Pyetja:

Dua të di rreth Novruzit, sepse më urojnë njerëzit dhe nga njëra anë nuk dua të dukem e paedukatë e mos t’ua kthej, por nga ana tjetër më vret ndërgjegjia t’i lë ata pa u përpjekur për shpëtimin e tyre nga një gjendje të cilës i kam takuar edhe unë dikur,- Allahu më faltë!- kur si familje kemi pasur një teqe ku shkoja edhe unë, derisa falë të Madhërishmit Allah, arrita të kuptoj gjynahin dhe paditurinë. Tani që informacioni rrjedh shpejt, do doja shumë t’u jap dhe të tjerëve një mundësi, sepse e kam vërtet shqetësim.

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Fjala “Novruz”, është një fjalë perse, kuptimi i së cilës është “nou = e re” dhe ruz = ditë” dhe përbën ditën e parë të vitit diellor persian, që përkon me datën 21 mars. Kjo ditë konsiderohet prej festave më të mëdha dhe më të shquara të persëve dhe ka një kohëzgjatje gjashtëditore.

Kur Profeti ﷺ shkoi në Medine, i gjeti ensarët (muslimanët prej banorëve të Medines) të luanin e gëzonin dy ditë në vit dhe i pyeti: “Çfarë janë këto dy ditë?” I thanë: “Kështu luanim këto ditë gjatë xhahilijetit (kohës së injorancës para Islamit).” Atëherë Profeti ﷺ u tha: “Në të vërtetë, Allahu jua ka zëvendësuar ato ditë me ditë më të mira: ditën e (Bajramit të) Kurbanit dhe ditën e (Bajramit të) Fitrit.

Shpjeguesit e hadithit, janë të mendimit se dy ditët e përmendura në transmetimin e mësipërm janë pikërisht dita e Novruzit dhe ajo e Mahraxhanit.

Për të sqaruar se festat janë ceremoni (rituale) fetare, Profeti ﷺ ka thënë: “Vërtet, çdo popull (bashkësi) ka festën e tij dhe kjo (festa e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit) është festa jonë.

Së këtejmi, nuk ka dyshim se të festuarit e Novruzit nuk i lejohet muslimanit, duke qenë se ky festim jo vetëm që hyn tek festat e trilluara, por për më tepër është në origjinë festë e jobesimtarëve.

Disa historianë muslimanë i argumentojnë mbetjet e kësaj feste tek muslimanët në padijeni, me faktin se kur territoret perse hyn në Islam, disa prej persëve qëndruan në besimin e tyre idhujtar mexhusi (zjarrputist), kështu që ritet e këtyre dy festave të tyre kaluan tek muslimanët e paditur. Duke qenë se shumica e muslimanëve të ish-territoreve perse dhe atyre përreth, ishin të medh’hebit hanefi, gjejmë që në këtë çështje të spikat qëndrimi i rreptë i juristëve hanefi, të cilët i mëshuan më shumë se të gjithë të tjerët ndalimit të ceremonive të këtyre dy festave persiane, ritualeve të tyre dhe dhurimit që bëhet në to.

Ebu Hafs El-Kebir El-Hanefi ka thënë: “Kush i dhuron një vezë në Novruz një idhujtari, si madhërim për këtë ditë, ka rënë faktikisht në mosbesim ndaj Allahut të Lartësuar dhe puna e të këtillit ka dështuar.”

Muslimani duhet që në këtë ditë të mos bëj asgjë të veçantë që s’e ka bërë para ose pas saj, sa i përket traditës festive, shitblerjes, gatimit, dhuratave etj. dhe kjo vlen sidomos kur këto gjëra bëhen në madhërim të kësaj dite apo më keq akoma me pretendimin e pavend për të fituar shpërblimin a bereqetin e Zotit.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi