Pyetja:

Më ikën ndonjë namaz pa e falur as në xhami e ndoshta as në punë. Si të veproj në këto raste?

***

Përgjigjja:

Bismilah uesalatu ue selamu ala resulilah ue ba’d!

Zoti në Kuran thotë: “… namazi është obligim (për kohë) i caktuar për besimtarët.” (Nisaa: 103)

Profeti ﷺ ka deklaruar qartë se koha e namazit është intervali nga fillimi deri në fund të kohës përkatëse.

Puna është se ne duhet ta marrim shumë me seriozitet këtë çështje. Ja se si e krahason Profeti ﷺ njeriun që me neglizhencë i del namazi nga koha e vet: “Më mirë t’i kishte humbur familja dhe pasuria.”

Prandaj, duhet qenë serioz në çështjet e faljes së namazit se është gjëja e fundit që njeriu humb prej fesë së tij.

Ibn Tejmije thotë: “Namazi është ushqimi i zemrave, ashtu siç buka e uji janë ushqim për trupin. Pasi që trupit nuk i mjafton ushqimi i paktë, po ashtu edhe zemrës nuk i mjafton namazi (i mangët) që falet shpejt (sikurse çukatë zogu). Përkundrazi, namazi patjetër duhet të jetë i plotë në mënyrë që t’i ushqejë zemrat.” [1]

Atëherë pas kësaj parathënie të domosdoshme themi se me rastin e pyetjes në fjalë nëse namazi ikën nga koha e vet pa shkak, pa arsye, ai konsiderohet i humbur e s’ka gjë që e kthen atë, sipas mendimit më të drejtë të dijetarëve që e ka mbrojtur në këtë kohë dhe shejh Albani, sepse arsyetimi në fe ka ardhur për këto kategori:

ai që harron derisa të kujtohet;

ai që është në gjumë derisa të zgjohet;

ai që dhunohet derisa të çlirohet;

ai që ka kaluar në gjendje të rende mendore derisa të vijë në vete.

Ka tolerancë për udhëtarin, për të sëmurin, për atë që në ndonjë rast mund ta ketë punën të tillë ose përndryshe për arsye koti jo.

Çfarë duhet të bëjë njeriu në raste të tilla?

Të pendohet tek Allahu sinqerisht dhe të shtojë namazet nafile.

Shejh AbduRrezak el Bedr ka thënë: “Mos harroni se humbja e namazit të humbë të mira të shumta në dunja dhe ahiret dhe është një dëshprim i qartë”.
Andaj mos u kënaq o njeri duke jetuar i përbuzur ,nënçmuar dhe i devijuar!
Sepse kush e humbë namazin, ai ka gjykuar mbi vetën ashtu dhe është kënaqur me atë jetë të përbuzur për vetvetën.” [2]

Imam dr. Ahmed Kalaja

——————————

[1] (Mexhmu’u El-Fetaua, 22/538)

[2] Përse namazi? – (libër i përkth. në gjuhën shqipe)