Pyetja:

Unë kam filluar të bëj namaz njëherë vetëm sabahun, drekën dhe akshamin. Arsyeja pse vetëm këto tria është që mos t’më përzihen t’i mësoj mirë njëhërë. Unë sa herë që bëj namaz mendoj për të afërmit që më kanë vdekur dhe kur bie në gjum ashtu po të njëjtin mendim.

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar, është shumë në rregull që keni filluar me namaz, por ju porosis që të filloni edhe me ikindinë dhe jacinë dhe t’i falni që të pesë kohët e namazit. Namazi i sabahut (flas për farzet) i ka dy rekate, ai i akshamit tri rekate, kurse i drekës i ka katër rekate. Namazi i ikindisë dhe ai i jacisë po ashtu i kanë nga katër rekate dhe nuk dallojnë asgjë për nga mënyra e faljes. Andaj mos u vono me kryerjen edhe të këtyre namazeve, pasi obligimi është i barabartë. Gjatë namazit mundohu ta përkujtosh Allahun sa më tepër, e largohu nga përkujtimi i çdokujt tjetër, qofshin ata edhe të afërmit tuaj. Jashtë namazit përkujtoji të vdekurit tuaj të afërm me dua dhe lutje për ta. Allahu ju forcoftë!

Muhamed Dërmaku