NAMAZI MIRAXH I BESIMTARIT

Pyetja: Kemi lexuar e dëgjuar shpesh tek thuhet “Namazi është miraxh i besimtarit!” prandaj po duam ta dimë nëse është hadith apo jo?

Përgjigja: Këtë thënie dijetarët e përmendin shpesh në librat dhe ligjëratat e tyre dhe ndonjëherë nga forma se si përshkruhet (transmetohet, përcillet…) të jepet përshtypja sikur bëhet fjalë për ndonjë hadith por, jo, nuk është hadith. Kjo nga aspekti i transmetimit ndryshe, kuptimisht, namazi paraqet lidhjen e veçantë me Zotin dhe njërën ndër veprat më të rëndësishme të robit dhe ngritjen e tij shpirtërore – miraxhin tek Allahu i Lartësuar.
Në koment të hadithit “Vepra juaj më e mirë është namazi!”,  Zerkani ka thënë: “Namazi është vepra me shpërblimin më të madh prandaj edhe është më e mira sepse përmbledh adhurimet si; leximin e Kur’anit, tesbihun, tekbirin, tehlilin…Namazi është miraxh i besimtarit dhe afrues i tij tek Allahu andaj kujdesuni për namazin dhe rregullat e tij!”

Allahu e di më së miri!

/Hoxhë Dr. Sedat Islami/