Pyetja:
Kush e krijoi qiellin dhe tokën?
***
Përgjigjja:
Allahu i Lartësuar në Kuranin fisnik u drejtohet njerëzve duke u thënë:
“Thuaj: “Shikoni ç’ka në qiej dhe në Tokë!” Por shenjat dhe vërejtjet nuk u bëjnë kurrfarë dobie njerëzve që nuk besojnë”1; dhe: “Le të meditojë njeriu se prej çfarë është krijuar!”
Kush e krijoi njeriun?
Mohuesit e Zotit pretendojnë se njeriun e krijoi natyra, por sa qëndron ky pretendim absurd i tyre?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj, na duhet fillimisht të sqarojmë se çfarë është natyra?
E pra natyra nënkupton dy gjëra: krijesat dhe ligjet natyrore.
Le t’i shpjegojmë në mënyrë të përmbledhur duke filluar nga krijesat:
– Përbërësi më i vogël i natyrës (gjithësisë) është atomi, i cili ka një madhësi sa 1/1 milionta e milimetrit [krahasim: po të zmadhohej një çelës dere sa toka, një atom në të do kishte përmasën e vetëm një kokërr qershie]. Në qendër të atomit gjendet bërthama e tij, madhësia e së cilës është sa 1/10 miliarda e atomit [krahasim: po të zmadhohej atomi sa një top me diametër 200 metra, bërthama në të do të ishte sa një kokrrizë pluhuri]. Mrekullia qëndron në faktin se masa e bërthamës përbën thuajse të gjithë peshën e atomit, konkretisht 99.95 % të peshës së tij.
Brenda bërthamës së atomit gjenden: protonet (me ngarkesa elektrike pozitive dhe që përbëhen nga kuarket), neutronet (pa ngarkesa elektrike) dhe në orbitë jashtë bërthamës elektronet (me ngarkesa elektrike negative) që rrotullohen me një shpejtësi 1000 km/s (që mjafton për të shkuar nga Parisi në Milano për 1 sekondë). Madhësia e elektronit në raport me atomin është e tillë që nëse e zmadhojmë atomin sa toka, elektroni në të do të ishte sa madhësia e një molle. Midis elektroneve dhe bërthamës së atomit ka vakum shumë të madh, të tillë që nëse e përfytyrojmë protonin brenda bërthamës së atomit sa kokrra e një gjilpëre poshtë kullës Ejfel në Paris, atëherë elektronit që vërtitet rreth tij i takon të përshkojë një orbitë rrethore me skaje Holandën, Gjermaninë dhe Spanjën…
Më pas cikli i krijimit në natyrë vijoi i tillë që: nga bashkimi i atomeve u formuan molekulat dhe proteinat [deri këtu jemi në botën inorganike (të vdekur)], nga bashkimi i molekulave dhe proteinave u formuan qelizat dhe nga bashkimi i qelizave u formuan organet e mbarë llojeve të trupave biologjik të gjallesave…
Sa i përket ligjeve natyrore shkenca thekson se ato diktohen nga katër forcat themelore të universit:
(a) forca e fuqishme bërthamore, që ka të bëjë me fiksimin e protoneve me ngarkesa të njëjta pozitive në bërthamën e atomit dhe që është disa miliarda herë më e madhe se forca e gravitacionit dhe disa miliona herë më e madhe se ajo elektromagnetike;
(b) forca e dobët bërthamore, që ka të bëjë me fiksimin e neutroneve pranë protoneve në bërthamë;
(c) forca elektromagnetike, që fikson elektronet në orbitën e tyre rreth protoneve të gjendur brenda bërthamës së atomit dhe
(d) forca e rëndesës [graviteti], e cila i fikson të gjithë trupat në orbitat e tyre me njëri-tjetrin.
Këto forca janë në një balancim të përsosur dhe janë të një saktësie precize. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ky është krijimi i Allahut! Më tregoni çfarë kanë krijuar të tjerët pos Tij? Asgjë, por keqbërësit janë vërtet në humbje të plotë”
– Jobesimtarët nuk pranuan ta cilësonin Krijuesin se Ai ekziston vetvetiu dhe është i përhershëm, por në krahun tjetër ata – me paturpësinë më të madhe – nuk hezituan të thonë se universi ekziston vetvetiu dhe është i përhershëm.
Mirëpo nuk ka dyshim se natyra dhe ligjet e saj nuk janë krijuar vetvetiu, por ato janë vepra të Krijuesit që ka ekzistuar vetvetiu dhe nuk ka dyshim se natyra dhe ligjet e saj u krijuan që të dëshmojnë për Krijuesin e tyre. Kësisoj, njeriu, kjo krijesë e arsyeshme, është absurde [jashtë mendësh] të jetë vepër e natyrës së paarsyeshme. S’ka dyshim se njeriu është vepër e Krijuesit të Gjithëdijshëm, i Cili e krijoi krijesën humane që kjo e fundit ta dëshmonte të vërtetën absolute “LA ILAAHE IL-LALL-LLAAH/Nuk ka të adhuruar të meritueshëm veç Allahut”.
Pikërisht në lidhje me këtë fakt, Allahu i Madhëruar thotë:
“Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Vërtet, Ai do t’i ringjallë edhe të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë”.
A është krijuar njeriu vetvetiu / nga rastësia?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, na duhet fillimisht t’i japim përgjigje faktit nëse qeliza, e cila konsiderohet blloku i jetës së trupit human, është krijuar apo jo vetvetiu?
Qeliza formohet nga proteina dhe proteina formohet nga aminoacidet. Probabiliteti i formimit të rastësishëm të një proteine të vetme të përbërë nga jo më shumë se 500 aminoacide është 1 rast në 10 në fuqi të 950-të (1 me 950 zero pas) raste, teksa në matematikë, probabiliteti më i vogël se 1 rast në 10 në fuqi të 50-të (1 me 50 zero pas) raste, konsiderohet se ka shansin “zero” të ndodh. Ndërkaq molekula e hemoglobinës, kësaj proteine shumë të rëndësishme për jetën, përbëhet nga 574 aminoacide dhe në vetëm një prej miliarda rruazave të kuqe të gjakut, gjenden rreth 280 milionë molekula hemoglobine.
Argumenti në fjalë e shkul nga rrënjët “hipotezën e rastësisë” që pretendon se jo një por miliona proteina u krijuan nga rastësia dhe pastaj po rastësisht ato u bashkuan për të krijuar qelizën e parë të jetës, nga e cila erdhën gjithë gjallesat.
Allahu i Lartësuar, në Kuranin fisnik, u drejtohet njerëzve të arsyeshëm kështu:
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto. I Lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit (Xhehenemit)” Ali Imran
Pasi folëm për krijesat më mikroskopike të Allahut të Madhëruar, atomin, protonet dhe kuarket, madhësia e të cilave varionte nga 1/1 milionta e milimetrit dhe deri në një shifër edhe më të vogël se 1/10 kuadrilionta (1-shi me 16 zero pas) e milimetrit, le të flasim në vijim për krijesat stërmadhështore në vijim, të krijuara prej Allahut, sipas rendit nga poshtë lartë të këtyre krijesave:
Qielli i dynjasë, pra universi ynë.
Le të meditojmë paksa mbi raportin midis tij dhe tokës ku gjendet njeriut:
Distanca më e gjatë në të cilën mund të udhëtojmë ne njerëzit në tokë është 15 000 km; distanca midis tokës sonë dhe yllit më të afërt me të, diellit, është 150 milion km; ndërsa distancat pas kësaj maten me vite drite, teksa dihet shkencërisht se drita në një vit përshkon 9 trilion (9-të me 12 zero pas) e 460 miliard (460-ta me 9 zero pas) km (afërsisht 9.5 trilion km). Distanca e galaktikës sonë Rruga e Qumështit me Andromedën (galaktikën më të afërt me të), është 2 miliard vjet drite larg nesh dhe pas kësaj të mbetet të mendosh se çfarë mund të thuhet për distancën midis nesh dhe yllit apo galaktikës më të largët me ne.
Pikërisht në lidhje me këtë fakt Allahu i Lartësuar thotë:
“Betohem në vendosjet (orbitat) e yjeve, e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit”
Ndërkohë ajo që mund të thuhet për yjet është fakti islam se ato konsiderohen të jenë stoli (pjesë e afërt) e qiellit të parë, ndërsa skaji i qiellit të parë është një realitet të cilin vetëm Allahu i Madhëruar e di se ku mbaron…
Deri këtu arrin konstatimi njerëzor (për ilustrim shihni linkun: UNIVERSI QË NE NJOHIM), duke mbetur ende shumë pa u treguar për krijimin madhështor të Allahut të Madhëruar. Prandaj këtë realitet gjigand e shpalos para nesh vetë Allahu, Krijuesi i Madhëruar, përmes Shpalljes që vendosi t’ia shpallë njerëzimit. Në shpalosje të këtij krijimi madhështor të Krijuesit, të pamundur për t’u konstatuar nga dituria e cekët njerëzore, informacioni autentik hyjnor na tregon për:
Shtatë qiejt: Për numrin e tyre jemi informuar nëpërmjet Kuranit dhe transmetimeve autentike profetike…
Xheneti: Gjendet poshtë Arshit dhe mbi qiellin e shtatë. Në lidhje me madhështinë e Xhenetit na është përshkruar se vetëm gjerësia e tij është sa qiejt dhe toka së bashku. Gjithashtu mbi dimensionin e stërmadh të Xhenetit na tregon hadithi i saktë profetik që thotë se Xheneti ka 100 nivele në ngjitje dhe se hapësira nga një nivel në tjetrin është sikurse hapësira midis qiellit dhe tokës. Po në këtë thënie profetike tregohet se Xheneti më i lartë është Firdeusi, poshtë tij vijnë të gjitha shtresimet e tjera të Xhenetit të mrekullueshëm dhe tavani i xhenetit Firdeus është Arshi i Mëshiruesit.
Në këtë kontekst do përmendnim edhe Xhehenemin: Tjetër krijesë e stërmadhe e Allahut të Madhëruar, vendndodhjen e të cilit nuk e di ekzaktësisht askush përveç Allahut të Gjithëdijshëm. Gjithsesi dimensioni i tij është i stërmadh. Mjafton në këtë kuadër të përmendim faktin sesi në Ditën e Gjykimit, Xhehenemi do të vijë i komanduar nga 70 000 frerë, ku secili pre tyre ka 70 000 engjëj; pra numri i engjëjve që e komandojnë Xhehenemin është 4 miliard e 900 milion engjëj. Në një tjetër thënie të saktë na bëhet me dije se një shkëmbi që u rrokullis nga buza e njërës prej shtresave të Xhehenemit, derisa ra në tabanin e kësaj shtrese, iu deshën 70 vite. Po kështu hadithet e sakta tregojnë se distanca midis dy supeve të mosbesimtarit në Xhehenem, është sa distanca që përshkon një kalorës i shpejtë përgjatë 3 ditëve; se dhëmballa e tij është sa mali i Uhudit [i cili është i gjatë më se 1600 m dhe i gjerë më se 8000 m], vendqëndrimi i tij në zjarr është sa distanca midis Mekës dhe Medinës [rreth 500 km] dhe se trashësia e lëkurës së trupit të tij është 42 krahë me krahun e Xhabarit [një mbreti trupmadh prej mbretërve të Jemenit], kurse me krahun e një njeriu normal është 70 krahë. Pasi të futen në Xhehenem të gjithë të përvuajturit e tij, Xhehenemi do të kërkojë që t’i sillen edhe më të tjerë. Allahu i Madhëruar na ruajttë prej tij!
Ujësia: Shpallja Hyjnore na informon se Ujësia gjendet nën Arshin e Allahut të Madhëruar, kurse realitetin e këtyre krijesave e di vetëm Krijuesi…
