Pyetja:
Pyetja e ime është në lidhje me emrat mysliman dhe emrat me kuptim shqip të lejuara fetarisht, i kam disa emra e ato janë: Ejona, Vesa, Valjeta dhe dy emra qe i kam nxjerr nga emrat myslimane: Rejane, Rona. Dua te di nga këto qe i ceka a janë të lejuara fetarisht, dhe nëse ka mundësi nëse dini ndonjë link qe është i autorizuar dhe ka emra shqip me kuptim te mire te lejuara fetarisht te ma dërgoni.
Dua t’i vendosi djalit një emër te vërtetë mysliman, mua me pëlqen emri Enhar dua të di Enhar a përdoret si emër musliman, a është i përshtatshëm si emër djali? Kuptimi ishte nga sureja Bekare ajeti 25 qe e kishte kuptimin lumenjtë në xhenet, por desha të di a përdoret si emër?
Përgjigjja:
Norma islame bazë në vënien e emrave është se, emri duhet të ketë kuptim të mirë në vetvete, ose të jetë emër Profeti, siç na ka porositur Dërguari i Allahut ﷺ.Profetiﷺ ai sa herë që dëgjonte ndonjë emër të shëmtuar apo me kuptim jo të mirë këshillonte apo urdhëronte që ai emër të ndërrohej me një emër me kuptim të mirë. Kjo tregon se nuk është kusht që emri të jetë emër arab, por lejohet të jetë edhe emër shqiptar që ka kuptim të mirë, si p.sh.: Bujar, Sokol, Besnik, Pajtim, etj. Përveç emrave të Profetëve, për të cilat ka nxitur Profeti ﷺ t’i përdorim, është mirë që fëmijët t’i emërtojmë edhe me emrat e sahabëve, sepse nëpërmjet tyre ringjallet kujtimi i tyre. Këto dhe emra të tjerë me origjinë arabe dhe islame janë përdorur për breza të tërë në mesin e muslimanëve. Kështu që duke u nisur nga fakti se shumica e njerëzve sot tek ne vendosin emra të huaj, kryesisht me prejardhje perëndimore dhe të krishterë, emrat që lidhen me personazhe të historisë së Islamit, qofshin këta shqiptarë ose jo, janë një element i mirë identifikimi që tregon identitetin tonë islam dhe faktin se ne jemi muslimanë dhe kemi traditat tona fetare. Ne e kemi të ndaluar t’iu ngjajmë jomuslimanëve në traditat dhe veçoritë e tyre dhe nuk ka kuptim që fëmija musliman të emërtohet me një emër të krishterë! Duhet pasur parasysh gjithashtu se nuk lejohet tallja me emrat e të tjerëve, sepse ato janë pjesë e identitetit të tyre.
Nuk është i saktë mendimi se emrat me prejardhje turke ose persiane, të cilat u janë imponuar shqiptarëve, janë detyrimisht emra myslimanë, sepse kjo nuk ka bazë në fenë islame. Emra të tillë gjenden me shumicë në materiale të ndryshme, ndaj për këtë arsye duhet që sa herë të lexohet ndonjë emër të verifikohet kuptimi i tij. Gjithashtu duhet të dimë se emrat nuk mund të nxirren nga fjalët Kuranit, siç vepron ndokush, duke kthyer në emër çdo fjalë që lexon në të. Edhe fjala En’har, e përmendur në Kuran, është shumësi i fjalës nehr që në shqip do të thotë lum, pra lumenj. Ky veprim nuk është zakon islam, edhe pse një emër i tillë nuk është i ndaluar, por nuk ka ndonjë kuptim domethënës të bukur, është thjesht një emër që identifikon lumin në gjuhën arabe.
Allahu e di më së miri.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH