Pyetja:

Kush janë vehabistët?

***

Përgjigjja:

Çështja për të cilën ju bëni pyetje vërtet janë çështje që shpesh herë kemi rastin të dëgjojmë rreth tyre. Fillimisht themi se ne do të përpiqemi me ndihmën e Allahut t’ju japim një përgjigje të plotë që përmban disa informacione të nevojshme, kurse për të folur rreth çështjeve të lartpërmendura, ka shumë çfarë të thuhet dhe të sqarohet, e për këtë nevojitet qasje studioze dhe kohë.

Çështja e parë: rreth “Vehabizmit”

Edhe për këtë term perceptimet e njerëzve dallojnë dhe gjejnë se këtë emërtim secili që e përdor ka një qëllim që dallon nga tjetri.

Ajo që e bënë të dalloj termi “vehabi” prej ternit të mësipërm është se të gjithë ata që e përdorin këtë term e përdorin për qëllim të keq, pra të gjithë ata kanë dëshirë të sillen rreth këtij termi edhe pse mund të ndryshojnë se çfarë kanë për qëllim, ata e përdorin me qëllim të diskreditimi, ose paraqitje rreziku dhe kërcënimi për të tjerët e assesi për lavdërim apo të theksojnë se “vehabitë” janë të mirë.

Ky emërtim i atribuohet një personi i cili jetoi viteve 1703-1792 që quhej Muhamed ibën Abdulvehab.

Për të mos u zgjeruar shumë themi se kryesisht kur dikush e përdor këtë nocion ka për qëllim njërën nga këto kuptime:

1. “Vehabitë” janë ata që thërrasin në krijimin e medhhebit të pestë. Pra, ata pretendojnë se Muhamed Abdulvehabi, ishte një njeri i cili ka thirrur të mos punohet me katër medhhebet e pranuara te të gjithë muslimanët (hanefi, shafi, maliki dhe hanbeli), por të punohet me një medhheb të pestë, ai është medhhebi “vehabi”. Kështu ata i paraqesin se janë njerëz që janë armiq të krejt myslimanëve, pasi kundërshtojnë mësimet në të cilat thirren muslimanët.

2. Janë njerëz që nuk e duan Pejgamberin ﷺ dhe nuk dërgojnë salavatë mbi të. Pra nuk kanë respekt ndaj tij, nuk luten për të dhe nuk e nderojnë ashtu siç meriton i Dërguari i Allahut ﷺ të nderohet.

3. Ata nuk kanë respekt ndaj sahabëve (shokëve) të Pejgamberit ﷺ. Çfarë është edhe më keq ata i urrejnë ata dhe qëndrimi i tyre ndaj tyre është nënçmues dhe i papranuar te muslimanët në përgjithësi.

4. Ata janë havarixh (rebelues), të cilët kanë kundërshtuar hilafetin musliman të atëhershëm dhe i kanë luftuar muslimanët.

5. “Vehabi” janë ata njerëz që e aplikojnë Islamin radikal dhe kërkojnë nga tërë muslimanët të perceptojnë Islamin vetëm ashtu siç ata e paramendojnë.

6. “Vehabi” me kuptim të terrorizmit. Me fjalë të tjera, ky term është sinonim i termit “terrorizëm”. Dhe kur ata e përdorin këtë term dhe mundohen t`i atribuojnë dikujt, kanë për qëllim që ata të njëjtit t`i akuzojnë për terroristë, por e kuptojnë se nëse përdorin termin e fundit ndaj tyre do të ishte shumë e pavend, pasi ata të cilët dëshirojnë t`i akuzojnë ashtu janë njerëz të thjeshtë, të qetë dhe nuk kanë asnjë vërejtje dhe kalojnë në përdorimin e emërtimit “vehabi”, më lehtë të kapërdihet nga ata që nuk dinë të bëjnë dallime.

7. Te disa, me “vehabizëm” e etiketojnë çdo njeri që e merr seriozisht Islamin, qoftë edhe prej atyre që s’kanë lexuar asnjë shkronjë prej Ibën Abdulvehabit, ose edhe nuk kanë dëgjuar fare se ky njeri ka ekzistuar. Porse ky emërtim thjeshtë është përshkrim i atij i cili i pranon me seriozitet Islamin dhe mundohet të jetë praktikues me aq sa ka mundësi.