Arshi/Froni madhështor i Allahut të Madhëruar: Ai është krijesa më e madhe e krijuar nga Allahu i Madhëruar. Natyra, substanca, madhështia dhe gjerësia e Fronit fisnik të Allahut të Madhëruar, nuk dihet përveçse nga Allahu i Madhëruar që e ka krijuar atë; porse ajo që dihet është se këtyre realiteteve të Fronit të Allahut të Madhëruar nuk u përngjan asnjë prej froneve të krijesave dhe se Kursiji (shih shpjegimin në vijim për të) në krahasim me Arshin është si një hallkë e hedhur në shkretëtirë. Arshi i Allahut të Madhëruar mbahet nga engjëj madhështor numrin e të cilëve e di vetëm Allahu i Madhëruar, teksa disa dijetarë kanë thënë se engjëjt që e mbajnë Arshin e Allahut të Madhëruar, janë katër në dynja dhe tetë në Ditën e Gjykimit. Në lidhje me madhësinë e këtyre engjëjve na është treguar se vetëm distanca nga tuli (llapa) e veshit të engjëllit mbajtës të Arshit deri tek supi i tij është 700 vite… Duhet të bëjmë shumë kujdes për faktin se kur bëhet fjalë për Fronin e Allahut apo Kursijin [vendvendosjen e dy këmbëve të Tij], duhet të distancohemi tërësisht nga përfytyrimi se Allahun e Madhëruar e mbart diçka prej krijesave të Tij apo se Ai ka nevojë për ndonjë krijesë të Tij… Trajta e këtyre informacioneve synon në fakt që t’u shpalos njerëzve Fuqinë e Pakufishme të Allahut të Madhëruar…
“Arshi-Froni” i Allahut të Madhëruar është në formë kubeje (kupole a gjysmërruzulli të gërryer përbrenda) me kolona të cilat mbahen nga engjëjt mbajtës të Arshit. Ai përbën kupolën e universit dhe tavanin e tij. Arshi është tavani i Xhenetit dhe njëkohësisht i mbarë krijesave. Engjëj të fuqishëm e bartin Arshin dhe rrotull e pranë Arshit engjëj të tjerë e madhërojnë Allahun e Madhëruar dhe me përulje të plotë zbatojnë Caktimin hyjnor të Allahut të Plotfuqishëm…
Në këtë kontekst do përmendnim edhe Kursijun: Nën Arshin e Allahut të Madhëruar, gjendet një tjetër krijim i Allahut i quajtur Kursij. Termi Kursij fjalë për fjalë përkthehet “ndenjëse”, por realitetin e saj e di vetëm Allahu i Madhëruar. Kursiju është një krijesë madhështore e Allahut të Madhëruar që shtrihet mbi qiejt dhe tokën. Përmasat e saj janë aq të mëdha, saqë qiejt dhe toka së bashku gjenden në brendinë e saj dhe në krahasim me atë janë si një hallkë e hedhur në shkretëtirë. Në lidhje me Kursijun, nga Ibën Abasi është transmetuar se ajo është “vendvendosja e dy këmbëve…”. Nuk disponohet asnjë thënie autentike ku të theksohet ulja [apo vendosja e këmbëve] të Allahut të Madhëruar në Kursij; por dihet me siguri se çdo cilësi hyjnore që ka të bëjë me çdo realitet hyjnor, duhet pohuar si cilësi e Vetes Hyjnore të Allahut, jo në aspektin e përfshirjes apo ndërfutjes në raport me krijesat.
Sipër Arshit është vetëm Allahu i Lavdishëm, më i Madhi, me i Madhëruari dhe më i Lartësuari, Sunduesi absolut i mbarë gjithësisë, që e mban qiellin dhe tokën të mos shkatërrohen dhe që në çdo moment është i Angazhuar në shpalosjen e Urdhrit të Tij Suprem.
Krijuesi i gjithësisë është lartuar dhe qëndron mbi Arsh ashtu siç i takon Madhështisë Hyjnore të Tij dhe Ai është i Gjithëdijshëm mbi gjendjen e krijesave të Tij. Sigurisht që realiteti i qëndrimit hyjnor të Allahut të Madhëruar mbi “Arshin/Fronin” e Tij, është i paperceptueshëm për ne krijesat si dhe është thelbësisht i ndryshëm nga qëndrimi i krijesave mbi fronet e tyre. Sikurse u tha për Kursijun, duhet theksuar se nuk disponohet asnjë thënie autentike hyjnore ku të theksohet ulja e Allahut të Madhëruar në Arsh. Qëndrimi i Allahut mbi Arsh dhe çdo cilësi hyjnore që ka të bëjë me këtë realitet, duhet pohuar si cilësi e Vetes Hyjnore të Allahut, jo në aspektin e përfshirjes apo ndërfutjes në raport me krijesat [ku përfshihet edhe Arshi], pasi Kurani, Suneti [Tradita Profetike], sahabët [shokët e Profetit] ﷺ, tabi’inët [gjenerata pas sahabëve], pasuesit e këtyre të fundit dhe imamët (eruditët) e udhëzuar muslimanë që u janë përmbajtur parimeve islame të tre gjeneratave të para muslimane, janë shprehur njëzëri, se Allahu i Madhëruar është mbi Arsh, mbi mbarë krijesat, i dalluar [i veçuar] prej tyre, nuk gjendet brenda asnjërës prej krijesave dhe se dituria e Tij është kudo.
