Percent Growing

PYETJE: Duke i lexuar përgjigjet tuaja të mëparshme në lidhje me çështjen e kamatës në aktvendimet gjyqësore, unë i bëj vetes pyetjen e interpretimit të saktë të “kamatave” të theksuara. Përkatësisht, një numër i madh i zyrtarëve kanë marrë ose do të marrin aktvendime gjyqësore nga viti 2006, 2007, etj., të cilat duhet të ishin paguar menjëherë atëherë, por ato po paguhen tani dhe jo me vullnetin tonë, që do të thotë, se si mund të interpretohen si kamatë paratë, të cilat neve duhet të na ishin paguar 10 ose më shumë vjet më parë, dhe ato po na paguhen tani. Në çështjen tonë, ne nuk jemi përgjegjës pse po paguhen tani dhe po e marrim të ashtuquajturën kamatë, sepse shteti nuk mund ta quaj ndryshe. Këtu është e qartë se kemi të bëjmë me vendim të njëanshëm të shtetit, dhe nëse do të ishim pyetur ne, do të na ishte paguar në kohë dhe pa kamatë, për të mos e përmendur inflacionin. Pyetja ime është çështje e interpretimit, se si diçka e tillë mund të interpretohet si “kamatë”, pavarësisht nga fakti që shteti e vendos atë nën kamatë, sepse shteti nuk ka ndonjë term tjetër ligjor. Shumë prej nesh këto para nuk i konsiderojnë si kamatë dhe janë besimtarë, andaj që të mos gabojmë. Interpretimi i saktë është shumë i rëndësishëm për ne, sepse paratë që na përkasin për 10 ose më shumë vjet, dhe ne nuk kemi lidhur ndonjë marrëveshje për kamatë, konsiderojmë se nuk mund të vendosën nën “kamatë”.

PËRGJIGJE: Në pyetjen tuaj, ju nuk keni ofruar shumë detaje në lidhje me rastin tuaj duke iu referuar përgjigjeve të mëparshme rreth kamatës. Bazuar në të dhënat e ofruara për ne, ne do të japim një përgjigje të përgjithshme në lidhje me situata të ngjashme.

Në çdo rast, ju keni të drejtën e kryegjësë së borxhit të cilin e ka vendosur gjykata. Kamata nënkupton çdo kompensim financiar më i madh se kryegjëja e huazuar, ose e të drejtës së realizuar, e cila jepet për shkak të vonesës së pagesës ose vonesës së saj. Pra, sa herë që ka një rritje në lidhje me kryegjenë e borxhit për shkak të vonesës ose vonesës në pagimin e tij, ka të bëjë me kamatën,e cila sipas rregullave islamike është rreptësisht e ndaluar (haram) edhe për atë që e merr edhe për atë që e jep kamatën. Nuk është aq e rëndësishme për diçka se si quhet, por se çka nënkupton në thelbin dhe funksionin e saj.

Allahu i Plotfuqishëm thotë:“Ata që hajnë e marrin kamatë, pasurohen ashtu siç pasurohet ai, të cilin e ka prekur dhe e ka bërë të hutuar shejtani. Kjo nodhë për shkak se ata thonin se tregtia është njëlloj – si kamata. Mirëpo, Allahu e ka lejuar tregëtinë, kurse kamatën e ka ndaluar. E kujtdo që i vie këshilla nga Zoti i tij e shmanget prej kamatës, malli i tij, i fituar më parë (para ndalimit të kamatës), është i tij. E, vendimi për këtë i takon Allahut. E, kushdo që i kthehet (marrjes së kamatës si shit-blerje) ai do të shoqërohet me zjarrin, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. – Allahu e shkatërron kamatën, kurse e rritë pasurinë nga e cila është dhënë lëmosha. Se Allahu nuk i don ata që janë mohues – mëkatarë. – Ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, për ata ka shpërblim te Zoti i tyre; për ta nuk ka frikë as pikëllim. – O besimtarë! Druajuni Allahut dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. – E, nëse këtë nuk e bëni, ta dini se do të hapet luftë nga ana e Allahut dhe Pejgamberit të Tij. Nëse pendoheni, atëherë juve u takon pasuria juaj (pa kamatë). Në këtë mënyrë nuk dëmtoni askend e as nuk dëmtoheni vetë. – E, nëse e dini se borxhliu gjendet në ngushticë, atëherë pritnie derisa të përmirësojë gjendjen; por është edhe më mirë për ju, që t’ia falni borxhin, nëqoftë se e dini.” (el-Bekare, 275-280)

Në rastin tuaj, ju rekomandojmë që ta merrni kryegjenë e asaj që ju detyrohet dikush që ju ka borxh (institucioni publik, organi shtetëror, kompania, ndërmarrja, individi, etj.), kurse nga kamata të hiqni dorë, e cila është e mundur sipas informacionit të disponueshëm sipas ligjeve të vendit tonë. Nëse nuk është e mundur të hiqni dorë nga kamata, për shkak të pengesave të caktuara kontraktuale ose gjyqësore, ju rekomandojmë që pas pranim-dorëzimit shumën e saj ta ndani në formën e lëmoshës ose të ndonjë vepre tjetër bamirësie, dhe të mos e përdorni atë as për veten tuaj dhe as për anëtarët e familjes suaj.

*****

(Përgjigja e përgatitur nga Dr. Ahmed Hatunić, anëtar i Komisionit për përgjigje të pyetjeve)
https://www.islamskazajednica.ba/…-kamata-na-sudske-presude
Përkthim: Miftar Ajdini