Cili është vendi më i duhur për konsulta te jeta e besimtarit?
***
Përgjigjja:
ër trashëgimtarët e sotëm, konsultimi (shu’ra) përbën një veçori jetësore dhe një rregull thelbësor, siç ishte edhe për trashëgimtarët e parë. Sipas Kuranit, konsultimi është shenja më e qartë e një komuniteti besimtarësh dhe karakteristika më e rëndësishme e një kongregacioni, i cili ia ka dorëzuar zemrën Islamit. Rëndësia e konsultimit sipas Kuranit është e së njëjtës gradë me namazin dhe infakun (të ndihmosh nevojtarët për hir të Zotit): “…Edhe ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht dhe ata që konsultohen mes vete për punë të përbashkëta, e nga ajo që Ne ua japim, ata e shpërndajnë.” (Shura: 38)
Nga ky ajet, mësojmë se konsultimi përbën një veprim i cili është i të njëjtit nivel me namazin, gjithashtu domethënia e konsultimit prej faktit se përgjigja dhe pranimi i fjalës, apo ftesës së Zotit dhe rrjedhojat e saj si namazet, konsultimet dhe dhënia e lëmoshës, përmenden në të njëjtin urdhër hyjnor.
Kjo është arsyeja përse një shoqëri e cila nuk e konsideron konsultimin të rëndësishëm, vështirë të quhet një shoqëri plotësisht besimtare dhe një komunitet i cili nuk e zbaton metodën e konsultimit, nuk konsiderohet si mysliman në kuptimin më të plotë të fjalës. Në Islam konsultimi është thellësisht thelbësor, këtij rregulli duhet t’i binden si ligjvënësit, ashtu edhe njerëzit e thjeshtë. Ligjvënësi është përgjegjës për kryerjen e konsultimit në çështje që i takojnë sferave politike, qeverisëse dhe legjislative, populli është përgjegjës për shprehjen e pikëpamjeve dhe mendimeve të tij ligjvënësve.
Disa gjëra të rëndësishme që vlejnë për t’u theksuar këtu janë: konsultimi është kushti i parë për suksesin e një vendimi të marrë në ndonjë çështje. Ne të gjithë e kemi vënë re se si të gjitha vendimet që janë marrë pa u diskutuar më parë hollësisht dhe gjerësisht, pa marrë në konsideratë pikëpamjet dhe kritikat e të tjerëve, qoftë kur kanë pasur të bëjnë me individë të veçantë, apo me fatet e shoqërisë, kanë dështuar dhe nuk kanë patur përkrahje. Edhe nëse një person ka natyrë superiore dhe intelekt të shquar, edhe kur është i kënaqur me opinionin e tij dhe nuk pranon dhe nuk respekton opinionin e të tjerëve, është i prirur të bëjë më shumë gabime se njerëzit normalë. Njeriu më inteligjent është ai që vlerëson dhe respekton konsultimin e ndërsjelltë dhe shqyrtimin e çështjeve (meshveret) dhe që përfiton më së shumti nga idetë e të tjerëve. Ata që janë të kënaqur me idetë e tyre në planet dhe punët që kryejnë, apo ata që këmbëngulin me forcë që të tjerët të pranojnë këto ide, jo vetëm që bjerrin një dinamikë mjaft të rëndësishme, por edhe përballen me mospajtime, përbuzje dhe urrejtje nga njerëzit me të cilët ata shoqërohen. Ashtu siç ishte konsultimi kushti i parë për të arritur rezultatet më të mira në çdo detyrë të ndërmarrë, po kështu, kjo cilësi është pa dyshim një prej mjeteve që i jep njeriut një burim domethënës fuqie shumë më të madhe se forcat e veta.
Përpara çdo aventure që ndërmerret, nuk duhen kursyer përpjekjet që lidhen me hetimin, shqyrtimin dhe konsultimin paraprak të nevojshëm. E gjithë kjo për të shmangur kritikat ndaj fatit të keq dhe qortimit të të tjerëve për autorësinë e gabimeve. Kësisoji është më i mundshëm qëndrimi brenda kornizave të kujdesit, duke e ngadalësuar ecjen dhe duke shmangur zhytjen në veprime të dëmshme dhe me pasoja që shpien mandej drejt rrënimit dhe fatkeqësisë. Mospajtimi dhe ankesat janë të paevitueshme, në qoftë se rezultati i përpjekjeve dhe rrjedhojat e tyre nuk kanë qenë të menduara mirë dhe në qoftë se njerëzit të cilët kanë qenë protagonistë të këtyre ngjarjeve janë hedhur drejt aventurës pa u konsultuar më parë. Aventurat dhe sipërmarrjet e ndërmarra pa konsultim paraprak nuk kanë sukses dhe u shkaktojnë protagonistëve të tyre humbjen e kredibilitetit, duke i bërë ata të pashpirt, të shkurajuar dhe të papranuar prej njerëzve.
