrosnim të vdekurit tanë gjatë tyre: gjatë lindjes se diellit deri sa të ngrihet lart në qiell, në kohën e drekës kur dielli është pingul deri sa të anonte nga qendra e kupës së qiellit dhe gjatë perndimit të diellit deri sa të perëndoje plotësisht.” [1] Kurse varrosja e xhenazese natën në rast nevoje (kur ekziston frika e prishjes së kufomës apo ndonjë nevoje tjetër), është e lejuar, sepse edhe Pejgamberi ﷺ e ka bërë këtë gjë me një burrë. [2]
- Rregulli është që xhenazen e të vdekurit mashkull e lajnë burrat dhe të femrës gratë, me përjashtim të bashkëshortit dhe bashkëshortes që lejohet të lajnë xhenazen e njëri-tjetrit. Pra, nënën e vdekur e lanë vajza ose mbesa ose ndonjë grua tjetër e afërme apo e besuar, e cila di të lajë xhenazen dhe nuk vajton te koka e saj.
- Larja e kufomes së të vdekurit (xhenazes) është detyrim mbi muslimanët, që përmbushet me ngritjen e dikujt prej tyre me larjen e saj sa më parë të jetë e mundur. Për mënyrën e larjes së xhenazes, mund të përmendim këtu disa pika shkurt: Merret uji i ngrohtë aq sa pastrohej i vdekuri kur ishte gjallë, dhe shoqërohet me sidr apo me shampo e sapun, lahet tre herë apo më shumë duke qenë tek, dhe herën e fundit shton pak parfum në ujë. Lan në fillim gjymtyrët e abdesit pastaj fillon me anën e djathtë të trupit dhe pastaj me të majtën. I lan mirë flokët, i kreh dhe pastaj ato të gruas i ndan në tre gersheta dhe i hedh pas kokës. Eshtë e rëndësishme që uji të përshkojë të gjithë trupin, dhe sigurisht që trupi i të vdekurit gjatë larjes duhet të jetë i mbuluar me një copë në vendet e turpshme. Pastaj thahet dhe qefinoset. Edhe qefini ka rregullat e veta, por këu nuk mund të sqarohen këto.
- Namazi i xhenazes është me katër tekbire ose edhe më shumë, deri në nëntë tekbire, por zakonisht me katër tekbire dhe ndonjëherë imami që ka dije rreth kësaj çështje, preferohet ta fal me nëntë tekbire. Krahu i djathtë i xhenazes vendoset nga Kibla dhe imami i qendron trupit të burrit në drejtim të gjoksit, kurse të xhenazes së gruas në mes të trupit. Pas tekbirit të parë lexon suren el Fatiha dhe një sure të shkurtër pa zë, si imami edhe xhemati, pastaj merr tekbirin e dytë pa i ngritur duart dhe lexon salavate mbi Pejgamberin ﷺ, pas tekbirit të tretë bën duanë e xhenazes dhe lutjet për të vdekurin dhe pas tekbirit të katërt jep selam nga të dyja anët. Pastaj vjen varrosja e xhenazes dhe kjo ka rregullat e veta.Nese vjen me vonesë dhe namazi i xhenazes është falur, ti nuk e ke detyrim ta falësh atë, sepse namazi i xhenazes është detyrim kolektiv (lexo: kifaje) dhe jo individual (lexo: ajn), që nëse e kryen një grup muslimanësh, bie detyrimi nga të tjerët. Përveç nëse dikush varroset pa ju falur xhenazeja, atëherë mund të shkosh dhe t’ja falesh xhenazen te varri, siç ka vepruar edhe Pejgamberi ﷺ me dikë që u varros natën dhe nuk ia kishin falur xhenazen.
- Ti nuk ke përgjegjësi për ato gjëra që nuk ke pushtet, dhe as te vdekurit që janë varrosur ashtu nuk kanë dënim për këtë gjë që kanë vepruar të gjallët me ta. Kështu që mos u shqetëso për këtë, se Allahu di në hollësi gjithçka dhe e shpërblen secilin sipas veprës dhe qëllimit të vet.
- Nëse një muslimani të kapur për fenë e tij dhe të mësuar, që ka dije nga feja, i vdes një i afërm dhe ai është përgjegjës për përgatitjen dhe varrimin e xhenazes, atëherë ai duhet të veproj ësipas sunetit për varrosjen e xhenazes dhe nuk ka pse të thërras imamin apo ndonjë hoxhë tjetër që bën bidate në lidhje me xhenazen dhe varrimin, pra e merr vet drejtimin e varrimit nëse ka dije dhe njohuri, përndryshe, Allahu nuk ngarkon askënd më tepër se sa ka mundësi. E Allahu është i Gjithëdijshmi dhe vetëm në dorën e Tij është suksesi.Komisioni i përhershëm për fetva
——————————
[1] Muslimi, Ebu Davudi
[2] Tirmidhiu dhe Iben Maxhe