Pyetja:

Cilat janë rregullat e veshjes?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, ﷺ.

Veshja e muslimanit duhet të jetë konform dispozitave islame dhe nuk duhet përngjasuar me veshjet e jomuslimanëve. Veshjen e rrobave muslimani duhet ta bëjë duke filluar me anën e djathtë.

Veshjet për burra duhet t’i plotësojnë kushtet e mëposhtme:

– Që të mos jetë nga materiali që është i ndaluar për meshkujt

Dijetarët pajtohen se meshkujt e kanë të ndaluar të veshin mëndafsh dhe ari, sepse transmetohet nga Aliu (r.a.) se ka thënë: “Pejgamberi e ka marrë mëndafshin në dorën e majtë, kurse arin në të djathtën, dhe ka thënë: “Këto të dyja janë të ndaluara për burrat e umetit tim,  kurse për gratë janë të lejuara.”

Mirëpo, nëse përdorimi i arit dhe mëndafshit bëhet i domosdoshëm, si p.sh. në mjekësi, atëherë do të lejohen.

Përveç mëndafshi dhe arit, burrat, e me këtë rast edhe gratë, e kanë të ndaluar të veshin veshje nga lëkura e derrit, pa marrë parasysh a është e regjur apo jo, ndërsa nga të gjitha kafshët tjera lëkura është e lejuar, nëse është e regjur.

– Që të mos jetë veshje për eminencë (dallim)

Sepse Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Kush vesh rroba për tu dalluar në këtë botë, Allahu do ta veshë atë me rroba të poshtërimit në Ditën e Gjykimit, pastaj do ta djegë në zjarr.”

Cilat janë rroba të dallimit?

Ibn Kajjimi ka thënë: “Suneti i Pejgamberit ﷺ, aludon që njeriu duhet të vishet ashtu siç vishen njerëzit në vendin e tij.”

Sot te ne mund të vërejmë njerëz, të cilët veshin rroba që nuk janë të përshtatshme për vendin tonë ose i shkurtojnë pantallonat e tyre deri në gjysmë të nëngjurit.

Ebu Ejub Es-Sahtijani është kujdesur që veshja e tij të jetë më e gjatë, dhe kur është pyetur për këtë, ai ka thënë: “Dikur veshje për dallim janë konsideruar rrobat më të gjata, kurse tani janë ato që janë më shumë të shkurtra.”

– Që të mos jenë veshjet shumë të shtrenjta apo shumë të vjetruara, siç veprojnë disa  pasanik arrogant dhe shkapërderdhës, nga njëra anë, apo disa individë duke veshur rroba të vjetruara duan të tregohen si të devotshëm.

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Hani dhe jepni sadakë, dhe vishuni pa salltanet dhe pa treguar krenari.”

Në një rast Pejgamberi ﷺ e sheh një njeri me rroba të vjetruara, andaj e pyeti se a ka pasuri. Njeriu u përgjigj se ka, kurse Pejgamberi ﷺ i tha: “Atëherë pra, ha, pi, vishu, jepu sadakë të tjerëve, pa e tepruar dhe pa krenari, sepse Allahu dëshiron që t’i sheh gjurmët e begatisë Tij te robi i Tij.”

– Që me rroba mos të imitohen gratë, jobesimtarët apo mëkatarët

Në rrugët tona gjithnjë e më shumë shohim njerëz të cilët bartin simbole, të jobesimtarëve, siç është kryqi, apo simbole të grave, siç është vathi etj.

Abdullah b. Abbasi (r.a.) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i ka mallkuar burrat që i imitojnë gratë dhe gratë që i imitojnë burrat!”

Kurse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush e imiton një popull, ai është prej tyre.”

Hoxhë Muharem Ismaili