Konsultimi përbën një nga dinamikat kryesore që e mban në këmbë rendin islam si sistem. Konsultimi është pjesë e misionit dhe e detyrës më të rëndësishme, e zgjidhjes së çështjeve, si nga pikëpamja individuale, ashtu dhe ajo kolektive, mes njerëzve dhe shtetit, shkencës dhe dijes, ekonomisë dhe sociologjisë, përderisa të mos ekzistojë një nass (ajet, apo hadith) me një domethënie të qartë në lidhje me këtë çështje.
Në Islam, këshilli konsultativ i shtetit është një institucion me një pozitë udhëheqëse. Ai merr pjesë paraprakisht në vendimet ekzekutive. Sot, në shumë vende ekziston një gjykatë e lartë, por funksioni i saj është mjaft i kufizuar, kompetencat e saj janë mjaft të reduktuara duke e bërë një institucion shumë më të kufizuar në krahasim me konsultimin islam.
Edhe nëse krerët e shteteve, apo udhëheqësit konfirmohen nga Zoti dhe ushqehen me anë të shpalljes dhe të frymëzimit, ata janë të detyruar t’i kryejnë punët me anë të konsultimit. Ka pasur disa prej tyre të cilët e kanë anashkaluar këtë veprim, por në përgjithësi, numri i vendeve, apo bashkësive të cilat e kanë ngritur një institucion të tillë nën emra dhe tituj të ndryshëm, në epoka të ndryshme, është i konsiderueshëm. Në fakt, çdo shoqëri e cila e ka shkelur dhe nuk e ka marrë parasysh këtë institucion, nuk ka përparuar, por, përkundrazi, është shuar. Prandaj, i Dërguari i Zotit, ﷺ, e shikonte shpëtimin dhe progresin e bashkësisë së tij tek konsultimi reciprok: “Ata të cilët konsultohen, nuk do të jenë kurrë të humbur.”[1]
Konsultimi në Kuran theksohet qartë në dy ajete, por ka shumë ajete të tjera që i referohen atij. Ajeti i parë në të cilin përmendet konsultimi është cituar më lart, ndërsa i dyti i cili nuk ka nevojë fare për interpretim është ky:
“Konsultohu me ta në çështje të ndryshme!” (Ali Imran, 3:159)
Konsultimi është fjala kyç e kësaj sureje dhe është aq i rëndësishëm, saqë surja është quajtur shu’ra (konsultimi), duke nënvizuar kështu një nga parimet bazë që karakterizojnë bashkësinë e besimtarëve të vërtetë.
E përse u dashka që ata (sahabet), veprat e të cilëve kryhen gjithmonë duke u bazuar tek konsultimi, të mos lavdërohen?” Nga fakti që sahabet ishin veçanërisht të lavdëruar për shkak të konsultimit në krahasim me shumë cilësi të tjera, kjo përbën një tregues mjaft domethënës.
Konsultimi, ashtu siç theksohet në Kuran, si një rregull i rëndësishëm, i është dhënë një rëndësi e veçantë edhe në shembullin profetik (sunet), madje duke i dhënë shumë përparësi. I Dërguari i Zotit, ﷺ gjithmonë është konsultuar me të tjerët, qofshin burra, apo gra, të rinj, apo pleq, në çështje për të cilat nuk ka pasur Shpallje hyjnore. Megjithëse tani ne mund të jemi mjaft të avancuar në shumë fusha të ndryshme, nuk mund të pretendojmë që e kemi arritur nivelin e konsultimit që ekzistonte në atë periudhë.
Duke u konsultuar me sahabet e tij në çdo çështje, i Dërguari i Zotit, ,ﷺ i merrte në konsideratë opinionet dhe pikëpamjet e tyre, prandaj çdo veprim që planifikonte, ua paraqiste dhe ia parashtronte ndërgjegjes kolektive. Ai mori parasysh çdo ndjenjë, emocion dhe tendencë që buronte nga ndërgjegjja kolektive, duke bërë që vepra e tij të kishte forcë dhe kohëzgjatje më të madhe. Prandaj, me anë të bashkimit dhe përfshirjes së çdo njeriu mendërisht dhe shpirtërisht në punën që duhej kryer, ai e përmbushi projektin e tij në mënyrën më të fuqishme dhe kumbuese të mundshme.
Po paraqesim disa fragmente nga jeta e profetit për ta ilustruar këtë.
