Pyetja:

Ç’janë telepatia dhe ëndrrat?

***

Përgjigjja:

Ne lidhje me temat që përmendët mund të themi shkurtimisht se:
Telepatia sipas fjalorit të gjuhës shqipe është një “pikëpamje e pambështetur shkencëtarisht, sipas së cilës mund të kuptosh mendimet dhe ndjenjat e dikujt tjetër në largësi, pa u takuar dhe pa u parë me të; mundësia për një gjë të tillë, sipas kësaj pikëpamjeje.”
Sipas këtij kuptimi, telepatia është diçka që nuk ekziston, është jashtë natyrës njerëzore, madje jashtë natyrës se çdo krijese tjetër (engjëjve dhe xhinëve, edhe kafshëve sigurisht), sepse diçka e tillë do të ishte shkelje e privatësisë së tjetrit, dmth., padrejtesi, dhe Zoti nuk ua ka lejuar këtë gjë krijesave të Tij, kurse Vetë Ai di gjithçka në lidhje me krijesat e Tij, dhe mendimet e tyre, padyshim. Por ekzistojnë disa gjëra të tjera të mbinatyrshme të cilat mund të ndodhin në duart e disa njerëzve, të cilët janë dy llojesh: lloji i parë: disa njerëz të devotshëm ndaj Zotit, që janë larg mëkateve dhe që Zoti ua jep disa dhunti në raste të posaçme, kur u nevojitet për të provuar diçka kundër të keqes. Mund të quhej një dhunti e Zotit për këta njerëz, në disa raste dhe jo vazhdimisht, që mund të krahasohen me mrekullitë që Zoti u jepte profetëve për të vërtetuar profetesinë e tyre, por e këtyre nuk quhet mrekulli, por dhunti nga Zoti. Kurse grupi i dytë, janë disa njerëz të cilët ndjekin rrugën e djallit, veprojnë me magji dhe me xhind (djaj), duke i urdhëruar djajt me të cilët bashkëpunojnë që t’u tregojnë gjëra që gjenden në anën tjetër të botës për shembull, duke qenë se djajt kanë veti te tilla që fluturojnë me shpejtësi të madhe, cilësi tek të cilët i ka krijuar Zoti, ashtu si ka krijuar edhe zogjtë që të fluturojnë, apo engjëjt që të fluturojnë ndër qiej. Këta persona në të vërtetë nuk kanë dhunti, por njoftohen nëpërmjet djajve arrogante dhe të dalë nga rruga e Zotit, me qëllim që të largojnë edhe njerëzit nga rruga e Zotit. Pra, mund të themi se këta janë sprovë për njerëzit, se cili do të ndjekë rrugën e Zotit dhe paralajmerimet e Tij me anë të pejgamberëve, dhe se cili do të ndjekë rrugën e djallit, e cila është mashtruese dhe ndoshta me efekte të shpejta që i mashtrojnë njerëzit në çast, por me përfundime të mjeruara. Prej këtu, Zoti e ka ndaluar magjinë dhe për magjistarët ka vendosur ligj që të vriten, për shkak të ngatërresave, teë këqiave që u sjellin shoqërisë dhe shkatërrimit që bëjnë në tokë.

Kjo temë ka lidhje edhe me letrat dhe horoskopin, apo me parashikimin e fatit në përgjithësi. Nëse është kuptuar pika e mësipërme, do të kuptohej lehtë që edhe parashikimi i fatit me çdo lloj mënyrë që të bëhet, është nga rrugët e djallit për të mashtruar njeriun, për ta bërë atë që të mohojë Zotin dhe caktimin e Tij, për ta mërzitur njeriun dhe për ta sëmurë atë, duke e futur në qorrsokake, në ankthe, në stres, e në sëmundje të ndryshme që mund të vijnë si rezultat i kësaj. Sepse kur njeriu për shembull, sheh fatin e tij (që është mashtrim në të vërtetë), dhe i del se ka për t’i ardhur një fatkeqësi, ai fillon të bëhet keq që në atë çast dhe në vazhdim, ndërkohë që asgjë e tillë nuk ka pasur për t’i ndodhur nëse ai nuk do ta shihte fatin, dhe pastaj vërtet sëmuret dhe kjo është fatkeqësi. A mund të thuhet atëherë se falli që hodhi ai, e gjeti se do t’i ndodhte fatkeqësi?! Ky është vetëm një shembull, për të treguar të këqiat psikike që sjell parashikimi i fatit, pa u futur në vërtetësinë apo jo të tij.
Besimtarët qe e besojnë Zotin, besojnë gjithashtu se Zoti di gjithçka dhe se askush tjetër që gjendet në qiej e në tokë nuk e di të fshehtën dhe as se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt dhe të largët, përveç Zotit. Askush nuk e di të fshehtën dhe askush nuk e di se ku dhe kur do të vdesë dikush. Këto janë të fshehta që Zoti nuk ja tregon kujt, përveç engjëjve të Tij në kohën kur ato do të ndodhin, dhe kur engjëjt e zbatojnë atë urdhër të caktuar të Zotit.
Pra, parashikimi i fatit me çdo lloj mënyre apo rrugë që të jetë, qoftë me anë të letrave, filxhanit, horoskopit, etj., është një genjeshtër dhe mashtrim për njerëzit, edhe pse natyra njerëzore anon nga njohja e të ardhmes me pafajësinë dhe injorancën e saj, dhe kërkon ta dije se çdo t’i ndodhë në të ardhmen, por Zoti me Urtësinë e Tij e ka ruajtur të fshehtë këtë gjë nga njerëzit, përndryshe jeta në këtë botë nuk do të kishte kuptim. Sikur njeriu ta dijë se çdo t’i ndodhë nesër, do ta vriste veten që sot, sepse gjithnjë njeriu kalon peripeci dhe sprova të ndryshme në jetë, sepse në fakt ai nuk është krijuar me kot, por për të adhuruar Krijuesin e Tij dhe për të kaluar sprovat e Tij në këtë botë, dhe pas kalimit të tyre, do të fitojë shpërblimin e Zotit, parajsën, në të cilën ka gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja nuk i ka imagjinuar kurrë.

