Pyetja:

A i lejohet atij që bën rukje të kërkojë pagesë nga të sëmurët?

***

Përgjigjja:

Në parim nuk ka ndalesë për marrjen e pagesës për rukjen, e cila bëhet sipas rregullave të sheriatit. Në dy koleksionet e sakta të hadithit është shënuar hadithi i Ebu Sa’dit, në të cilin tregohet: “Një grup sahabësh gjatë një udhëtimi duke kaluar pranë një fisi arab kanë kërkuar prej tyre mikpritje, por ata i refuzuan. Në atë kohë ndodhi që të parin e fisit ta kafshojë një gjarpër helmues, u munduan ta mjekojnë, por pa sukses. Disave prej tyre iu kujtuan mysafirët që refuzuan më parë (sahabët). Një grup prej fisit arab erdhën te sahabët dhe i thanë: “I pari i fisit tonë është kafshuar (nga një gjarpër helmues), a është ndokush prej jush që e di mjeshtërinë e mjekimit?” Sahabët i thanë: “Po, mirëpo ju nuk na ofruat mikpritjen që kërkuam prej jush, andaj ne nuk pranojmë t’i bëjmë rukje pa kompensim.” U morën vesh që në qoftë se e shëron, do t’i japin një tufë delesh. Njëri prej sahabëve i bëri rukje me “Fatihanë” dhe i pari tyre menjëherë u shërua. Sahabët morën tufën e deleve, por duke diskutuar në mes vete thanë: “Nuk do të veprojmë asgjë pa e njoftuar Pejgamberin ﷺ për ndodhinë tonë.” Kur arritën në Medinë, e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ, ai qeshi dhe tha: “Si e ditët ju që ajo është rukje? Merrini ato (dele) dhe ndani një pjesë edhe për mua.” [2]

Edhe pse sipas hadithit të sipërpërmendur nuk  ndalohet kërkimi i pagesës për rukje, para se gjithash duhet të dimë se rukja është metodë shumë e përshtatshme dhe efikase për udhëzimin e pacientëve në Islam, prandaj duhet të shfrytëzohet maksimalisht në përhapjen e Islamit.

Zaten rukja zakonisht është efikase atëherë kur plotësohen dy komponentë:

1. Bindja e pacientit dhe besimi i paluhatshëm në Allahun e Lartësuar dhe se shërimi arrihet vetëm me lejen dhe dëshirën e Tij; dhe

2. Besimi dhe bindja e sinqertë e atij që bën rukje.

Prandaj mendoj se caktimi i çmimit nga ana e atyre që bëjnë rukje për një seancë me çmime fikse, sikurse bëhen vizita mjekësore në ordinanca private, nuk është vepër e pëlqyer, ngase rukja shndërrohet në njëfarë mënyre si profesion me anë të të cilit sigurohet ekzistenca. Është e vërtetë se sahabët kanë kërkuar kompensim për rukjen e bërë, mirëpo nuk duhet harruar fakti se imani i sahabëve në krahasim me imanin tonë ka dallim të pakontestueshëm.

Pastaj po ashtu duhet të merret parasysh edhe situata, se gjendja e sahabëve ishte specifike për shkak të nevojës që kishin për ushqim si dhe injorimi nga ana e fisit arab. Në anën tjetër, duke marrë parasysh se bërja e rukjes kërkon kohë dhe angazhim, kurse ai që bën rukje ka nevoja të përditshme jetësore, atëherë themi se pacientët apo familjarët e tyre duhet t’i japin atij që bënë rukje një shumë të hollash si dhuratë për angazhimin dhe mundin që ka bërë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————

[1] Me rukje nënkuptojmë përmbledhjen e disa ajeteve kur’anore dhe lutjeve të vërtetuara nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), që ia lexon muslimani vetës së vet apo dikujt tjetër me qëllim të shërimit nga sëmundjet shpirtërore apo shërimit nga e keqja e syrit të keq të njeriut apo xhinit, nga cytja e shejtanit, nga magjia si dhe me qëllim të shërimit nga sëmundjet e tjera fizike.

[2] Buhariu, nr. 5736; Muslimi, nr. (2201) 65.