Pyetja:
Kam përfunduar studimet, jam 25 vjeçare. Gjithashtu fali 5 kohët e namazit, mirëpo më brengos fakti që nuk kam gjetur ende fatin e jetës edhe pse vazhdimisht lus Allahun që të ma lehtësojë rrugën për të më takuar me një person të ndershëm e të moralshëm, mirëpo ende pa sukses. Nuk di ç’të bëj më shumë apo ndoshta ende nuk ka ardhur koha kur Allahu ka bërë caktimin për mua. Çka kishit mundur të thoni ju për këtë ose si të veproj unë në këtë rast i cili më brengos shumë kohëve të fundit dhe e ndiej veten si të pa vlerë në një farë mënyre?
***
Përgjigjja:
Të përgëzoj për të arriturat tuaja të fesë dhe të dynjasë dhe e lus Allahun që të bëjë të dobishme për muslimanët kudo që të jesh!
Natyrisht se keni të drejtë të mendoni dhe të dertoni për çështjen e martesës. Por siç e keni përmendur në pyetjen tuaj, derti duhet të jetë për martesën me personin që e ka frikën dhe respektin e Allahut pjesë të jetës së tij si dhe është i moralshëm. Përndryshe nuk është zgjidhje martesa me çfarëdo djali, por ajo shpeshherë është mbyllje e jetës.
Padyshim se ende nuk ka ardhur caktimi i Allahut, sepse gjendja momentale asnjëherë nuk mund të jetë e ndryshueshme pa caktimin e Allahut. Por një gjë që ma tërheq vëmendjen në pyetjen tuaj është ndjenja e juaj sikur duaja drejtuar Allahut nuk ka bërë punë. Kjo ndjenjë është shumë e keqe dhe nuk është edukative me Allahun. Duaja mund të pengohet nga disa shkaqe, nga të cilat është edhe lodhja në lutje dhe humbja e shpresës.
Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se dikush e kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, ﷺ, se cilat janë mëkatet më të mëdha dhe ai ishte përgjigjur: “T’i përshkruash ortak Allahut, ta humbësh shpresën nga mëshira e Allahut dhe të jetosh i sigurt nga dënimi i Allahut.” Në një hadith kudsij, Allahu thotë: “Unë sillem me robin Tim ashtu siç ai Mua më paramendon. Nëse ai mban mendim të mirë për Mua, e ka për vete, e nëse ka mendim të keq, e ka kundër vetes.” [1]
Në një hadith tjetër kudsij, Allahu thotë: “Unë sillem me robin Tim ashtu siç ai Mua më paramendon, dhe Unë jam pranë Tij kur ai më lutet.” [2]
Allahu i Madhërishëm tregon në Kur’an ngjarjen e Jakubit, kur i humbën djemtë e tij, ku ende mbante shpresë në Allahun se do t’i gjente dhe vërtet doli ashtu: “O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllanë e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.” (Jusuf, 87)
Allahu po ashtu thotë:
“Kurse grupi tjetër (hipokritët) kujdesej vetëm për veten, duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhamed!): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” (Ali Imran, 154)
Po ashtu ndodhia e Ibrahimit, paqja e Allahut qoftë mbi të, lidhur me pasardhës, i cili ishte në moshë të shtyrë dhe vështirë se do të kishte mundësi që të lindte fëmijë. Allahu rrëfen ngjarjen se si i erdhën melekët dhe:
“Ata thanë: “Mos u frikëso, se ne po të sjellim një lajm të mirë! Ti do të kesh një djalë të dijshëm”! Ibrahimi tha: “Po ma sillni këtë lajm të mirë, edhe pse më ka goditur pleqëria?! Mbi ç’bazë po ma sillni këtë lajm?”. Ata u përgjigjën: “Ne ta japim lajmin e mirë me vërtetësi, prandaj mos u bëj shpresëhumbur!” Ibrahimi tha: “E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”?!” (Hixhër, 53-56)
Mbi tërë këtë që e përmenda, motër muslimane, kije parasysh hadithin e mëposhtëm ku i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë:
“Robit vazhdimisht i pranohen lutjet përderisa nuk nxiton, nëse nuk lutet për ndonjë mëkat, ose për ndërprerje të lidhjeve farefisnore.” Dikush i tha: “E si është nxitimi, o i dërguar i Allahut?
Tha: “Nxitim është të thotë robi: “jam lutur e jam lutur, por kot nuk kam vërejtur se m’u ka pranuar lutja” dhe lodhet pastaj dhe e braktisë lutjen.” [3]
Nga ky hadith mësojmë se asnjëherë nuk duhet të mendojmë se duaja e jonë drejtuar Allahut ka shkuar kot dhe nuk ka përgjigje. Para së gjithash duaja është ibadet dhe vet lutja drejtuar Allahut është ritual adhurimi, pa marrë parasysh se pranohet apo jo ajo lutje. Allahu nëse nuk të përgjigjet drejtpërdrejt për atë që je lutur, Ai përgjigjet në mënyra të tjera siç tregon për këtë i Dërguari i Allahut ﷺ:
“Çdo muslimani që lutet me ndonjë dua, nëse nuk përmban duaja e tij mëkat e as nuk bëhet për shkëputje të lidhjeve farefisnore, Allahu do t’i përgjigjet në njërën prej këtyre tri mënyrave:
– ia plotëson atë gjë për të cilën është lutur,
– ia ruan shpërblimin e saj në Ahiret ose
– ia largon një të keqe tjetër të ngjashme me atë.
Të pranishmit thanë: Atëherë të bëjmë dua sa më shumë? I Dërguari u përgjigj: “Allahu ju shpërblen edhe më shumë.” [4]
Atë që mund ta them në këtë rast është kujtimi se sipas mësimeve islame, iniciativa për martesë mund të bëhet edhe nga vajza. Nuk synoj të them që ju të dilni në rrugë e t’ia shprehni gatishmërinë për martesë ndonjë djali. Por synoj të them që nëse je në dijeni për ndonjë djalë me tipare që kërkohen tek ai me Sheriat dhe e dini se ai ka një motër, apo një të afërt, nuk ka të keqe që t’ia kujtoni asaj motre, apo ndonjë shoqeje tjetër që ajo të ndërmjetësojë për martesën tuaj.
Motër e nderuar, mos e lëni shejtanin që të luaj me personalitetin tënd dhe ta rrëmbej krenarinë e Islamit me të cilën duhet jetuar. Ju keni përfunduar universitetin dhe ç’është me rëndësi Allahu ju ka udhëzuar t’i falni të pesë kohët e obliguara të namazit, e sigurisht krahas kësaj jeni e ndershme, e moralshme, e sjellshme, përfillni urdhrat e tjerë të Allahut dhe largoheni nga ndalesat e Allahut. Andaj ju jeni në begati jashtëzakonisht të madhe sa që nuk guxon t’ju luhatë nga rruga një sprovë e vogël, e cila mund të ju kthehet me shumë të mira, nëse ju i bëni sabër. Nëse Allahu ju takon me një burrë të mirë e të sinqertë pas 5 viteve p.sh., është më hair për ju se sa ta gjeni tani një tjetër që nuk rehatoheni me të aspak. Pra, mos lejoni që ta humbni moralin shpirtëror dhe të ndiheni e pavlerë, por jetoni jetën tuaj me krenari e pa tirani!
Në fund po përmendi këtë ajet ku Allahu ka thënë:
“Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë.” (Insan, 2)
Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku
———————————–
[1] Ahmedi
[2] Muslimi
[3] Muslimi
[4] Ahmedi