Pra “vehabizmi” tek ata është sinonim i të praktikuarit të denjë të Islamit i cili do të thotë: të besuarit se i tërë Kurani është fjalë e Allahut të Madhëruar dhe se të kapurit për të është obligim i çdo muslimani. Vehabist është myslimani i cili falë pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin, jep zekatin dhe kryen haxhin, nëse ka mundësi. Ai është muslimani i cili nuk pi alkool, s’merret me kamatë, nuk beson në ato vlerat të civilizimit perëndimor që janë në kundërshtim me Islamin. Muslimani vehabist është ai i cili mendon se feja e tij është e vërtetë dhe e nxitë atë që njerëzit t’i thërrasë në Islam. Me fjalë të shkurta, vehabist është çdo musliman i cili mundohet të kapet për mësimet e fesë së tij edhe nëse jeton në vendet perëndimore.

Këto janë përafërsisht ajo që nënkuptojnë ata që e përdorin këtë etiketim. Për të shtjelluar këto dhe për t’u përgjigjur se sa është e vërtetë ndonjëra nga këto, duhet të shkruhet mjaft, prandaj unë nuk do të ndalem të komentoj këto, por do të mundohem vetëm të sjell një konkluzion që është i nevojshëm për çdo njeri që e kërkon të vërteten dhe që ky është i vetmi pikësynim i tij.

Luajtja dhe manipulimi me terma, nocione, etiketime dhe emërtime, është një art mjaft i njohur që moti, besa edhe goxha i suksesshëm për të arritur objektivat që dikush ia vendos vetes, por e di se nuk do të jetë efikas, nëse është i qartë se çfarë synon.

Nuk do ta kisha përmendur këtë, por për të qenë më afër lexuesit e dimë se si qarqe të caktuara që në fillim të konfliktit me shqiptarët e Kosovës, filluan të përdornin terma si: “nacionalizëm”, “terrorizëm”, “iridentiuzëm”, ”shovinizëm” dhe shumë “..izma” të tjerë të gjitha me qëllim të paraqitjes së shqiptarëve se janë një komb që nuk bënë t`u lejohet të kenë të drejta, pasi janë një popull që në vete bartin shumë të këqija që sqarohen me këto etiketime.

Prandaj edhe etiketimi me këtë term në këtë kohë është tendencë e dikujt për t`i realizuar objektivat të cilat ka dëshirë t`i realizojë.

Kjo është kështu edhe nga aspekti rajonal, por edhe më gjerë, pasi nëse dikush duhet të klasifikohet si terrorist e i rrezikshëm, por nuk ka asnjë precedence që të mund të kapet për të dhe e di se etiketimi me termin “terrorist” është e palogjikë, e përdor termin “vehabist” pasi ka disa kuptime dhe ai ka mundësi të manipulojë me të si të dojë; nganjëherë e paraqet si “terrorizëm”, nganjëherë si “musliman radikal”, nganjëherë si “fondamentalist”, besa edhe nganjëherë bashkëpunëtor i “Al Kaidës” dhe kështu me radhë.

Ne nuk do të komentojmë më shumë, por si përfundim rreth këtij termi, themi se ky term në gjuhën e sheriatit nuk është i njohur dhe nuk ka bazë dhe është i papranuar. Nëse dikush mund ta akuzoj se Muhamed ibën Abdulvehabi ishte një person që thërriste në njërën nga këto me të cilat ata e thonë, atëherë ai ka me dhjetëra libra të shkruara dhe në to sqarohet shumë qartë në çfarë thërret dhe cila është metodologjia e tij. E nëse dikush dëshiron të na e vërtetojë këtë, atëherë le të dëshmoj duke sjellë citate nga shkrimet e tij se gjoja paska qenë një njeri që ka nxitur në urrejtjen e të Dërguarit (salallahu alejhi ue selem), ose shokëve të tij, apo edhe nëse ka thirrur në “Islam radikal”, “terrorizëm” e shpifje të tjera. Dhe mos u merakos se po të gjenin diçka ata do të sjellin menjëherë dhe do të mundoheshin të na i venin në sy, por kjo është e pamundur, pasi nuk ka diçka të ngjashme në këto libra. Ai deklarohet në librat e tij se pason metodologjinë e imam Ahmed ibën Hanbelit si në medhheb ashtu edhe në akide.

