Pyetja:
Nëse e fal farzin e sabahut pasi ka lindur dielli… dhe dëshiron të falesh sunetet e sabahut… a falen pas farzit? Dhe a mund të bashkohen të dyja sunetet e sabahut dhe namazit të Duhas?
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
Së pari: Allahu e ka përcaktuar faljen e namazit në kohën e caktuar, ashtu siç Allahu thotë në Kuran:
(إِنَّ الصَّلَاةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَوْقُوتًا)
“Me të vërtetë namazi është detyrë e obligueshme për besimtarët në kohë të caktuar.” (Nisa: 103)
Dhe muslimani bën ç’është e mundur që të falë namazet në kohë.
Koha e namazit të sabahut fillon që me lindjen e agimit deri në lindjen e diellit dhe duhet që të përdorësh mjete që të ndihmojnë në zgjimin nga gjumi dhe ta falësh atë para lindjes së diellit, sepse siç e përmenda edhe ajetin kuranor, namazi ka kohën e tij të përcaktuar.
Gjithashtu, kur Profeti – alejhi selam – është pyetur cila vepër është më e mira tek Allahu, është përgjigjur: “Namazi në kohën e tij.”
Nga ana tjetër, Allahu ka përmendur në Kuran kërcënim për ata që nuk kujdesen për namazin duke mos e falur në kohën e tij ose duke lënë mangët shtyllat dhe detyrat e namazit:
(فَوَيْلٌ لِلْمُصَلِّينَ * الَّذِينَ هُمْ عَنْ صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ)
“Pra, shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.”
[Sure Ma’un: 4–5]
Së dyti: Nëse ngrihesh nga gjumi dhe ka kaluar koha e namazit të sabahut, atëherë fillon të falesh në fillim sunetet e sabahut, pastaj farzin.
Kështu ka vepruar Profeti salallahu alejhi ue selem kur i zuri gjumi atë dhe sahabët nga namazi i sabahut dhe kur u zgjuan kishte kaluar koha e namazit. Profeti alejhi selam fali në fillim sunetet, pastaj fali farzin e sabahut.
Lus Allahun që të na bëjë ne dhe ju prej atyre që e falin namazin në kohët e tij dhe janë të kujdesshëm ndaj tij dhe pasardhësit tanë!
Së treti: Lejohet bashkimi i suneteve të sabahut me atë të duhase.
Allahu e di më së miri!
Përgjigje nga Dr. Adelina Kuçana