Përpara dhe pasi myslimanët arritën në Uhud, i Dërguari i Zotit, ﷺ, u këshillua me sahabet dhe i udhëzoi ata të ndjekin strategji të caktuara gjatë betejës. Ndërmjet strategjive që ai shpalosi, pa pasur asnjë vërejtje të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë prej sahabeve, ishte vendosja e disa harkëtarëve në një pozicion të caktuar mbi kodër. Harkëtarët nuk duhet të ndesheshin me armiqtë dhe të merrnin pjesë në betejë dhe as nuk duhej të ndryshonin, apo të lëshonin pozicionet e tyre, pavarësisht asaj që do të ndodhte. Edhe në qoftë se ushtarët e tjerë do të thyenin armikun dhe do të rendnin pas plaçkave të luftës, pas një fitoreje të qartë, harkëtarët nuk duhej të lëshonin pozicionet dhe duhet të vazhdonin të ndiqnin urdhrat e dhëna…
Megjithatë, edhe pse e vlerësonin rëndësinë e të bindurit ndaj urdhrave, disa prej sahabeve ranë prej mendjes së tyre në gabimin e interpretimit, apo të gjykimit në lidhje me kohën në të cilën urdhri i dhënë nuk ishte më i vlefshëm, duke vepruar kështu, pa dashur, në kundërshtim me urdhrin e dhënë nga i Dërguari i Zotit, ﷺ, gjatë konsultimit paraprak. Nëse ndonjë tjetër do të ishte përballur me një kundërshtim të tillë dhe nëse do të kishte përjetuar humbjet dhe dëmin që ai vuajti në atë kohë, ky person me siguri do t’i kishte qortuar këta njerëz dhe idetë e tyre duke u thënë: “Ikni dhe Zoti ju ndëshkoftë, sepse ju dezertuat!” Por i Dërguari i Allahut, ﷺ, nuk e bëri këtë, megjithëse ai ishte plagosur dhe njëra faqe i ishte mbuluar nga gjaku, si pasojë e sulmit të befasishëm të armiqve, në momentin kur për shkak të veprimit të sahabeve, ai kishte mbetur i ekspozuar. Pavarësisht të qenurit i rrethuar prej kufomave të shumë prej sahabeve dhe të afërmve të tij, në një moment kur disa prej shokëve ishin frikësuar dhe kishin marrë arratinë drejt Medinës për të shpëtuar jetën, i Dërguari i Zotit ua recitoi ajetin “Kryeni punët me anë të konsultimit!” atyre që kishte përreth, qofshin fajtorë, apo jo, sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe u ul e u konsultua përsëri me ta. Ai jo vetëm që u konsultua me ta, por në të njëjtën kohë i njoftoi gjithashtu se edhe do të faleshin duke u recituar ajetin e sapozbritur që e urdhëronte atë të lutej për faljen e tyre.
“Ti u solle butësisht ndaj tyre, sepse Allahu të dhuroi mëshirë. E sikur të ishe i vrazhdë e i ashpër, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj ti falja atyre gabimin dhe kërkoji ndjesë Allahut për ta, e konsultohu me ta në çështje të ndryshme. E kur të vendosësh për diçka, atëherë mbështetu tek Allahu, vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Ali Imran: 159)
Kur zbriti ky ajet pas betejës së Uhudit, i Dërguari i Zotit, transmetohet të ketë thënë: “As Zoti e as i Dërguari i Tij nuk kanë nevojë për konsultim. Megjithatë, Zoti e bëri atë një mënyrë për të fituar Mëshirën e Tij. Cilido që konsultohet, nuk shmanget nga rruga e drejtë dhe cilido që e braktis konsultimin, devijon.” Mund të kuptohet qartë nga ky hadith se Zoti ia ngarkoi detyrën e konsultimit të Dërguarit të Tij, megjithëse personalisht nuk kishte nevojë për të, në mënyrë që kështu të vepronin edhe administratorët, apo udhëheqësit e tjerë. Udhëheqësve u kujtohet se ata nuk duhet të ushtrojnë diktat dhe se duhet të përfitojnë nga idetë e qytetarëve të tyre. Kjo përbën mënyrën me të cilën qytetarët mund të japin ndihmesën e tyre në qeverisjen e vendit.
Disa prej shprehjeve të Profetit ﷺ, në lidhje me konsultimin ndërmjet shumë të tjerash, jepen në vijim:
“Një person që konsultohet, nuk pendohet më pas.” [2]
“Një njeri që konsultohet, nuk pëson dëm.” [3]
“Ai që konsultohet, është i sigurt.” [4]
“Nuk ka pasur asnjë bashkësi e cila të jetë konsultuar dhe të mos ketë arritur rezultatet e duhura.” [5]
Duke pasur parasysh gjithë këto, ekziston një konsensus ndërmjet dijetarëve myslimanë rreth faktit se konsultimi përbën një prej parimeve bazë të Islamit dhe se është një prej rregullave të nevojshme që duhen zbatuar në jetë. Kjo gjë është kuptuar dhe zbatuar gjithmonë në këtë mënyrë. Por disa diferenca në zbatimin e kësaj pike mund të vërehen në botën islame përgjatë epokave, situatave dhe rrethanave specifike.