Ekzistenca e vetvetishme e Allahut të Madhëruar
Është normale që njeriu të interesohet për ekzistencën e hershme. Pikërisht për këtë gjë një delegacion nga Jemeni e pyet Profetin ﷺ dhe ai përgjigjet:
“Ishte Allahu dhe nuk ekzistonte asgjë tjetër veç Tij…”
Po në lidhje me këtë të vërtetë gjigande Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“Ai [Allahu] është i Pari (pa fillim) dhe i Mbrami (pa mbarim), i Dukshmi (përmes argumenteve që dëshmojnë për Të) dhe i Padukshmi (për shqisat e krijesave).”
– Nëse do të shohësh se përse ateistët [mohuesit e ekzistencës së Zotit] ranë në ateizmin e tyre do gjesh disa shkaqe:
Së pari: Shkaku më kryesor i hipotezës fals dhe absurde ateiste se “Zoti nuk ekziston”, ishte konflikti i ashpër i kohës kur doli kjo hipotezë, i cili ngjau midis kishës dhe shkencëtarëve që kishin guxuar të publikonin zbulimet e tyre shkencore që binin ndesh kryekëput me predikimet e deformuara të dijetarëve të kishës. Si pasojë kisha i persekutoi ashpër ata dhe prej këtu lindi armiqësia besim-shkencë.
Së dyti: Duhet ditur se këto teori të pathemelta u hodhën në kohën kur shkenca ishte në hapat teorik të saj dhe për shumë prej teorive të asaj kohe, më vonë vetë shkenca dha dëshminë se ato kishin qenë krejt të gabuara.
Së treti: Habia më e madhe me ateistët qëndron në faktin sesi ata e pranuan pa problem se universi është i vetvetishëm, pa fillim dhe pa mbarim, por kur erdhi puna që t’ia përcaktonin këtë realitet Zotit të universit, ata mbajtën qëndrim mosbesues.
Gjithsesi le të shohim sesi i përgjigjet vetë Zoti i botëve teorisë së mohimit të ekzistencës së vetvetishme të Tij:
“A mos vallë, ata (njerëzit) janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur?!”; pra a është e arsyeshme të thuash o njeri se para-ekzistenca dhe të gjithë ekzistencat pas saj erdhën nga asgjëja?!…
Sipas kësaj trajtese të mrekullueshme kuranore, ateisti nuk ka para tij veçse tre pyetje për të shtruar në lidhje me faktin se nga ku ka ardhur zanafilla e kësaj ekzistence:
Pyetja e parë: A e ka zanafillën kjo ekzistencë nga asgjëja, thënë ndryshe nga hiçi? Porse kjo përjashtohet sepse hiçi nuk ekziston për vete dhe për rrjedhojë nuk mundet të krijojë diçka?!
Pyetja e dytë: Apo kjo ekzistencë e ka zanafillën nga krijesat qofshin ato gjallesa apo sende pa jetë, veç e veç apo së bashku?
Porse dihet mirë, se si krijesat e gjalla ashtu edhe sendet pa jetë prej të cilëve përbëhet universi ynë, dikur nuk kanë ekzistuar; gjë që është dëshmuar shkencërisht nga hipoteza shkencore e “Big Bang-Shpërthimit të Madh”, e cila përkrahet nga masa e gjerë e shkencëtarëve të astronomisë. Kjo dëshmi thotë se universi ynë në fazën e tij fillestare ishte një pikë me vëllim hapësinor [lartësi, gjatësi, gjerësi dhe masë] zero…
Po kështu, një tjetër argument që vërteton krijimin e universit është edhe teoria e termodinamikës mbi bazën e së cilës shkencëtari kanadez Frank Elon në librin e tij të titulluar “ Shkenca thërret në besim” arsyeton kështu: “…Ligjet e Termodinamikës (shndërrimit të energjisë) na bëjnë me dije se trupat qiellorë të këtij universi, e humbin gradualisht nxehtësinë e tyre dhe i afrohen fundit që vjen atëherë kur gjithë trupat qiellor të universit të bien në temperaturën e 0 (zeros) absolute (- 275 0 C), në të cilën merr fund aktiviteti i materies (rrjedhimisht merr fund jeta)… Porse Dielli pishtar, yjet e zjarrta dhe Toka e pasur dhe e gjallëruar me format e larmishme të jetës në të, janë argumente të qarta për faktin se zanafilla e universit përkon me një kohë fillestare. E pra universi është një ndodhi prej ndodhive dhe dukurive, e kuptimi i kësaj është se për ardhjen në ekzistencë dhe zanafillën e këtij universi është dashur patjetër një Krijues i Përhershëm, i Gjithëdijshëm, Zotërues i aftësive absolute të pakufi. E ky univers s’është gjë tjetër veçse vepër e duarve të Tij…”10
Pyetja e tretë: Apo kjo ekzistencë (ky univers) qindra miliarda vjeçar e ka zanafillën nga një Ekzistues që ka ekzistuar më parë, përhershmërisht?
