Depërtimi i ujit në lukth pa dashje gjatë agjërimit

96. I nderuar hoxhë! Nëse gjatë marrjes së abdestit na depërton ujë në lukth pa dashje, a prishet agjërimi?

Përgjigjja: Nëse gjatë marrjes së abdestit nga pakujdesia depërton ujë brenda në organizëm, qoftë nga goja qoftë nga hunda, agjërimi prishet ngase uji ka depërtuar brenda në organizëm ndonëse ai është i vetëdijshëm se është agjërueshëm. Pastaj ai nuk është ruajtur, nuk ka pasur kujdes gjatë marrjes abdest. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] e ka porositur shokun e tij Lekit bin Saburete që të ketë kujdes kur e fut ujin në gojë e në hundë gjatë agjërimit duke i thënë: “Fute ujin thellë në hundë gjatë marrjes së abdestit, përpos nëse je agjërueshëm.”[1]

Domethënë nëse je agjërueshëm, ruaju e mos e fut thellë në gojë e në hundë se të prishet agjërimi.

Mirëpo personi i tillë nuk ka gjynah, andaj duhet të vazhdojë agjërueshëm deri në mbrëmje sikurse çdo agjërues tjetër e pastaj pas Ramazanit e bën kaza një ditë. Kështu mendojnë shumica dërmuese e dijetarëve islamë duke futur malikitë, shafitë, hanefitë dhe shumë të tjerë.

Tirmidhiu pas transmetimit të këtij hadithi ka thënë: “Dijetarët e kanë urryer futjen e ujit thellë në hundë dhe e kanë konsideruar një veprim të tillë se e prish agjërimin. Hadithi në fjalë e forcon këtë mendim.”[2]

E nëse gjatë marrjes abdest i depërton uji në organizëm nga hunda apo nga goja, por ky harron se është agjërueshëm, atëherë nuk i prishet agjërimi[3].

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Ebu Davudi, nr. 2366; Tirmidhiu, nr. 788, dhe ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”. Gjithashtu edhe Albani e ka bërë sahih.

[2] Xhamiu Tirmidhi, faqe 148.

[3] Shiko El-Athar, Ebu Jusuf, faqe 180, El-Mexhmu’u, 6/326, El-Mugni, 4/356.