Pyetje: Nëse jam duke u falur si imam me xhemat dhe pasi mbarojmë namazin kujtohem se nuk kam patur abdes, çfarë duhet të bëjmë? A marr gjynah për këtë? A është obligim për të gjithë përsëritja e namazit, apo vetëm për mua? Dhe cili është gjykimi nëse këtë e zbuloj gjatë namazit?
Përgjigje: Bismilahir-Rahmanir-Rahim. Falënderimi i takon Allahut Zotit të krijesave. Salavati dhe salami i Tij qofshin për Profetin e Tij Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
Nëse falesh në xhemat, pastaj të bëhet e qartë pas përfundimit të namazit se je falur pa abdes ti nuk ke gjynah, sipas Fjalës së Allahut të Lartësuar: {Zoti ynë, mos na merr në përgjegjësi nëse harrojmë apo gabojmë!}. Veprimi yt përmbledh dy çështje: çështja e parë: namazin që e ke falur pa abdes. Këtë e ke vepruar në harresë, ndaj nuk merr gjynah, sepse është veprim i ndalesës në gjendjen e paditurisë, ndaj nuk ka gjynah duke u argumentuar me ajetin. Çështja e dytë: se je falur pa abdes. Kjo është lënie e asaj me të cilën je urdhëruar. Në këtë rast njeriu nuk mund të justifikohet me harresën, por nëse harron duhet ta kryejë obligimin (kur kujtohet), sipas fjalës së Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Kush fle në kohën e një namazi apo e harron, le ta falë kur të kujtohet!”, pra nuk e ka shfuqizuar me harresë. Të tillla janë të gjitha urdhërat e Allahut, ato nuk bien me harresë nëse koha që kërkohet veprimi vazhdon.
Kështu që themi: Duhet ta përsërisësh namazin, sepse je falur pa abdes. Ndërsa namazlinjtë pas teje nuk e përsërisin namazin, sepse ata u falën me abdes pas një imami që nuk e dinte në ç’gjendje ishte, ata e plotësuan namazin sipas mënyrës me të cilën ishin urdhëruar, ndaj për ta nuk ka gjë.
Ndërsa nëse kjo gjë të kujtohet në namaz e ke detyrë ta lësh namazin, sepse nuk të lejohet ta vazhdosh një namaz kur nuk ke abdes, por e ke detyrë të largohesh, ndërkohë lë dikë pas teje ta plotësojë namazin me xhematin pas. Nëse i ke falur dy rekate ai i plotëson dy rekatet e mbetura nëse namazi është katër rekate. Nëse nuk e vepron këtë ata mund të nxjerrin dikë para t’ua plotësojë namazin. Nëse nuk bëhet kjo, secili e plotëson namazin për vete dhe namazi nuk u prishet … Nëse kujtohesh që nuk ke abdes pas namazit, gjykimi është i njëjtë … Ndërsa nëse kujtohet pas namazit se ka papastërti në rrobë, namazin e ka të saktë dhe po kështu namazi i tyre është i saktë, nëse është papastërti në trup apo rrobë dhe ka harruar ta lajë, apo e kupton pas namazi. Namazi i të gjithëve është i saktë, sepse kjo çështje futet në largimin nga ndalesa. Ndërsa nëse e kujton këtë gjë gjatë namazit, d.m.th. kur falet shikon papastërti në rrobë, nëse mundet ta heqë këtë rrobë gjatë namazit, p.sh. ka veshur dy rroba dhe e heq të sipërmen, e vazhdon namazin. Por nëse nuk mundet, p.sh. ka vetëm një rrobë dhe nëse e heq del lakuriq, atëherë largohet dhe namazlinjtë e plotësojnë namazin sikurse e sqaruam. Për këtë arsye Profeti (salallahu alejhi ue selem) hoqi një ditë shapkat kur po falej dhe njerëzit i hoqën shapkat. Kur mbaroi i pyeti se përse i hoqën shapkat. Thanë: “Të pamë që i hoqe shapkat dhe ne i hoqëm”. Profeti (salllahu alejhi ue selem) tha: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha se në to kishte papastërti, ndaj i hoqa”. Ndaj i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) e vazhdoi namazin dhe nuk e rifilloi nga e para. Ky është argument se njeriu nëse e kupton gjatë namazit se ka papastërti në rrobë duhet ta heqë këtë rrobë të pisët nëse mundet dhe e vazhdon namazin.
(fetva e shejh Uthejminit, Allahu e mëshiroftë)