Namazi është shtyllë e fesë, bile është shtylla e dytë me radhë nga pesë shtyllat e Islamit. Namazi është gjëja e parë për të cilën do të pyetet robi në Ditën e Gjykimit, për këtë arsye Muslimani obligohet që ta kryen atë në mënyrë të përpiktë ashtu siç na e ka mësuar i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam).
Imam Buhariu në librin e tij transmeton nga Malik ibn el-Huvejrith se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur.”[1] Imam Taberaniu në librin e tij “El-Eusat” transmeton nga Abdullah ibn Karat (radija-Allahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën do të pyetet robi në Ditën e Gjykimit është namazi, nëse është i shëndoshë, edhe veprat tjera do të jenë të shëndosha, nëse (namazi) nuk është i shëndoshë, atëherë edhe veprat tjera nuk do të jenë të shëndosha”.
Janë disa gabime që bëhen gjatë namazit nga ana e xhematit, për këtë arsye kisha dëshirë që ti përmendi ato me qëllim, që ta përkujtoj veten dhe të tjerët duke e kryer hakun e këshillimit të cilin Allahu na e ka bërë obligim. Ndër ato gabime janë:
E para: Mos drejtimi i shpinës në Ruku dhe Sexhde. Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Ibni Mes’udi (radija-Allahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Nuk pranohet namazi nga asnjëri prej jush, nëse shpina e tij nuk është e drejt në Ruku dhe Sexhde”.
Gjithashtu Profeti (alejhi salatu ue selam) vjedhësin në namaz e ka llogaritur më të keq se atë që vjedh para, transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga ebu Katade (radija-Allahu anhu) se i Dërguari (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Njerëzit më fytyrëzez, janë ata që vjedhin nga namazi i tyre.” I thanë: “O i Dërguari i Allahut, si ka mundësi të vjedh nga namazi i tij?” Tha: “Nuk e plotëson rukunë në të e as sexhden.” Ose ka thënë: “Nuk e drejton shpinën e tij gjatë rukusë dhe sexhdes.”[2] Sa i përket rukusë disa persona e ulin shpinën më tepër se sa duhet, të tjerët e ngritin atë më shumë sesa duhet, dhe që të dy grupet e kanë gabim, sepse kur i Dërguari (alejhi salatu ue selam) shkonte në ruku e drejtonte shpinën e tij, derisa sikur ti lëshoheshe ujë mbi shpinën e tij do të qëndronte pa u derdhur. Gjithashtu transmeton Imam Nesaiu nga ebu Humejdi (radija-Allahu anhu) i cili ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) shkonte në ruku e drejtonte shpinën e tij, as nuk e ngriste kokën e tij e as nuk e ulte, dhe duart e tij i vendonte mbi gjunjët e tij”. Sa i përket sexhdes, disa persona ballin e tyre nuk e takojnë me tokën, disa të tjerë këmbët e tyre i ngrenë kur ata bien në sexhde, transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi nga Abas ibn Abdulmutalib (radija-Allahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Jam obliguar që të bëj sexhde me shtatë gjymtyrë, ballin, dhe bëri me shenjë ka hunda e tij, dy duart, dy gjunjët dhe me gishtat e këmbëve.”[3] Në këtë Hadith tregohet qartë se pjesët me të cilat duhet të biem në sexhde janë shtatë, dhe ne detyrohemi që të biem në sexhde me krejt ato gjymtyrë.
E dyta: Mosqetësimi në namaz. Përqëndrimi në namaz është shtyllë e saj dhe namazi nuk pranohet pa të. Transmetohet nga Imam Buhariu nga Zejd ibn Uehb (radija-Allahu anhu) se ka thënë: “Hudhejfja e pa një person i cili nuk e plotësonte rukunë dhe sexhden e tij dhe tha: “Nuk je falur…”. Në këtë Hadith ka argument të qartë se njeriu kur të falet duhet që gjatë rukusë dhe sexhdes së tij të ketë kujdes që të qetësohet gjatë kryerjes së tyre. Dhe ai i cili nuk qetësohet gjatë rukusë dhe sexhdes së tij namazin nuk e ka të plotë, sepse Hudhejfja i ka thënë atij nuk je falur, pra namazi nuk të pranohet në këtë formë, dhe këtë e ka marrë nga Hadithi të cilin e transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi nga ebu Hurejra (radija-Allahu anhu) i cili ka thënë: “Hyri i Profeti (alejhi salatu ue selam) në xhami dhe me të hyri edhe një person i cili u fal, pastaj erdhi te i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) dhe e përshëndeti, dhe ai ia ktheu dhe i tha: “Kthehu falu, sepse ti nuk je falur.” Personi u kthye dhe e fali namazin dhe përsëri e përshëndeti Profetin (alejhi salatu ue selam) dhe ai ia ktheu dhe i tha: “Kthehu falu, sepse ti nuk je falur.” Kështu veproi tre herë derisa tha ai personi: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, nuk di të falem ma mirë se kaq, më mëso! Atëherë i Dërguari (alejhi salatu ue selam) i tha: “Kur të ngrihesh për tu falur, bën tekbir[4] dhe pastaj lexo diçka më të lehtë nga Kurani, pastaj shko në ruku dhe qëndro derisa të qetësohesh në atë pozitë, pastaj drejtohu në këmbë derisa të qetësohesh në të, pastaj shko në sexhde dhe qëndro aty derisa të qetësohesh në atë pozitë, pastaj ngrihu dhe qëndro ulur derisa që qetësohesh në atë pozitë dhe kështu vepro gjatë gjithë namazit tënd.”[5]
