Pyetja: Jetojmë në Suedi dhe kemi marrë një sallë me qera enkas për namazin e teravive dhe aty nuk falen namazet farze ditore por e kemi marrë përkohësisht veç për namazin e teravive, a mund të falen aty dy rekatet e xhamisë?

Pergjigje:
Me emrin e Allahut. Salevatet qofshin për Profetin tonë.
Çdo sallë ose vend i hapur që është marrë përkohësisht vetëm për namazin e teravive quhet thjesht musal-la dhe jo xhami, sepse xhamia e rregullt është ajo ku falen pesë namazet me ezan dhe imam të rregullt. Për këtë arsye nuk është sunet që të falen dy rekatet e xhamisë në vende të tilla (musal-la). Përveç kësaj mësojmë se Profeti (alejhissalatu uesselam) në musal-lanë e Bajramit ka falur vetëm dy rekate të Bajramit dhe nuk ka falur para dhe pas namazit të Bajramit asnjë namaz tjetër. Transmetoi Ebu Davudi nr 1161 nga Ibn Abbasi. Kjo tregon se Profeti (alejhissalatu uesselam) i ka bërë dallim xhamisë ku falte dy rekate të xhamisë, apo sunete të tjera dhe musal-lasë ku falte vetëm namazin e Bajramit dhe asgjë tjetër para dhe pas saj. Po ashtu imam Maliku transmeton në Muvattan e tij nr 435 se Abdullah ibn Umeri në namazin e Fitër Bajramit nuk falte asnjë namaz tjetër para ose pas tij.
Kjo do thotë se të gjitha vendet apo sallat që merren për të falur namazin e Bajramit, ose namazin e shiut, ose namazin eklipsit të Diellit ose Hënës, ose namazin e teravive etj, nuk kanë të njëjtin gjykim me xhamijat e rregullta për të cilat kanë ardhur në hadithe të shumta ndalesa ose urdhëresa të ndryshme.

Komisioni i pyetje & përgjigjeve pranë LHSH