Pyetje:
Çka e këshilloni një vëlla që ka nevojë të madhe për martesë për ta plotësuar imanin, por që nuk i ka mundësitë të martohet? Allahu ju shpërbleftë.

Përgjigje:

Së pari, lus Allahun e Madhërishëm që t’i martojë të gjithë të rinjtë myslimanë, e veçanërisht ata që kanë nevojë për martesë. Allahu ua lehtësoftë martesën dhe i furnizoftë me gra të devotshme. Amin.

Së dyti, çdo vëlla që ka nevojë të martohet dhe nuk ka mundësi, Allahu thotë në Suren En-Nur:
(Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntinë e Tij.) [Ajeti 33].

Po ashtu, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“O ju të rinj! Nëse keni mundësi ekonomike, martohuni, pasi martesa ju mbron nga imoraliteti dhe ju largon nga haramet. Nëse nuk keni mundësi, atëherë agjëroni.” (Buhariu).

Dua që me vëmendje të madhe të shikosh pjesën e hadithit:
Nëse nuk keni mundësi, atëherë AGJËRONI.”

Agjërimi është një ndër bazat kryesore që të ndihmon për përmbajtjen e vetes, po ashtu edhe ulja e shikimit, etj.

Gjithashtu, duhet që vëllezërit myslimanë, ata që kanë mundësi financiare, të ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat për mundësinë e martesës dhe plotësimin e kushteve të saj, që të plotësojnë imanin e tyre, sidomos në këtë kohë të fitneve të shumta.

Allahu e di më së miri. Allahu ju ruajt.

| Hoxhë Llokman Arifi |