Kurse sa i përket qëndrimit tonë ndaj këtij personi është i njëjti sikurse ndaj çdo dijetari tjetër. Ne e respektojmë atë ashtu siç respektohen të gjithë dijetarët e tjerë. Dhe assesi nuk i përcaktojmë ndonjë specifikë apo veçim. Themi se thënia çdonjërit  nuk merret si e saktë apo e refuzuar pa iu nënshtruar peshores së Kuranit dhe Sunetit; ajo që pajtohet me të merret, jo për hir të thënësit, por për hir të së vërtetës dhe ajo që është në kundërshtim me këto dy baza, lihet dhe nuk merret, pa marrë parasysh kush është thënësi dhe çfarë qëllimi kishte, të mirë apo të keq.

Edhe ky njeri te ne, fjalët e tij, thëniet, qëndrimet, por edhe ato që i ka vepruar gjatë jetës së tij, i nënshtrohen kësaj peshore, nëse pajtohet me të merret, nëse nuk pajtohet ajo te ne refuzohet dhe lihet.

Përfundim

Në përfundim do të ndalem te ajo që përmendni ju se hoxhallarët e rinj janë duke përçarë fenë dhe se gjendja jonë para luftës ka qenë më e mirë. Mendojmë se ai që e thotë këtë nuk është i vetëdijshëm se çfarë është duke folur apo edhe nuk është fare në rrjedha si para lufte ashtu edhe pas.

Atë që mund ta vërej secili tani është se ekziston një kthim i muslimanëve të trojeve tona nga Islami dhe se është duke ndryshuar botëkuptimi i gabuar që ishte mbjellë më herët në kohën e komunizmit.

Derisa më herët një person i cili praktikonte fenë qoftë edhe një xhuma në javë në shoqëri dhe për kolegët e tij ishte objekti më i preferuar talljeje dhe nënçmimi, tani shohim shumë nga njerëzit nuk gabojmë të themi edhe të njohur në opinionin e gjerë krenohen të flasin se janë praktikues të Islamit dhe mburren me këtë. Edhe pse ekziston një hezitim i vërejtur prapë se prapë duke pasur parasysh edukimin që kemi marrë viteve të kaluara dhe formën se si është shtjelluar perceptimi i fesë, është bërë një përparim i suksesshëm në këtë.

Pastaj nëse një ditë prezanton në xhami, e mos të themi ditën e xhuma, sheh numrin e të rinjve dhe bë një krahasim me të kaluarën e afërt, e kupton se kjo që e thotë se më mirë ka qenë gjendja jonë para luftës se sa tani, nuk mund ta ketë fjalën për gjendjen e Islamit dhe praktikumin e tij, por realisht ai është një njeri që nuk u dëshiron të mirën muslimanëve.

Së fundi, ju këshillojmë juve dhe të gjithë atyre që e kanë zgjedhur këtë rrugë për ta pasuar, mos të humbni kohë në atë çfarë thuhet. Kjo nuk do të ndalet kurrë dhe është një traditë të cilën e kanë përjetuar edhe pejgamberët. Edhe vetë Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është etiketuar se është i “çmendur”, “përçarës”, “magjistar” dhe emërtime të tjera, por ai qëndroi dhe vazhdoi në të vërtetën, derisa u realizua premtimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe thuaj! Erdhi e vërteta e u zhduk e kota. Vërtet, e kota gjithnjë ka qenë e zhdukur.” (Isra: 81)

Alaudin Abazi

———————–

[1] Ibën Maxhe

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Ekzistojnë me dhjetëra mendime se nga e ka bazën kjo fjalë.

[4] Kësi lloj tarikatesh janë prezentë edhe te ne si ai halveti, kaderi, refai, etj.

[5] Kësi njerëz për fat të keq kemi edhe në disa rajone të Kosovës, të cilët me akte të tilla pretendojnë se janë duke bërë rite (adhurime) islame,  ku edhe mediat ndiejnë kënaqësi t`i paraqesin këto pamje.

[6] Duke argumentuar me ajete që i komentojnë sipas dëshirës së tyre

[7] Në këtë shumë qartë deklarohet Muhididin Ibën Arebiu në librin “Futuhat Mekije”

[8] “Mesreu tesevuf”, f.19.