Pyetja:

A është obligim bërja e sexhdes kur e lexoj ajetin e sexhdes?

***

Përgjigjja:

Kryerja e kësaj sexhdeje është sunet muekked (i fortë) dhe nuk duhet të lihet bërja e saj as në kohët e ndaluara, siç janë:

Koha pas namazit të sabahut.
Koha pas namazit të ikindisë.

Sepse, kjo sexhde lejohet të bëhet edhe në këto kohë, sepse ajo bëhet në këtë rast me shkak të caktuar.
Andaj, nëse dikush lexon ajetin e sexhdes, qoftë ai në namaz apo edhe jashtë tij, muslimani duhet të bëjë këtë sexhde pa marrë parasysh a e lexon duke shikuar në Kuran, apo nga ajo pjesë të cilën e ka mësuar përmendësh ai nga Kur’ani.

Gjithashtu, duhet ditur se bërja e kësaj sexhdeje nuk është obligative (vaxhib), e duke u nisur nga kjo muslimani nuk bën mëkat nëse nuk e bën këtë sexhde.
Transmetohet se një herë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të derisa po mbante hytben, e lexoi ajetin e sexhdes në suren Nahl dhe pastaj zbriti nga minberi dhe bëri sexhden.
Kurse xhumanë tjetër ai lexoi të njëjtin ajet, mirëpo nuk bëri sexhde.
Pasi mbaroi, tha në praninë e të gjithë shokëve të Muhamedit ﷺ “Allahu nuk na e ka bërë obligim këtë sexhde, por e ka lënë në dëshirën tonë.”

Gjithashtu, transmetohet se Zejd Ibën Thabiti, Allahu qoftë i kënaqur me të lexoi një prej ajeteve të sexhdes në prezencën e Muhamedit ﷺ por ai nuk bëri sexhde.
Dhe, duke u nisur nga kjo, themi se: Nëse sexhdja e leximit të Kuranit do të ishte obligative të bëhet, atëherë Muhamedi ﷺ do ta kishte urdhëruar Zejd Ibën Thabitin, Allahu qoftë i kënaqur me të që ta bënte.

Allahu e di më së miri!

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!
Nga arabishtja: Suad Shabani