Tani kalojmë te ëndrrat, të cilat kanë gjithashtu një lidhje me parashikimin e fatit, apo me njohjen e diçkaje nga e ardhmja.

Së pari duhet ta dini se ëndrrat ndahen në tre lloje:

1. Ëndrra që shihen si rezultat i preokupimit të njeriut me diçka gjatë ditës, apo për shkak të shqetësimeve dhe gjendjes së tij aktuale. Në këtë rast, njeriu sheh në ëndërr ato që i kanë zënë mendimin dhe që e shqetësojnë. Këto nuk kanë ndonjë domethënie për të ardhmen, por mjekët e vjetër ndihmoheshin me këto endrra për të diagnozuar sëmundjen e pacientëve të tyre.

2. Ëndrra që shihen si rezultat i ngacmimit nga djalli apo xhinët. Këto janë ëndrrat e frikshme që e trembin njeriun, dhe ato gjithashtu nuk mbartin ndonjë lajm për të ardhmen. Kur shohim këto lloj ëndrrash, profeti ynë, Muhamedi ﷺ, na ka mësuar që t’i kërkojmë mbrojtje Zotit nga djalli dhe pastaj të nderrojmë krahun nga ishim shtrirë.

3. Ëndrra të cilat mbartin lajme për të ardhmen, se çfarë do t’i ndodhë personit që i sheh apo dikujt tjetër me të cilin mund të ketë lidhje ëndrra. Këto janë ëndrrat e tjera që nuk kanë të bëjnë me dy llojet e mëparshme, dhe këto janë paralajmërime nga Zoti për njeriun. Problemi me këto ëndrra qëndron në komentimin dhe interpretimin e tyre, i cili duhet bërë nga njerëz që kanë njohuri në këtë fushë, dmth., që e kanë mësuar nga shpalljet e Zotit, duke i kuptuar ato në mënyrë të saktë, sipas shenjave të caktuara. Këtu ka të bëjë gjithashtu dhuntija që Zoti i jep dikujt për të kuptuar domethënien e ëndrrave, siç ka qenë për shembull profeti Jusuf, biri i Jakubit, që komentoi ëndrren e Faraonit. Por në çdo rast, në lidhje me komentimin e ëndrrave, duhet pasur kujdes që interpretimi i tyre të bëhet vetëm në mënyrë pozitive dhe sipas kuptimit më të mirë që mund të kenë ato, sepse kështu na ka mësuar i Dërguari i Zotit, ﷺ, dhe kjo është më e mira për njeriun dhe shëndetin e tij shpirtëror, psikologjik dhe fizik gjithashtu. Madje Pejgamberi ﷺ, ka thënë se ëndrrat dalin ashtu si i interpreton, kështu që kurrë mos i interpretoni keq ëndrrat, por vetëm mirë, sepse në çdo rast ne nuk e dimë të fshehtën dhe se çfarë do të ndodhë me ne, si dhe kemi në dorë që t’i lutemi Zotit të na ruajë nga e keqja dhe të na jap të mirën, dhe patjetër që Zoti i përgjigjet lutjes sonë. Nuk ka më mirë se sa njeriu të jetojë me besimin te Zoti dhe duke ndjekur udhëzimet e Tij. Kështu ai është i qetë nga të gjitha anët, i pret me qetësi të gjitha peripecitë që mund t’i vijnë në jetë dhe jeton i lumtur. Zoti na dhuroftë lumturi në këtë botë kalimtare dhe në botën e përjetshme!

Alaudin Abazi