Pyetja:

A është e lejuar të shkohet në botën e jashtme siç kanë emigruar shumica e shqiptarëve për arsye të kushteve financiare? D.m.th., a lejohet të shkohet për të jetuar p.sh. në Zvicër, në Gjermani, në Amerikë për shkak të kushteve materiale?

***

Përgjigjja:

Problematika për të cilin pyesni është mjaft e përhapur në kohën tonë, pastaj edhe në vetvete përmban shumë pika dhe dallime në atë se për çfarë shkaqesh ose qëllimesh bëhet shkuarja në këto vende. Por ne, me lejen e Allahut, do të mundohemi të japim një qëndrim duke pasur parasysh në njërën anë këndvështrimin Islam dhe thëniet e dijetarëve bashkëkohorë, të cilët kanë folur rreth kësaj problematike, dhe në anën tjetër realitetin dhe rrethanat e vendit tonë.

Së pari: Udhëtimi në vendet e Perëndimit me qëllim të fitimit material është i lejuar, posaçërisht gjatë kushteve të skamjes dhe pamundësisë së gjetjes së punës nga njeriu në vendin e tij. Pastaj lejohet kjo edhe për shkak të problemeve ose përndjekjeve me të cilat mund të ballafaqohet njeriu në vendin e tij (sikurse ishte rasti në Kosovë para luftës) dhe arsye të tjera. Por nëse udhëtojmë nëpër këto vende, duhet të kemi kujdes që ta ruajmë veten nga haramet dhe ndalesat me të cilat mund të ballafaqohemi atje, pasi njeriu kur është në ndonjë vend të huaj, ku nuk është i përcjellë nga të tjerët në sjelljet që manifeston, është më e mundur që t`i tejkalojë kufijtë e Allahut të Lartësuar.

Dijetari bashkëkohor Muhamed Salih Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, kur është pyetur për udhëtimin në vendet e Perëndimit, ka thënë se është e lejuar kjo në raste të domosdoshmërisë, si për shkak të shërimit nga ndonjë sëmundje ose për shkak të studimit atje, por kushtëzon që ky person të ketë dituri të mjaftueshme që të ruhet nga haramet dhe të ketë mundësi ta ndalojë veten nga epshet dhe joshjet, të cilat janë të pranishme në këto vende.

Së dyti: Për sa i përket shpërnguljes së tërësishme në këto vende dhe braktisjes së vendit të tij, për këtë duhet të jemi rigorozë në moslejimin e tij. Kjo për shkak se nuk ka të bëjë vetëm me personin i cili shpërngulet atje, por ka të bëjë me ardhmërinë e familjes së tij, me fëmijët, të cilët do të asimilohen dhe do të harrojnë kulturën, gjuhën, traditën dhe në radhë të parë edhe fenë e tyre. Nëse kjo nuk ndodh me fëmijët e tyre, ajo patjetër do të ndodhë me fëmijët e fëmijëve. Besimtari siç është përgjegjës për veten e tij, ashtu do të përgjigjet edhe për familjen dhe pasardhësit e tij. Allahu i Lartësuar thotë:

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Tahrim, 6)

Ndoshta dikush do të thoshte se gjendja e familjeve edhe në vendin tonë nuk është më e mirë, ose ka edhe nga ato familje që, edhe pse janë në këto vende të huaja, prapë janë praktikues të përkushtuar të fesë. Kjo është e vërtetë, por mundësia e devijimit dhe e lënies së fesë në ato mjedise është më shumë e mundur sesa në vendin tonë, pasi te ne me gjithë këto të këqija dhe devijime, të cilat janë të pranishme, prapëseprapë pothuajse në çdo qytet kemi me dhjetëra xhami ku thirret ezani, mësohet Islami, mbahen ligjërata. Me një fjalë, ka organizime fetare, të cilat, edhe pse nuk janë aq të kënaqshme, janë të pranishme.

Në anën tjetër, realiteti i atyre familjeve që janë atje, edhe pse tani për tani nuk është aq shumë e vërejtur, është se rrallë nga fëmijët që kanë lindur atje mund të flasin gjuhën e nënës, e të mos themi se nuk dinë nga gjërat esenciale të fesë. Kurse ajo se kemi familje që, edhe pse janë në këto vende, prapëseprapë kanë arritur t`u përmbahen mësimeve islame, ose edhe i janë rikthyer edhe më mirë fesë, themi se kjo është kështu, por është shumë e rrallë, posaçërisht nëse krahasohet me numrin e madh të familjeve që janë atje.
Pastaj, nëse kësaj i shtohet edhe ajo se shumë nga të rinjtë që kanë shkuar atje janë martuar me gra të atyre vendeve dhe tani kanë fëmijë me to, ata të gjithë janë përgjegjës për ardhmërinë e fëmijëve të tyre dhe ata do të japin llogari për ta.

Ka mjaft për t’u thënë rreth kësaj, por pa u zgjeruar më shumë themi se nuk është e lejuar që besimtari, i cili ia do të mirën vetes dhe pasardhësve të tij, të vendosë të jetojë përgjithmonë në këto vende, pasi me këtë ai, edhe pse mendon se ia ka siguruar familjes mirëqenien dhe kushtet e jetesës, ai nuk i ka siguruar asaj kushte që ta ruajnë fenë e tyre. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

Comments are closed.