E kjo është e vetmja alternativë logjike e pranueshme që mund të shpjegojë ekzistencën konkrete të universit dhe mbarë banorëve të tij…
Pikërisht në këtë mënyrë të bukur logjike i sfidon Allahu i Lartësuar mosbesimtarët në thënien kuranore të sipërpërmendur. Njeriut të mençur nuk i ngelet veçse të bindet mbi faktin se kjo ekzistencë e ka zanafillën nga Krijuesi i Përhershëm dhe jo nga hiçi. Vetëm ekzistenca e vetvetishme e Allahut para se materia të ekzistonte, arrin ta shpjegojë prezencën e tanishme të krijesave, përndryshe do duhej që krijesat të kishin ardhur në ekzistencë nga asgjëja.
E pra arsyes dhe njerëzve të arsyeshëm u mbetet vetëm të binden se kur koha, hapësira, materia dhe ligjet e tjera të botës së krijesave nuk ekzistonin dhe ishin “asgjë”, atëherë ekzistonte Krijuesi që krijoi çdo gjë. Pikërisht në lidhje me këtë të vërtetë, astrofizikani amerikan Hugh Ross, autori i veprës “Krijuesi dhe kozmosi”, pohon: “Duke qenë se fillimi i kohës është i menjëhershëm me fillimin e [lëndës së] universit, atëherë shkaku i universit duhet të jetë një Qenie objektive që vepron në një dimension kohor krejtësisht të pavarur edhe që ka ekzistuar përpara dimensionit kohor të kozmosit. Kjo na tregon se Krijuesi është i jashtëzakonshëm edhe vepron përtej kufijve të përmasave të universit”.
Përse nuk duhet të na habisë atributi i ekzistencës së vetvetishme të Allahut të Madhëruar?
Dihet shumë mirë fakti se njeriu është ai që ka prodhuar dhe bërë shumë prej sendeve a orendive që na rrethojnë, porse kjo nuk do të thotë se cilësitë e njeriut janë si cilësitë e këtyre sendeve dhe orendive. Kështu, nëse ne shikojmë një karrige të vendosur në një vend dhe më pas e shikojmë atë në një vend tjetër, me të drejtë mund të mendojmë se dikush e ka lëvizur atë. Porse a është e drejtë për ne, nisur nga kjo cilësi e karriges (kësaj vepre të dorës së njeriut), që kur ta shohim njeriun të ketë lëvizur nga një vend në tjetrin, të mendojmë ashtu siç menduam për karrigen?! Çfarë qëndrimi do të mbanim ne, kundrejt një personi i cili mohon që njeriu të ketë logjikë, duke përdorur si argument për këtë veprat e njeriut, të cilat nuk kanë logjikë?!
Bazuar në arsyetimin e mësipërm, dalim në konkluzionin se ekzistenca e vetvetishme e Allahut të Madhëruar është një atribut unik i Tij, në ndryshim me krijesat, të cilave u është dashur që për të ardhur në ekzistencë të kenë patjetër një krijues…
– Ky pra është Allahu, I Përhershmi dhe I Vetëmjaftueshmi, ndërkohë që çdo gjë ia ka nevojën Atij! Natyra e pastër dhe e padevijuar njerëzore beson çiltërsisht në Allahun, ekzistencën e Tij të vetvetishme dhe përjetshmërinë e Tij, si dhe në mbarë cilësitë e Tij të përsosura hyjnore.
Prej cilësive dhe emrave të Allahut të Madhëruar të cilat Ai deshi që ne njerëzit t’i dimë, janë edhe ato të përmendura prej Tij në fjalën e Tij, Kuranin fisnik, ku në lidhje me këtë Ai thotë:
“Ai [Allahu] është i Pari (pa fillim) dhe i Mbrami (pa mbarim), i Dukshmi (përmes argumenteve që dëshmojnë për Të) dhe i Padukshmi (për shqisat e krijesave)”11
“Thuaj:“Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim [është Ai të Cilit i takon monoteizmi/njëshmëria absolute, i Përjetshmi dhe i Papërshkueshmi]. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë [a i krahasueshëm] me Atë!”
Alaudin Abazi