Pyetja:  Kam frikë se mos kam bërë kufër, sepse kam qëndruar indiferent ndaj një personi që fliste fjalë të kufrit. Arsyeja ishte se më vinte keq t’ia thosha, pasi mendoja se nuk do të më kuptonte, ose kisha një lloj droje t’ia thoja.
Ngjarja ka qenë kështu: unë isha te berberi dhe, në fund, ai tha një fjalë të kufrit (për të cilën unë dyshoja nëse ishte kufër), por përsëri nuk e këshillova të mos fliste ashtu.
Problemi është se tani kam frikë mos kam rënë në kufër dhe po pyes nëse duhet të shkoj te ai person për t’ia bërë me dije se ka gabuar, apo jo.

 

Pergjigja:
Falënderimi i takon Allahut dhe paqja e bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Ai ju ka shpallur në Libër se, kur të dëgjoni që përmenden ajetet e Allahut me mohim dhe tallje, mos u ulni me ta derisa të flasin për diçka tjetër. Përndryshe, do të jeni si ata. Vërtet, Allahu do t’i mbledhë hipokritët dhe jobesimtarët së bashku në Xhehenem.”
(Sure En-Nisa: 140)
Nga këtu e kuptojmë frikën e pyetësit pasiqë ka të bëjë me çështje të besimit/kufrit  dhe talljes me Fe në prezencën e tij. Megjithë këtë ajetin duhet kuptuar saktë në dritën e të gjitha argumenteve tjera: ajete dhe hadithe gjë të cilën e kanë bërë dijetarët.
Ata kanë theksuar se kjo ngjashmëri e përmendur në ajet nuk është ngjashmëri e plotë në çdo aspekt, por vetëm ngjashmëri në mëkat dhe kundërshtim të urdhrit të Allahut.
Ajo nuk do të thotë kufër-mosbesim, përveç nëse personi është i kënaqur me atë që thuhet ose merr pjesë në të.
Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të tefsirit, si Ibn Xheriri, Ibn Atijje, Es-Sem’anij, Ibn Xheuzi e të tjerë,  Allahu i mëshiroftë.
Ata kanë shpjeguar se ky ajet është një paralajmërim serioz për rrezikun e të qëndruarit me njerëz që merren me tallje, përqeshje apo mohim të fesë.
Dijetarët e përmendur kanë sqaruar se, kur një njeri qëndron në shoqëri të tillë dhe nuk largohet, ndërkohë që dëgjon tallje ndaj ajeteve të Allahut, ai bëhet i ngjashëm me ta në mëkat, sepse ka kundërshtuar urdhrin e Allahut që ndalon të ulesh në atë rreth.
Pra, ndonëse ai vetë nuk tall, vetëm fakti që qëndron dhe dëgjon pa e kundërshtuar, e bën bashkëpjesëmarrës në mëkatin e tyre.
Dijetarët poashtu  kanë sqaruar se, nëse njeriu qëndron me ata njerëz dhe është i kënaqur me atë që ata thonë, atëherë ai bëhet jobesimtar si ata.
Por nëse qëndron pa kënaqësi, duke e urryer me zemër, nuk është jobesimtar, dhe ai sipas mundësisë duhet të largohet nga ai reth përderisa të ndërrohet tema e bisedës.
Ndërsa nëse qëndrimin e bën nga detyra apo nevoja, dhe e urren me zemër, atëherë nuk është mëkatar, por megjithatë largimi është më i mirë dhe më i sigurt.
Gjithashtu është theksuar se ky ajet paralajmëron për rrezikun e shoqërimit me mëkatarë, edhe nëse personi nuk kryen vetë mëkatin, sepse qëndrimi në mesin e tyre pa kundërshtim është një lloj miratimi i heshtur.
Vallahu teala  a’lem.

 

Burimi: pergjigje.net