* * *
Është e qartë se konsultimi si burim legjislacioni nuk ka më tepër përparësi se Urdhrat Hyjnorë. Megjithëse konsultimi është themel në disa dispozita dhe parime, fusha e tij kufizohet me varësinë që ka ndaj burimeve të vërteta legjislative (Kuran, sunet). Në ato çështje ku ekziston një “nass” i qartë, nuk ka vend për ndërhyrjen e qenieve njerëzore, prandaj njerëzit në këtë rast duhet ta përdorin konsultimin vetëm për të arritur kuptimin e plotë të tyre. Ndërsa çështjet për të cilat nuk ekziston ndonjë dekret hyjnor, mbeten krejtësisht të hapura për konsultim dhe konsiderohen brenda kufijve të konsultimit. Pra, është detyrë respektimi i rezultateve dhe i vendimeve që janë marrë me anë të konsultimeve, prandaj askush nuk duhet të veprojë në kundërshtim me këto vendime dhe të vazhdojë të përhapë, apo të mbrojë ide, apo opinione të ndryshme. Nëse në vendimin e pranuar është bërë një gabim, edhe kur është vendosur nga shumica, kjo shumicë duhet ta korrigjojë atë dhe të bëjë amendimet e duhura, sërish me anë të konsultimit.
Megjithëse urdhrat hyjnorë në lidhje me konsultimin janë në njëfarë mënyre të përgjithshme, kufizohen po me anë urdhrash të tjerë në çështje të veçanta dhe gjithashtu prej veprimeve të të Dërguarit të Allahut. Në fakt, urdhrat në islam, me disa përjashtime të vogla (ata të cilat shprehin parime universale dhe rregulla të përgjithshme), nuk ndalen shumë në detajet e çështjeve të cilat mund të gjykohen me anë të ligjeve të dorës së dytë. Çështjet për të cilat nuk ekziston asnjë urdhëresë hyjnore janë tërësisht brenda kufijve të konsultimit, duke qenë kështu çështje të hapura për diskutim.
Çdo çështje për të cilën Islami përmban në mënyrë të qartë një urdhëresë, është jashtë kufijve të konsultimit dhe çështjet për të cilat Islami nuk ka nxjerrë ndonjë urdhër të qartë, mbeten brenda kufijve të konsultimit. Në çdo rrethanë dhe situatë, konsultimi është i kushtëzuar të ketë lidhje me Islamin, t’i referohet Kuranit dhe sunetit dhe ka si qëllim që të realizojë objektivat e përshkruara dhe të përcaktuara nga Fjala e Zotit, Kurani. Disa prej parimeve themelore tek të cilat mbështetet Islami janë: vendosja e barazisë ndërmjet njerëzve, lufta kundër padijes dhe për përhapjen e dijes, ndërthurja dhe mpleksja e çdo çështjeje dhe pune rreth identitetit islam në mënyrë që myslimanët të mos bien në kontradiktë me thelbin e tyre, orientimi i popullit të një vendi në mbrojtjen e atdheut dhe ruajtja e baraspeshës ndërmjet shteteve, arritja e baraspeshës së duhur të drejtësisë shoqërore të individëve dhe të shoqërisë, zhvillimi dhe përparimi i çdo individi dhe i mbarë vendit në fushën e ndjenjave të tilla, si: dashuria, respekti, altruizmi, vetëmohimi për të tjerët, sakrifikimi i të mirave materiale dhe shpirtërore dhe dëshira për mirëqenien e të tjerëve, mbajtja dhe ruajtja e baraspeshës ndërmjet kësaj bote dhe tjetrës, rregullimi dhe organizimi i politikës vendase dhe asaj ndërkombëtare, ndjekja me hollësi e çështjeve dhe përgatitja, nëse është e nevojshme, e të gjitha rezervave për t’i bërë ballë gjithë botës duke përfshirë përgatitjen dhe modernizimin e ekipeve të veçanta për ndeshjen në beteja psikologjike. Të gjitha këto përbëjnë aspekte njerëzore ku e kanë vënë theksin gjithmonë udhëheqës, administratorë, opinionistë dhe filozofë të mëdhenj. Nën udhëheqjen e ligjit dhe përfaqësimit, Profeti i Nderuar i Islamit u përpoq gjithmonë për këto qëllime duke bashkuar jetët, kulturat, veprimet, punët dhe marrëdhëniet e njerëzve me njëra-tjetrën rreth këtyre parimeve, në këtë mënyrë ai qe i aftë t’i bashkonte ndjenjat, idetë, mendjet, logjikën, perceptimet dhe zemrat e tyre.
* * *
Konsultimi, brenda kufijve të vet të tolerancës, sjell disa efekte dhe ndjek gjithashtu disa rregulla të cilat shpien në rezultate pozitive. Në këtë kuptim ne mund të përmendim një rritje të nivelit të të menduarit dhe të ndërhyrjes në shoqëri, risjelljen ndërmend të rëndësisë së tij duke marrë në konsideratë pikëpamjet në të gjitha ngjarjet e reja, duke ndikuar në lindjen e ideve alternative, mbajtjen e konsultimit si një parim aktiv për sa i përket çështjes të së ardhmes së Islamit, vlerësimit në çdo rast të shumicës së individëve për t’iu bashkuar administratës në një nivel të caktuar, sigurimi i kontrollit publik të administratës në mënyrë që njerëzit të jenë të ndërgjegjshëm për nevojën e pyetjes dhe marrjes në llogari të administratorëve sa herë që e kërkon situata, si dhe parandalimi i veprimeve të papërgjegjshme të udhëheqësve nëpërmjet kufizimit të pushtetit të tyre ekzekutiv.
