Dallimi ndërmjet termit resul dhe nebij

  1. I nderuar hoxhë! Ku qëndron dallimi ndërmjet termit resul dhe nebij?

Përgjigjja: Dijetarët kanë dhënë përkufizime të shumta rreth dallimit ndërmjet termit resul dhe nebij, mirëpo ne mendojmë se përkufizimi më i kompletuar është ky:

Resul është ai i cili është dërguar me shpallje të re (legjislacion të ri) tek populli jobesimtar që ka kundërshtuar shpalljen.

Nebij është ai i cili është dërguar tek populli besimtar që beson në sheriatin-legjislacionin e Pejgamberit (Resulit) para tij dhe detyra e tij është që t’i mësojë ata dhe të gjykojë në mes tyre me sheriatin–legjislacionin e mëparshëm”. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne e zbritëm Tevratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita. Sipas tij gjykuan ndaj atyre që ishin jehudi, Pejgamberët që ishin të bindur, gjykuan edhe dijetarët e devotshëm e paria fetare, ngase ishin të obliguar ta ruanin librin e Allahut dhe ishin mbrojtës të tij. Prandaj, mos u frikësoni nga njerëzit, vetëm Mua të më frikësoheni dhe mos i ndërroni argumentet e Mia për pak send. E kush nuk gjykon me atë që e zbriti Allahu, ata janë mohues.” (Maide: 44)

Tevrati i ka zbritur Musait alejhi selam, prandaj ai ishte Resul, ndërsa Haruni alejhi selam ishte Nebij, nuk i kishte zbritur legjislaturë e re, por gjykonte me sheriatin e Musait alejhi selam.

Pejgamberi Zekerija me të birin e tij Jahjan ishin Enbija (shumësi i Nebij), sepse nuk iu zbrit legjislacion i ri, por vazhdonin të punonin me sheriatin e Musait alejhi selam dhe kështu me radhë.

Allahu e di më së miri.