Pyetja:
Kur duhet bërë duaja e Kunutit në namaz të vitrit?
***
Përgjigjja:
Shejhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Sa i përket kunutit, ka dy pikëpamje ekstreme dhe një pikëpamje mesatare. Disa thonë se kunutin duhet bërë vetëm para rukusë, disa thonë se duhet bërë vetëm pas rukusë. Fukahatë nga dijetarët e hadithit, si Ahmedi dhe të tjerët, thonë që të dyja këto janë të lejueshme, sepse të dyja përmenden në sunetin e vërtetë, por e preferonin që kunuti të bëhej pas rukusë, sepse kjo përmendet më shpesh. Ngritja e duarve përmendet në një transmetim sahih nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!). [1] Adhuruesi duhet t’i ngrejë duart në lartësi të gjoksit dhe jo më shumë, sepse kjo dua nuk është dua ku personi ka nevojë t’i ngrejë duart lart; por kjo është dua e shpresës në të cilën personi mban pëllëmbët nga qielli. Domethënia e qartë e fjalëve të dijetarëve është se adhuruesi duhet t’i mbajë duart të bashkuara, si një lypës që kërkon diçka prej dikujt. Është më mirë të mos thuhet kunuti në vitër çdo herë, por të thuhet nganjëherë, sepse s’ka dëshmi se i Dërguari i Allahut ﷺ ta ketë bërë vazhdimisht, por ai ia mësoi Hasen ibn Ali (Allahu qoftë i kënaqur me të!), një dua për kunutin e vitrit…” [2]
Shejh Ibn Baz që pyetur rreth vendimit të recitimit të kunutit gjatë netëve të ramazanit dhe a është e lejueshme që të lihet ajo. Ai u përgjigj: Kunuti në vitër është sunet dhe, nëse personi e lë atë nganjëherë, s’ka gjë të keqe. Dhe shejhu qe pyetur rreth personit që çdo natë e thotë kunutin në vitër se a është transmetuar kjo nga selefët?
Ai u përgjigj: S’ka gjë të keqe në këtë, bile kjo është sunet, sepse, kur Pejgamberi ﷺ e mësoi Husejn ibn Ali (Allahu qoftë i kënaqur me të!), të thoshte kunutin në vitër, ai nuk i tha që ta linte nganjëherë apo ta bënte vazhdimisht. Kjo tregon se cilado është e lejueshme. Është transmetuar se kur Ubej ibn Kab (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i udhëhoqi sahabët në namaz në xhaminë e Pejgamberit ﷺ, ai e linte kunutin në disa net. Ndoshta, kjo bëhej për t’i mësuar njerëzit se s’është obligim. (Fetawa Islamijje 2/159)
———————————–
[1] Bejhekiu (2/210)
[2] Mexhmu el-Fetawa (23/100)