Pyetja:

Në YouTube kam parë se medresantët/et kendojnë ilahi me instrumente muzikore. Si të këshillohen personat e tillë?

***

Përgjigjja:

Fakti se disa hoxhallarë apo mësues në medrese i lejojnë dhe i japin mësim këto ilahi me instrumente muzikore, nuk është argument për lejimin apo ndalimin e tyre, por argument ështe Fjala e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij ﷺ, ashtu siç e kanë kuptuar shokë e Profetit ﷺ dhe dijetarët e Islamit në shekuj.

Në lidhje me ndalimin e muzikës dhe të veglave muzikore nuk ka kundershtim në mesin e dijetarëve të ehli sunetit dhe as të dijetarët e hershëm të katër medhhebeve të fikhut Islam. Andej nga shekulli i katërt i Hixhretit u shfaqen disa njerëz me dije që i quajten të lejuara veglat muzikore, të kushtëzuara me disa kushte të vendosura nga vetë ata, duke u argumentuar me fjalën se nuk ka argumente të prera nga Kurani dhe Suneti që t’a ndalojnë muzikën dhe veglat muzikore.

Por e vërteta për të cilën nuk ka dyshim, është se muzika dhe veglat muzikore janë të ndalura në Islam, dhe nuk bën përjashtim këtu veçse defi pa fletë llamarine apo daullja, përdorimin e të cilave Profeti ﷺ e ka lejuar në rast dasme. Kurse për ndalimin e muzikës dhe të veglave muzikore, argumentet janë të shumta nga Kurani dhe Suneti, qofshin të drejtpërdrejta apo të perfituara nga domethënia dhe shpirti i tyre. Prej këtyre argumenteve përmendim: Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues.” (Lukman, 6) Shumica e dijetarëve thonë se me “tregime të kota” është për qëllim muzika dhe veglat muzikore, dhe domethënia e ajetit është se këta njerez i marrin keto vegla muzikore dhe i përdorin si mjete për të larguar njerëzit nga rruga e Allahut si dhe për t’u tallur me rrugën e Allahut. Dhe kjo është ajo që ndodh vërtetë me muzikën dhe veglat muzikore, pasi që nuk mund të bashkosh mes muzikës dhe Kuranit, apo mes muzikës dhe bindjes ndaj Allahut apo afrimit tek Ai. Askush nuk mund të thotë se afrohet tek Allahu duke dëgjuar muzikë, por përkundrazi, nëse zë vend muzika në zemër, nuk le vend për Kuranin dhe për afrimin tek Allahu. Por një person i tillë bëhet njësoj si dikush që e ka pushtuar djalli, dhe Ai është larg rrugës së Allahut.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata të gjithë iu përulën në sexhde, përveç Iblisit! Ai tha: “Si?! Unë t’i bëj sexhde atij që Ti e ke krijuar nga balta?!” Gjithashtu, tha: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime. Por në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë pushteti ndaj robërve të Mi! Zoti yt mjafton si mbrojtës (i tyre)!” (Isra, 6165) Dijetarë e tefsirit të Kuranit thonë se fjala “Bëj për vete me zërin tënd, kë të mundesh” është për qëllim muzika dhe fyejt e djallit.

Kurse nga hadithet e Profetit ﷺ, përmendim hadithin e mirënjohur: “Do të ketë prej umetit tim disa njerëz, të cilët do ta bëjnë të lejuar “el hira” (kurvërinë), mëndafshin, alkoolin dhe “el meazif” (veglat muzikore). Disa njerëz do të vendosen në qafën e një mali të lartë dhe tufat e tyre të bagëtive ua sjell bariu në mesditë. Një i varfër shkon dhe u kërkon atyre ndonjë nevojë, ndërsa ata i thonë: Eja nesër. Por Allahu i befason ata me dënim dhe e sheshon malin, ndërsa disa të tjerë i shndërron në majmuna e derra, deri në Ditën e Kiametit.” [1]

Pra, hadithi është i qartë për ndalimin e muzikës dhe të veprave muzikore, madje i krahason ato me kurvërinë dhe pirjen e alkoolit, të cilat janë nga gjynahet e mëdha. Për më shumë argumente dhe fjalë dijetarësh ne lidhje me ndalimin e muzikës dhe veglave muzikore, mund të japim disa referenca si: “Mexhmuul Fetava” 11/569, i Ibn Tejmijes, “Igathetu el lehafan” 1/252, i Ibn el Kajjim, “Fet’hu Bari” 10/55, i Ibn Haxherit, “Telbis Iblis” 237, i Ibn el Haxh, “Mexhmuul Fetava” 3/423-424, i Ibn Bazit, “Pastrimi i sheriatit nga muzika” dhe “Ndalimi i veglave muzikore”, të dyja të shejh Albanit.

—————————

[1] Buhariu