IMANI-BESIMI

Imani është besim i paluhatshëm dhe pranim i gjithë atyre gjërave të cilat Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë urdhëruar të besojmë, si dhe nënshtrim ndaj ligjit të Allahut në aspektet e tij të dukshme dhe në të fshehurat.
Ai është vërtetim dhe besim i zemrës, që përmban veprat e zemrës dhe veprat e trupit, e kjo në të vërtetë përfshin kryerjen e të gjitha veprave fetare.
Për këtë arsye, selefi-gjeneratat e para të muslimanëve, e kanë përkufizuar imanin si:
bindje me zemër, shqiptim me gjuhë, dhe vepra të gjymtyrëve!

Si rrjedhojë e imanit, Allahu na mundëson hyrjen në Xhennet dhe shpëtimin nga Xhehennemi.

Rezultatet e imanit janë:
Kënaqësia e Zotit, shpëtimi dhe lumturia.

Këto nuk arrihen ndryshe, veçse nëse imani përmban ato që i përmendëm më sipër:
besimin, veprat e zemrës dhe veprat e gjymtyrëve, ngase mungesa e njërës nga këto tri elemente, shkakton mangësi në iman, njeriu nuk shpërblehet për të dhe ai bëhet shkak i dënimit, varësisht nga ajo se sa është i mangët imani.

Allahu i Madhërishëm na ka treguar se gradat më të larta në këtë botë dhe në botën tjetër arrihen me besim-iman, Allahu i Lartësuar, thotë: “E ata që besuan në Allahun dhe në të dërguarit e Tij janë të sinqertit (siddikun).”      (El Hadid, 19.)

Hoxhë Irfan Salihu