Siç e theksuam më lart, falë kësaj rëndësie jetike të konsultimit, Allahu u drejtohet sahabeve të Profetit Muhamed, ﷺ, si njerëzit “të cilët i kryejnë punët e tyre me anë të konsultimit” (Shura: 38). Gjithashtu është jashtëzakonisht i rëndësishëm fakti kur, aty nga fundi i luftës së Uhudit, në momentin më të dhimbshëm, Zoti e urdhëron edhe një herë profetin “të konsultohet me ta në çështje të ndryshme” (Ali Imran: 159) me sahabet, të cilët kishin sjellë pasoja kaq dramatike dhe momente kaq të dhimbshme.
Të dy ajetet e shpallura, të cilat kanë të bëjnë me parimin e konsultimit, janë jashtëzakonisht fleksibël dhe të ndjeshme ndaj nevojave të çdo epoke. Ato kanë një gjerësi që tejkalon çdo epokë, prandaj nuk ka rëndësi, nëse bota ndryshon dhe koha ecën, edhe nëse njerëzit do të jenë në gjendje të ndërtojnë qytete në qiell, ata nuk do ta ndjejnë nevojën për t’i shtuar ndonjë gjë të re këtyre urdhrave (dy ajeteve të lartpërmendura). Në fakt, të gjitha rregullat dhe parimet e tjera të Islamit janë të hapura ndaj këtij lloj fleksibiliteti dhe universaliteti dhe kanë ruajtur gjithmonë dhe do të vazhdojnë të ruajnë edhe në të ardhmen freskinë, rëndësinë dhe vlefshmërinë e tyre, pavarësisht kohës që kalon.
Do të ishte e nevojshme të bënim një përmbledhje të aspekteve që formojnë bazat e konsultimit.
1. Konsultimi është një e drejtë, si e qeverisësve, ashtu dhe e të qeverisurve, dhe në ushtrimin e kësaj të drejte, askush nuk ka preferencë, përparësi, apo superioritet mbi të tjerët. Në ajetin “Ata të cilët i kryejnë punët duke u konsultuar ndërmjet tyre” (Shura 42:38), Kurani e bën të qartë se të dy palët, si qeverisësit, ashtu dhe të qeverisurit, gëzojnë të njëjtin status: në të gjitha situatat që kanë lidhje me myslimanët, si për sa i përket anës individuale, ashtu dhe asaj kolektive, të drejtat e qeverisësve dhe të qeverisurve pranohen si të barabarta. Megjithatë, e drejta e konsultimit mund të ndryshojë sipas vendit, kohës dhe kushteve duke bërë që të ndryshojë edhe mënyra e kryerjes së këtij konsultimi.
2. Si rrjedhojë e ajetit “Konsultohu me ta në çështje të ndryshme!” (Ali Imran 3:159), është e detyrueshme që qeveritari, apo administratori, ta sjellë çështjen që ka nevojë për konsultim në vëmendjen e njerëzve me gjykim të shëndoshë, përndryshe ai do të mbajë përgjegjësi. Madje, edhe nëse të qeverisurit nuk i shprehin pikëpamjet e tyre kur u kërkohet diçka e tillë, atëherë ata konsiderohen njëlloj përgjegjës. Dhe kjo jo vetëm kur ata nuk kanë shprehur pikëpamjet e tyre, por edhe kur nuk tregohen këmbëngulës që t’u dëgjohet opinioni i tyre, konsiderohen si njerëz të cilën nuk e kanë përmbushur detyrën e qytetarit.
3. Kryerja e konsultimit për të fituar kënaqësinë e Zotit dhe për përfitimin e myslimanëve, duke mos lejuar që këshilli konsultativ të preket, apo të shmanget për shkak të ryshfeteve, kërcënimeve, apo presionit, përbën një aspekt thelbësor. I Dërguari i Zotit ka thënë: “Një njeri që konsultohet është një njeri me besim, ai që konsultohet rreth një çështjeje, duhet t’i shprehë pikëpamjet sikur të ishte duke vendosur për veten e tij.”
