Pyetja:

Kush do të jenë ata që e meritojnë shefatin?

***

Përgjigjja:

Fjala shefat do të thotë ndërmjetësim për ndokënd me qëllim të përfitimit të dobisë apo evitimit të dëmit. Shefati ndahet në dy kategori:

1. Shefati që ka të bëjë me çështjet e kësaj bote.

Edhe ky lloj shefati ndahet në dy grupe:

a) Ndërmjetësimi (shefati) të cilin njeriu ka fuqi dhe mundësi ta kryejë; sikurse fjala vjen, ndërmjetësimi për punësimin e dikujt, ndërmjetësimi për pajtimin e dy palëve të armiqësuara, apo ndërmjetësimi për shërimin e dikujt, e kështu me radhë.

Ky lloj ndërmjetësimi është i lejuar me kusht që të jetë për çështjet e lejuara dhe që me anë të ndërmjetësimit të mos shkelen të drejtat e dikujt tjetër apo të mos i bëhet padrejtësi. Ndërmjetësimi është i ndaluar për rastet kur njeriu e meriton dënimin sipas mësimeve të sheriatit për shkak të ndonjë krimi të kryer. Allahu xh.sh., thotë:

Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini drojë dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” (Maide: 2)

Në lidhje me këtë na sqaron hadithi i Pejgamberit ﷺ, të cilin e transmeton Aishja r.a.: “Kurejshët i kishte dëshpëruar rasti i një gruaje nga fisi Mahzumij, e cila kishte vjedhur. Thanë: “Në lidhje me këtë kush do të bisedojë me Pejgamberin ?” Kush guxon tjetër përveç Usame bin Zejdit, të dashurit të Pejgamberit , konstatuan ata. Usameja ia paraqiti rastin Pejgamberit , kurse ai iu përgjigj: “A do të ndërmjetësosh në lidhje me (ligjin) rregullin e Allahut?!” Atëherë u ngrit dhe mbajti fjalimin: “O ju njerëz! Ata që kanë qenë para jush i ka shkatërruar veprimi që kur vidhte ndonjë njeri me autoritet, e lironin (nga dënimi), ndërkaq nëse vidhte ndonjë i dobët, e dënonin. Për Allahun, sikurse edhe Fatimja, e bija e Muhamedit të kishte vjedhur, me siguri do t’ia prisja dorën.” [1]

b). Ndërmjetësimi (shefati) realizimi i të cilit nuk është në mundësinë dhe fuqinë e njeriut; siç është kërkimi i ndërmjetësimit prej njerëzve të vdekur, ose kërkimi i ndërmjetësimit nga personi i gjallë, por që nuk është prezent duke i atribuuar cilësi që janë ekskluzive vetëm për Allahun xh.sh.. Ndalimi i kërkimit të këtij lloj ndërmjetësimi është sqaruar në shumë ajete dhe hadithe të sakta, prandaj nuk ka vend për asnjë dyshim.

2. Shefati i botës tjetër në Ditën e Gjykimit.

Ky shefat është dy llojesh:

I pari: Ndërmjetësimi (shefati) i veçantë, i cili është i rezervuar për Pejgamberin ﷺ dhe në këtë lloj ndërmjetësimi nuk e shoqëron askush. Ky ndërmjetësim ndahet në disa kategori:

a) Ndërmjetësimi (shefati) i madh. Në Ditën e Gjykimit njerëzit do të tubohen në mahsher-vendtubim për të dhënë llogari për veprat e bëra dhe për shkak të mosfillimit të gjykimit, të gjithë njerëzimin do ta kaplojë frika, brenga e mërzia deri në atë masë sa nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë. Njerëzit do t’u drejtohen Pejgamberëve duke filluar prej Ademit alejhi selam për të ndërmjetësuar tek Allahu i Lartësuar që të fillojë gjykimin. Por ai dhe të gjithë Pejgamberët e tjerë radhazi do ta refuzojnë këtë ndërmjetësim, derisa të vijnë te Muhamedi ﷺ, i cili do t’u thotë njerëzve: ”…mua më takon ndërmjetësimi (shefati), mua më takon.”

Pastaj Muhamedi ﷺ do të ndërmjetësojë te Zoti i Lartësuar për fillimin e gjykimit, pastaj do të fillojë gjykimi. Ky është ndërmjetësimi (shefati) i madh, i cili është prej specifikave të Pejgamberit tonë ﷺ.

b) Ndërmjetësimi (shefati) për banorët e xhenetit për të hyrë në xhenet. Enes ibën Maliku r.a., ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit do t’i afrohem derës së xhenetit dhe do të kërkoj që të hapet. Roja e xhenetit do të pyesë: “Kush je ti?” Do të them: “Unë jam Muhamedi.” Roja do të thotë: “Jam urdhëruar për ty dhe të mos ia hap derën askujt para teje.” [2]

c) Ndërmjetësimi (shefati) i Pejgamberit ﷺ për xhaxhanë e tij, Ebu Talibin.

d) Ndërmjetësimi (shefati) i Pejgamberit ﷺ për disa pjesëtarë të umetit që të hyjnë në xhenet pa dhënë fare llogari.

I dyti: Ndërmjetësimi (shefati) i përgjithshëm. Në këtë ndërmjetësim, përveç Pejgamberit ﷺ, do të marrin pjesë edhe të tjerët prej melekëve, Pejgamberëve, njerëzve të mirë, dëshmorëve, hafizëve të Kur’anit etj.. Ky shefat ndahet në disa kategori:

a) Ndërmjetësimi për ata që kanë hyrë në xhehenem, për të dalë nga zjarri;

b) Ndërmjetësimi për njerëzit që e kanë merituar hyrjen në zjarr, që të mos hyjnë në xhehenem;

c) Ndërmjetësimi për banorët e xhenetit që t’u ngrihen gradat e shpërblimit në shkallët më të larta të xhenetit.

Që shefati të jetë i pranueshëm në botën tjetër, kërkohet plotësimi i kushteve:

1. Allahu të jetë i kënaqur me atë për të cilin bëhet ndërmjetësimi. Allahu xh.sh., thotë:

“…dhe ata nuk përpiqen të ndihmojnë pos për atë me të cilin është i kënaqur Ai, e ata nga frika prej Tij janë të kujdesshëm.” (Enbija: 28)

Kjo do të thotë se ndërmjetësimi nuk mund të bëhet për atë që nuk ka iman në Allahun xh.sh..

2. Leja e Allahut për ndërmjetësuesin që të ndërmjetësojë. Allahu xh.sh., thotë:

Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij.” (Bekare: 255)

3. Allahu xh.sh. të jetë i kënaqur me ndërmjetësuesin. Allahu xh.sh., thotë:

“E sa engjëj ka që janë në qiej, e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë, vetëm pasi Allahu të japë leje për atë që dëshiron dhe që është i kënaqur për të.” (Nexhm: 26)

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————————

[1] Buhariu, nr. 6788; Muslimi, nr. (1688) 8.

[2] Muslimi, nr. (197) 333.