Pyetja:

Jam e divorcuar, ish-burri nuk kujdeset për fëmijën dhe ne jetojmë në varfëri. Si t’ia bëj?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!

Motër e nderuar, me të vërtetë kjo botë është e stërmbushur me sprova dhe vështirësi. Ato nuk i ndahen njeriut qysh prej momentit kur thith ajrin e parë të kësaj bote e deri në fund të jetës së tij. Në parim, njeriu është krijuar për vështirësi në këtë botë, e jo për rehati e lukse, siç mendojnë disa njerëz, ngase për këto të fundit është krijuar një botë krejt ndryshe, që i përshtatet plotësisht dëshirave dhe ëndjeve të njeriut, për këtë gjë është krijuar Xheneti. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka thënë në Librin e Tij Fisnik: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në vështirësi (të njëpasnjëshme).” (Beled, 4)

Çështja tjetër është se muslimani për çdo vështirësi nëpër të cilën kalon, qoftë edhe një gjemb që ia shpon këmbën e tij, ka shpërblim tek Allahu, varësisht prej durimit që bën, gjë që nuk ndodh kështu me askënd tjetër përveçse me besimtarin, siç na e sqaroi këtë Pejgamberi ynë i dashur ﷺ. Por, për të përfituar një shpërblim të tillë, kërkohet nga njeriu besimtar që të jetë prore i durueshëm dhe të llogarisë në shpërblimin e Allahut në vazhdimësi, e, nëse këto dy kushte nuk plotësohen, atëherë sprovat dhe vështirësitë janë dënim për të në këtë botë.

E,… ne jemi të bindur se ti motër e nderuar futesh në grupin e durimtarëve, për të cilët Allahu i Lartësuar ka thënë: “Vërtet durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë (Ditën e Gjykimit).” (Zumer, 10)

Por, a do të thotë që gjithmonë njeriu duhet të heqë të zinjtë e ullirit dhe vazhdimisht të vuajë e të jetojë në vështirësi gjatë gjithë jetës së tij?!… Jo, assesi! Allahu i Lartësuar gjithmonë ka caktuar lehtësimin pas vështirësisë, siç e ka cekuar në Kuran kur ka thënë: “Vërtet, pas vështirësisë ka lehtësim! Vërtet, pas vështirësisë ka lehtësim.” (Sherh, 56)

E, gjithashtu, besimtari duhet të luftojë për të drejtat e tij që i takojnë dhe kërkohet prej tij që të largojë nga vetja padrejtësinë që dikush ia bën, por gjithmonë duke e bërë këtë gjë me mirëkuptim dhe duke u drejtuar tek personat e duhur të cilët mund t’i ndihmojnë për t’i zgjedhur problemet. Ngase, shpeshherë ndodh që dikush duke u munduar ta largojë një zullum që dikush ia ka bërë, shkakton një kaos të vërtetë shumë më të madh sesa gjendja në të cilën ndodhej më parë.

Në rastin tuaj konkret, pasi që burri juaj ju ka braktisur dhe ju ka bërë të padrejtë, prindërit tuaj qenkan ata që ju kanë pranuar që të ktheheni dhe të bashkëjetoni me ta, e edhe vëllai juaj qenka pajtuar me një gjë të tillë. Andaj, mendoj se kjo është më mirë sesa të mos i kishit prindërit dhe të detyroheshit të jetonit diku me qira, e sigurisht nuk do t’ju mjaftonin paratë për qira dhe për ushqim. Andaj, pikë së pari, duhet ta kuptoni se edhe për prindërit ka qenë e vështirë që t’i ndodh një gjë e tillë vajzës së tyre por megjithatë janë pajtuar. Rrjedhimisht, kjo gjë i bën edhe ata që të ndjehen sikur meritojnë njëfarë falënderimi për përkrahjen që ta kanë dhënë.

Kurse, sa i përket të hollave të cilat ata t’i marrin, mendoj se, nëse vërtet janë nevojtarë, atëherë kërko prej tyre që të të japin një pjesë të asaj sasie ty, aq sa të mjafton për nevojat e vajzës në shkollë, ndërsa të tjerat le t’i marrin dhe le t’i shpenzojnë për shpenzimet që ju tashmë i shfrytëzoni së bashku në shtëpi, gjegjësisht ushqimet. Kurse futja në kredi s’do mend se është haram dhe nuk lejohet në Islam, mirëpo provo që problemin ta rregullosh me butësi e mirëkuptim, se përndryshe dëmi mund të jetë më i madh se dobia. E nëse refuzojnë prapë, atëherë mos të harrojmë se prindërit kanë të drejta të mëdha ndaj nesh, andaj edhe nëse na duket ndonjëherë se po na bëjnë të padrejtë, le të shpresojmë në shpërblimin e Allahut dhe le të bëjmë durim ndaj tyre, se një ditë ata nuk do të jenë më në mesin tonë, ndërsa kujtimet tona për ta dhe sjellja jonë me ta, do të mbetet gjithmonë në kujtimet tona. Mirësia dhe durimi ndaj prindërve ka shpërblim më të madh sesa që shumica prej nesh mendojmë. Për këtë arsye Allahu i Gjithëdijshëm ka thënë në Kuran: “Zoti yt ka ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni dikë tjetër pos Tij, sakaq ndaj prindërve të jeni bamirës.” (Isra, 23) Ndërsa Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Qoftë shkatërruar ai që i ka të dy prindërit e tij gjallë e nuk e fusin në Xhennet (për shkak të bamirësisë ndaj tyre).”

Po ashtu, në rastin tënd konkret, vlen të merret parasysh edhe martesa me një burrë tjetër, njëkohësisht shmangia e disa tradita të këqija të popullit tonë që e bëjnë gruan të turpërohet të kërkojë martesë për herë të dytë apo të tretë, kurse, për fat të kaq, kur dikush krijon lidhje jashtëmartesore askush nuk e qorton, e ka të tillë që ndoshta edhe e lavdërojnë. Allahu na ruajttë nga shthurja e prishja morale!

E lus Allahun që t’jua lehtësojë çështjet dhe t’ju furnizojë me durim, si dhe t’jua mundësojë një zgjidhje sa më të mirë sa më shpejt!

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

Përgatiti: Hekuran Helshani