4. Mund të mos ketë gjithmonë unanimitet (ixhma) në konsultim. Megjithatë, në rastet kur nuk ka ndonjë konkurrencë të përgjithshme dhe kur konsensusi i opinionit dhe i mendimeve të parashtruara nga pjesëmarrësit është pak a shumë i gjerë, vendimi merret dhe njerëzit pajtohen sipas opinionit dhe bindjes së shumicës. Sipas të Dërguarit të Allahut, ﷺ, shumica konsiderohet se përfaqëson konsensus të plotë:
“Dora (ndihma) e Zotit është me shumicën.” [6]
“Umeti im nuk bashkohet në rrugë të gabuar (dalalet).” [7]
“Unë iu luta Zotit të mos e lërë popullin tim të bashkohet në humbje dhe Ai e pranoi lutjen time.” [8]
Në këto hadithe na bëhet e qartë se pikëpamjet e shumicës janë të fuqishme po aq sa unanimiteti dhe se ne duhet të zbatojmë dhe t’i bindemi vendimit të shumicës. Ne mund të përmendim shumë shembuj nga jeta e profetit, prandaj shkurtimisht mund të themi se konsultimet, qoftë në fillim, apo dhe në fund të luftës së Bedrit dhe Uhudit, qenë bërë në këtë mënyrë.
5. Kur arrihet në një përfundim me unanimitet, apo me anë të mendimit të shumicës, për sa kohë që konsultimi të jetë kryer sipas rregullave të lartpërmendura, në përputhje me parimet e konsultimit, nuk është e lejueshme të ketë mospërputhje, apo kundërshtime të vendimeve që janë marrë dhe të propozohen ide alternative. Të vazhdosh të shprehësh mendime kundërshtuese ndaj vendimeve të vendosura me fjalë të tilla, si: “Por unë sugjerova një pikëpamje të ndryshme dhe më të goditur”, apo “Unë bëra një vërejtje që kundërshton vendimin që është marrë”, është një veprim që të çon vetëm në humbje dhe nuk është më pak sesa mëkat. I Dërguari i Allahut, ﷺ, shkoi në Uhud në pajtim të plotë me pikëpamjet e shumicës, megjithëse kjo ishte kundër gjykimit (ixhtihadit) të tij. Pas betejës, ai nuk foli dhe nuk bëri asnjë vërejtje në lidhje me pikëpamjet e shumicës, shkaqeve dhe pasojave që sollën ato, pavarësisht se këto pikëpamje kishin qenë të gabuara. Për më tepër, Kurani tregon se dhel’le (rrëshqitja) e mukarrabinëve (njerëzve të afërt), e cila ndodhi gjatë përgatitjes së luftës së Uhudit mund edhe të hetohej.
6. Konsultimi ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ekzistuese. Ai nuk kryhet për të marrë vendime të hamendësuara që kanë lidhje me ngjarje hipotetike. Në çdo rast, jeta islame vazhdon nën dritën e urdhrave hyjnorë. Ngjarjet të cilat ndodhin jashtë kësaj kornize si dhe planet, apo projektet të cilat duhet të realizohen plotësisht, duke marrë parasysh veçantitë e tyre, duhet zgjidhur brenda vetvetes, në përputhje me mënyrën e tyre të parashtrimit.
7. Këshilli konsultativ thirret kur lind nevoja dhe vazhdon të veprojë derisa problemet të kenë marrë zgjidhje dhe planet e projektet të jenë finalizuar. Meqenëse nuk ekziston ndonjë urdhëresë hyjnore që flet për mbajtjen e kongreseve të tilla, sipas intervaleve të rregullta, atëherë nuk ekziston as ndonjë udhëzim se një konventë e tillë duhet të përbëhet prej individëve të punësuar, apo të paguar. Praktika e Profetit dhe katër Halifeve të parë, përbën parametrin e vlerësimit në këtë aspekt, ne nuk duhet të marrim parasysh përvojën e periudhave të mëvonshme. Është fakt që kryerja e konsultimit nëpërmjet njerëzve të paguar, apo zyrtarëve mbart në vetvete shumë probleme dhe ndërlikime.
