Nuk i lejohet një burri që është në moshën e pjekurisë të shikojë tek një femër e huaj qoftë pa epsh apo me epsh.
Kush është femër e huaj dhe kush është burrë i huaj?
Burrë i huaj është ai burrë me të cilin një gruas i lejohet martesa me të dhe nuk është prej kategorive të cilat janë përmendur në Suren en Nurë ajeti 31. Kategoritë që janë përmendur në këtë Sure dhe të cilët konsiderohen të afërm janë këta që do t’i përmendim dhe çdokush jashtë këtyre është i huaj. Thotë Allahu: “…dhe mos t’ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të tyre ose baballarëve të tyre, ose baballarëve të burrave të tyre, djemëve të tyre ose djemve të burrave të tyre, vëllezërve të tyre ose djemve të vëllezërve të tyre, apo djemve të motrave të tyre ose grave të tyre ose robëreshave që i kanë në pronësi, ose shërbetorëve meshkuj që nuk kanë nevojë për femra, ose ndaj fëmijëve që ende nuk e hetojnë avretin e grave…” (en Nurë 31)
Femër e huaj është çdo femër e cila nuk është e përmendur në ajetin të Sures en Nisaa. Secila femër jashtë këtyre që përmenden në vijim është e huaj. Thotë Allahu: “U janë ndaluar juve (për martesë) nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllaut, bijat e motrës, nënat tuaja nga gjiri,motrat nga gjiri, nënat e grave tuaja, vajzat që janë nën kujdesin tuaj e që janë të grave tuaja (me baba tjetër) dhe me të cilët keni pasur kontakt, ndërsa nëse nuk keni patur kontakt, atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ata), dhe gratë e bijëve tuaj që janë të kurrizit tuaj dhe poashtu (u janë të ndaluara) që t’i bashkoni dy motra[1], përpos asaj që ka kaluar”. (en Nisaa 23)
Esenca në çështjen e shikimit është fjala e Allahut: “Thuaj besimtarëve t’i përulin shikimet dhe t’i ruajnë organet gjenitale, kjo është më pastër për ata. Me të vërtetë Allahu është i informuar hollësisht për atë që ata e bëjnë. Dhe thuaju besimtareve që t’i përulin shikimet dhe që t’i ruajnë organet gjenitale e tyre”. (en Nurë 31)
Prej haditheve të Pejgamberit në këtë kaptinë do të përmendim hadithin që e transmeton Abdullah ibn Mes’udi se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Shikimi është shigjetë prej shigjetave të Iblisit, kush heq dorë (nga shikimi haram) prej frikës ndaj Mua do t’ia zëvendësoj atij me iman, ëmbëlsinë e të cilit e gjen në zemrën e tij”. (et Taberani, el Haakim)
Transmetohet prej ebi Umames (radijAllahu anhu) se Pejgamberi ka thënë: “S’ka ndonjë musliman i cili e sheh bukurinë e ndonjë femre dhe më pastaj e përul shikimin, vetëmse Allahu atij ia jep një adhurim me të cilin ai ndjen ëmbëlsi në zemrën e tij”. (Transmeton et Taberani, Ahmedi)
Transmeton Ubade ibn Samit se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “M’i garantoni gjashtë gjëra prej jush, unë ju’a garantoj Xhenetin: Flisni drejtë kur flisni, plotësoni kur të premtoni, kryeni kur ju jepet diçka për t’a kryer, ruani organet tuaja gjenitale, përulni shikimet tuaja dhe ndalni duart tuaja”. (Ahmedi, ibn Hibbani, Hakimi)
Thotë Xheriri (radijAllahu anhu): “E pyeta Pejgamberin për shikimin e rastësishëm papritmas”, Ai më tha: “Largoje shikimin”. (Muslimi, et Tirmidhi)
Në respektimin e urdhërave të Allahu dhe të Pejgamberit është preventiva dhe ilaçi për çdo devijim individual apo shoqëror dhe përulja e shikimit dhe abstenimi prej shikimit në atë që është haram është fitimi i kënaqësisë së Allahut. Transmetohet se Pejgamberi ka thënë: “Tri lloje të njerëzve, sytë e tyre nuk e shohin Zjarrin (Xhehenemin): “Syri që ka rruajtur roje në rrugë të Allahut (në Xhihad), syri që ka qajtur prej frikës së Allahut dhe syri që është ndaluar prej harameve të Allahut”. (Tranmseton et Taberani)
Përktheu dhe përmblodhi: Enis Arifi / https://www.rizgjimi.com/
[1] D.m.th të jeni të martuar me dy motra në të njejtën kohë, sepse motra e bashkëshortes bëhet e ndaluar me aktin e martesës me motrën e saj dhe kjo ndalesë vazhdon derisa e para të jetë bashkëshortja e tij, mirëpo nëse ajo vdes apo shkurorëzohet, atëherë i lejohet burrit të saj të martohet me motrën e saj, siç ka ndodhur me Uthmanin me dy bijat e Pejgamberit.