Pyetja:

Nëse një njeri do të pendohet, a është obligim për të namazi i tevbes (pendimit)?

***

Përgjigjja:

Për të qenë pendimi i vlefshëm duhen plotësuar tre kushte:

– të largohet nga ai mëkat, të distancohet nga ai;

– të pendohet për atë mëkat që ka bërë;

– të vendosë që kurrë të mos e veprojë atë mëkat.

E sa i përket namazit, ai nuk konsiderohet prej kushteve të pendimit, ngase njeriu mund të pendohet në namaz, jashtë tij, në rrugë, në xhami, në shtëpi, me abdest, pa abdes etj.. Me rëndësi është që kushtet e lartpërmendura t’i çojë në vend.

Mirëpo është mirë, është e preferuar, e lëvdueshme që të falet namazi i tevbes-i pendimit posa ta kuptojë se ka bërë mëkat. Menjëherë çohet, merr abdest dhe fal dy rekate namaz nafile dhe kërkon falje, qoftë në namaz në sexhde, qoftë edhe pas namazit.

Ebu Bekri r.a. ka thënë: “Kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Nuk ka njeri i cili bën mëkat e pastaj pastrohet (lahet apo merr abdest), pastaj çohet dhe i fal dy rekate, pastaj bie istigfar tek Allahu e që Allahu nuk ka për t’ia falur.” Pastaj Pejgamberi ﷺ ka recituar këtë ajet:

“Edhe ata, të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i fal mëkatet përveç Allahut? – dhe që duke ditur, nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen).” (Ali Imran: 135) [1]

Ky namaz është vepër e mirë dhe muslimani me vepra të mira kërkon tek Allahu ndihmesë që ai t’ia pranojë pendimin, ashtu siç kërkon me sadaka etj..

Është e preferuar që ky namaz të falet kur muslimani vendos të pendohet qoftë nga mëkati i madh, qoftë nga mëkati i vogël, qoftë menjëherë pas mëkatit, e qoftë edhe më vonë, ngase për njeriun nuk është vonë të pendohet, derisa t’i vijë grahma e vdekjes, siç ka ardhur në hadith, dhe derisa të lindë dielli nga perëndimi.

Gjithashtu vlen të ceket se për të gjitha mëkatet që dëshiron të pendohesh mjafton të falësh një namaz.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————

[1] Ebu Davudi, nr. 1521. Albani ka thënë se është sahih.