Pyetja:

A prishet namazi nëse një i moshuar na del përpara?

***

Përgjigjja:

Muslimani duhet të përpiqet që namazin e tij ta falë me qetësi dhe përqendrim duke eliminuar çdo gjë që do ta pengonte përkushtimin gjatë namazit. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut ﷺ na ka porositur që para fillimit të faljes së namazit të vendosim përpara vetes sutren [1] e të falemi afër saj në mënyrë që të jemi sa më të përqendruar dhe që të mos shqetësohemi nga ata që nuk janë në namaz. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush do që të falë namaz, atëherë ai duhet ta bëjë këtë i drejtuar nga sutreja [d.m.th. me sutre përpara tij] dhe t’i afrohet asaj.” [2]

Po ashtu Pejgamberi ﷺ ka tërhequr vërejtjen se kush kalon me vetëdije në mes të sutres dhe atij që falet, bën mëkat. Ai thotë: “Po ta dinte ai, që kalon përpara dikujt që është duke falur namaz, rëndësinë e mëkatit që po bën, do të parapëlqente të priste dyzet (ditë, muaj, apo vjet nuk është i sigurt transmetuesi) sesa të kalonte përpara tij.” [3]

Mirëpo edhe nëse të del diçka përpara përderisa je duke u falur, burrë, grua, fëmijë i vogël, apo qoftë edhe ndonjë shtazë, asnjë nga këto nuk e prish namazin. Pra, namazin nuk e prish asgjë që të del para. Megjithatë nëse dikush të del përpara gjatë namazit, është mirë t’ia bësh me dorë, ta shtrish dorën, në mënyrë që ta pengosh atë dhe ai të kthehet, por nëse insiston të kalojë, atëherë ti vazhdo namazin tënd, kurse ai që kalon, nëse është moshërritur dhe e bën me vetëdije, atëherë ai bën mëkat kurse namazin tënd nuk e dëmton, ndërsa nëse është fëmijë nuk ka dert fare, madje fëmijën as mos insisto ta pengosh.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————–

[1] Sutre është çdo gjë që vendos falësi i namazit, qoftë si imam apo vetëm, para tij kur falet, si f.v. ndonjë shkop, ndonjë karrige. Ose kur ka afër ndonjë objekt, i afrohet afër atij, qoftë mur, shtyllë e xhamisë etj.

[2] Ebu Davudi, nr. 698. Albani ka thënë: “Hasen sahih”.

[3] Buhariu, nr. 510; Muslimi, nr. (507) 261.