E treta: Tejkalimi ndaj Imamit. Për këtë ka ardhur ndalesë e qartë nga i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam). Tranmeton Imam Muslimi nga Enes ibn Maliku (radija-Allahu anhu) i cili ka thënë: “Një ditë na fali i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam), pasi që përfunduam namazin, Profeti u kthye kah ne dhe tha: “O ju njerëz! Unë jam Imami juaj prandaj, mos më tejkaloni gjatë rukusë, e as gjatë sexhdes, e as kur të ngriheni në këmbë dhe as kur të përfundoni namazin, sepse unë ju shohë kur ju kam para meje, por edhe nëse jeni pas meje.” Pastaj tha:” Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur të kishit parë atë që e kam parë unë, shumë pak do të qeshnit dhe shumë do të qanit.” I thanë: Çka ke parë o i Dërguari i Allahut(alejhi salatu ue selam)? Tha: “E pashë Xhenetin dhe Zjarrin”.[6]
Transmeton Imam Buhariu dhe Imam Muslimi nga ebu Hurejrja (radija-Allahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “A nuk frikohet ai i cili e ngre kokën e tij nga sexhdeja para imamit, që Allahu kokën e tij ta shndërron në kokë të gomarit.”[7] Gjithashtu transmeton Imam Buhariu nga el-Bera ibn Azib (radija-Allahu anhu) i cili ka thënë: “Kur Profeti (alejhi salatu ue selam) thoshte : “Semia-Allahu limen Hamideh” ne nuk lëviznim derisa e shinim se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) binte në sexhde, pastaj binim edhe ne me të.”[8]
E katërta: Disa persona të cilët nuk e kanë arritur namazin nga fillimi dhe duhet që ta plotësojnë vetë, këta nuk presin që Imami të përfundon selamin në të dyja anët por, me dhënien e selamit në anën e djathtë ata ngrihen dhe e plotësojnë namazin që u ka mbetur, dhe kjo është gabim, njeriu duhet që ta pret Imamin ta kryen namazin në tërësi e pasi të jep selam edhe në anën e majtë atëherë duhet të ngritet dhe ta plotëson atë që i ka mbetur nga namazi.
E Pesta: Falja e namazit me pantallona të gjata nën zogthin e këmbës. Veshja e burrave e cila është e gjatë dhe e kalon zogthin e këmbës është e ndalur për ta kjo duke u bazuar në Hadithin që transmeton Imam Muslimi nga ebu Dherri (radija-Allahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Tre personave Allahu nuk do t’ju flet Ditën e Gjykimit, e as nuk do ti shikon dhe as që do ti pastron dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” Këtë e përsëriti i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) tre herë, pastaj tha ebu Dherri: U shkatërruan dhe u humbën, kush janë ata o i Dërguar i Allahut (alejhi salatu ue selam)? Tha: “El-Musbili(ai që veshja e tij e kalon zogëzën e këmbës),el-Menan(ai që ka dëshirë ta përmend veprën e mirë që ta ka bërë) dhe ai që e shet mallin e tij me betim të rrejshëm.”[9] Transmeton Imam Buhariu nga ebu Hurejra (radija-Allahu anhu) se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Çka del më poshtë se zogthi i këmbës nga Izari[10] është në Zjarr.”[11] por, në namaz ndalesa është edhe më e rëndë për atë që falet me veshje e cila e kalon zogthin e këmbëve. Dijetarët në lidhje me këtë kanë thënë se mbulimi i Auretit[12] është obligim gjatë namazit, ndërsa ai person i cili e ka veshjen më të gjatë se zogthi i këmbëve ai e ka mbuluar auretin e tij me veshje të ndaluar dhe për këtë namazin e vet e ka në rrezik.
Përktheu: Sejfullah Sejfuli
Rizgjimi.com
[1] Transmeton Imam Buhariu fq. 137 Nr. 631.
[2] Transmeton Imam Ahmedi, 5/310.
[3] Transmeton Imam Buhariu, 167/812. Dhe Imam Muslimi, 202/495.
[4] Tekbir: thënia Allahu ekber (Allahu është më i madhi)
[5] Transmeton Imam Buhariu, 157/757, dhe Imam Muslimi, 170-171/397.
[6] Transmeton Imam Muslimi, 183/426.
[7] Transmeton Imam Buhariu, 147/691, dhe Imam Muslimi, 183/427.
[8] Transmeton Imam Buhariu, 147/690.
[9] Transmeton Imam Muslimi, 67/106.
[10] Izari-Veshje e asaj kohe, pjesa e poshtme e cila mbulon nga kërthiza e deri në zogthinn e këmbëve.
[11] Transmeton Imam Buhariu, 1132/5787.
[12] Auret-Pjesët e turpshme të trupit të cilat duhet të mbulohen.