* * *
Tani është e nevojshme të trajtojmë çështjen e njerëzve me të cilët duhet të konsultohemi. Meqenëse është e pamundur t’i mbledhim të gjithë njerëzit në një vend të caktuar dhe ta kryejmë konsultimin në këtë mënyrë, atëherë ai duhet bërë me anë të një kuadri njerëzish të kufizuar në numër. Për më tepër, meqenëse çështjet e paraqitura për diskutim mund të kërkojnë një shkallë të lartë dijeje, përvoje dhe ekspertize, këshilli konsultativ duhet të përbëhet prej individësh të dalluar për këto cilësi. Ky këshill mund të përbëhet vetëm prej individëve të rangut të lartë, të aftë që të zgjidhin shumë probleme. Veçanërisht në ditët e sotme, kur jeta është më e ndërlikuar dhe e koklavitur, kur bota është globalizuar dhe kur çdo problem është shndërruar në problem planetar gjithëpërfshirës, është e domosdoshme që këta njerëz kompetentë në shkencat natyrore, inxhinieri dhe teknologji, të cilët, në shumicën e rasteve, konsiderohen nga myslimanët si të mirë dhe të përshtatshëm, duhet të marrin pjesë përkrah këtyre njerëzve të rangut të lartë të cilët njohin thelbin, realitetin, shpirtin islam, si dhe shkencat e ndryshme. Konsultimi mund të kryhet me anë të njerëzve të kualifikuar nga fusha të ndryshme të shkencës, dijes dhe sferave të tjera. Për vendimet e marra, ata mbikëqyren nga autoritetet fetare, të cilët verifikojnë pajtimin dhe përputhjen e tyre me Islamin. Meqenëse konsultimi i lihet këtij këshilli, parashtrimi i rrugëve për kryerjen e tij në përputhje me kohën, rrethanat dhe shtetin, është gjithashtu pjesë e këtij objektivi. Përgjatë gjithë historisë mund të vërehen ndryshime në kryerjen dhe zbatimin e konsultimit për shkak të epokave dhe rrethanave të ndryshme në të cilat ai është kryer. Nganjëherë, në qarqe, apo grupe të vogla dhe nganjëherë në qarqe, apo grupe të mëdha, herë vetëm mes civilëve dhe herë duke hapur rrugët e tij drejt shkencës dhe ushtrisë, koncepti i konsultimit ka pësuar ndryshime dhe diferenca të konsiderueshme. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur për arsye se ka ndryshuar ligji, por për shkak të fleksibilitetit dhe universalitetit të konsultimit dhe mënyrës së praktikimit të tij në çdo epokë.
Në përputhje me rrethanat dhe kohën, ndërtimi dhe udhëheqja e këshillit konsultativ mund të ndryshojë, por kualifikimi dhe cilësitë e këtyre njerëzve si njerëz të dijes, drejtësisë, edukimit dhe përvojës shoqërore, mençurisë dhe urtësisë, nuk duhet të ndryshojnë kurrë. Drejtësia nënkupton plotësimin e të gjitha kërkesave të detyrueshme duke shmangur atë çfarë është e ndaluar dhe duke mos bërë asnjë veprim që bie në kundërshtim me vlerat njerëzore. Dija përfshin ekspertizën fetare, administrative, politike dhe shkencore. Nuk është e domosdoshme që secili individ të jetë ekspert në të gjitha fushat e shkencës. Megjithatë, këshilli dhe mendja kolektive duhet të jetë e mprehtë ndaj ekspertizës së lartpërmendur. Kur sjelljet e mira, përvoja dhe edukimi shoqëror qëndrojnë në thelb të çështjes, bëhet e mundur marrja e vendimeve falë pikëpamjeve dhe këndvështrimeve të njerëzve me eksperiencë, edhe nëse ata nuk janë pjesë e komunitetit shkencor. Mençuria përfshin dijen, butësinë e reagimit, në njëfarë mënyre thelbin e profecisë, si dhe perceptimin e asaj çfarë qëndron prapa realitetit të fshehur të fenomeneve natyrore. Kjo është një dije e cila i lejon njerëzit të arsyetojnë nën dritën e urtësisë dhe të intuitës dhe të kuptojnë atë që ka lidhje me njerëzit e zakonshëm, duke shkrirë për ta gjithë talentin, aftësinë dhe inteligjencën që lypet për zgjidhjen e problemeve, qofshin individuale, qofshin kolektive, apo shoqërore. Mençuria është një virtyt me vlera shumë të larta, por që posedohet nga shumë pak njerëz.
* * *
Rëndësia që i Dërguari i Zotit, ﷺ, i ka kushtuar konsultimit, si dhe respekti i tij për opinionin e pleqve, të rinjve dhe njerëzve me pozita të ndryshme shoqërore, kërkon një trajtim të plotë dhe të veçantë. Megjithatë duke mos iu larguar qëllimit të këtij libri, ne do të ndalemi në disa shembuj. Ai gjithmonë konsultohej dhe merrte parasysh pikëpamjet e të tjerëve, duke i vlerësuar ato seriozisht dhe duke u përpjekur që t’i vendosë të gjitha planet dhe projektet alternative mbi baza të shëndosha. Ai e provoi me fakte sesa lart e çmonte konsultimin, herë duke ua shprehur opinionin e tij individëve me gjykim dhe arsye të shëndoshë, veç e veç, e herë duke i mbledhur këta njerëz të gjithë bashkë dhe duke e bazuar më pas vendimin mbi gjykimin kolektiv:
1. Në rastin e shpifjes ndaj gruas së tij, Aishes (r.a), i Dërguari i Zotit u konsultua me disa prej sahabeve të tij, përkatësisht me Aliun, Omerin, Zejneb binti Xhahsh dhe Beriren. Aliu shprehu mendimin se i Dërguari i Allahut duhet t’i injorojë shqetësimet e tij dhe të mos i marrë në konsideratë shpifjet e pabaza. Omeri, Zejnebi, Berire dhe shumë njerëz të tjerë me vlera të larta thanë se ata besonin se Aishja ishte e pastër dhe e dëlirë prej këtyre përgojimeve. Megjithëse zinxhiri i transmetuesve nuk konsiderohet i fortë, flitet për një bisedë ndërmjet Omerit dhe të Dërguarit të Allahut, ku ky i fundit kërkoi opinionin e Omerit në lidhje me ngjarjen. Omeri i tha: “Një ditë, kur ishe duke u larguar nga xhamia, ti i hoqe shapkat dhe i vendose mënjanë. Kur ne të pyetëm arsyen e këtij veprimi, ti the se diçka e papastër i kishte ndotur këto shapka dhe se kryeengjëlli Xhebrail erdhi dhe të informoi duke të kërkuar që t’i heqësh shapkat. Tani, nëse diçka do të kishte ndodhur duke njollosur emrin e mirë të gruas tënde, a mendon se Zoti nuk do të të kishte informuar ty për këtë?” Edhe pse autenticiteti i kësaj bisede nuk është shumë i konsiderueshëm sipas kritereve të hadithit, s’mund të thuhet asgjë mbi mesazhin e saj.
2. Përpara daljes në shesh për në luftën e Bedrit, i Dërguari i Allahut, ﷺ, u konsultua me muhaxhirët (emigrantët) dhe ensarët (vendasit). Mikdadi, nga ana e muhaxhirëve dhe Sad ibn Muadhi, nga ana e ensarëve shprehën pikëpamje të njëjta, të mbushura me besim, bindje dhe entuziazëm, me anë të të cilave miratohej, konfirmohej dhe mbështetej pikëpamja e të Dërguarit të Allahut, duke ndikuar në bindjen e fiseve dhe bashkësive të tyre që ishin prezentë atje se ata duhej t’i bindeshin vendimit të marrë. Që nga ai rast e më tutje, mund të vërehet se Profeti gjithmonë ka marrë vendime të tilla jetësore të zbatuara nga krejt bashkësia, në unanimitet të plotë, duke vijuar ecjen drejt objektivit, i mbështetur nga i gjithë opinioni publik rreth tij.
3. Përsëri, gjatë përgatitjes së luftës së Bedrit, Pejgamberi, ﷺ, mori këshilla prej sahabeve si Hubab ibn Mundhir në lidhje me pozicionet dhe fushën e betejës në të cilën ushtria islame duhej të vendosej dhe mori vendime, si dhe përdori strategji në një linjë me këto sugjerime. Myslimanët në atë rast thyen një ushtri tri herë më të madhe se e tyrja dhe u rikthyen në Medinë duke kënduar këngë fitoreje.
4. Gjatë betejës së Hendekut, ai me qëllim i kushtoi vëmendje dhe mori parasysh sugjerimet e Selman Farisiut, i cili thoshte se myslimanët duhej të gërmonin një hendek, rreth e rrotull vendeve ku armiqtë po përgatiteshin dhe po përpiqeshin të depërtonin për në Medinë. Ky përbën një shembull tjetër se i Dërguari i Allahut i ka kushtuar rëndësi të madhe konsultimit.
5. Gjatë negociatave të Traktatit të Paqes së Hudejbijes, i Dërguari i Allahut u konsultua përsëri me sahabet e tij. Pasi mori opinionet e gjithë myslimanëve, ai u konsultua edhe me gruan e tij, nënën tonë Umu Selemen, duke mos lënë pas dore, apo duke mos i injoruar opinionet e saj, duke ndarë kështu pikëpamjet dhe tendencat personale me sahabet, e më pas vendosi të veprojë në një mënyrë dhe me një strategji e cila potencialisht e ktheu një disfatë dhe dështim të plotë në një fitore të pastër dhe u kthye në Medinë pasi kishte shpëtuar jetën dhe shpirtrat e shumë besimtarëve.
Kur ne hulumtojnë hollësisht jetën e të Dërguarit të Allahut, ﷺ, mund të vërejmë se çdo çështje, punë, apo problem për të cilin nuk ishte dërguar ndonjë shpallje hyjnore, ajo është kryer me anë të konsultimit, është paraqitur dhe adoptuar nga ndërgjegjja kolektive dhe më pas, vendimi është vënë në praktikë dhe është ekzekutuar. Prandaj, këshilli i konsultimit, të cilin ne e vërejmë edhe në shtete të ndryshme islame përgjatë historisë, nuk është asgjë më shumë, apo më pak sesa një vazhdimësi e thjeshtë e konsultimeve të para dhe e këshillit që ekzistonte në modelin e Profetit ﷺ.
————————————
[1] Kurtubi, el Xhemiu li Ahkam’il Kuran, 4/251
[2] Kurtubi, el Xhemiu li Ahkam’il Kuran, 4/251
[3] Kurtubi, el Xhemiu li Ahkam’il Kuran, 4/251
[4] Ebu Davudi, Edeb, 114; Timidhiu, Zuhd, 39; Edeb,57; Ibni Maxhe, Edeb,37
[5] Kurtubi, el Xhemiu li Ahkam’il Kuran, 16/36
[8] Musned, 6/396