Pyetja: Po kur falemi dhe ndonjëherë na ikën përqendrimi, por e mbarojmë pastaj mirë, si duhet vepruar? A duhet përsëritur? Dhe cilat janë rastet kur namazi duhet përsëritur?

Përgjigja:
Falenderimet dhe përshëndetjet për Allahun dhe të Dërguarin e Tij
Falenderimet tona janë për Allahun s.v.t. dhe përshëndetjet tona me salate dhe selame të panumërta janë për të Dërguarin e Tij s.a.v.s.

Përqendrimi në namaz: Zemra e adhurimit
Përqendrimi në namaz është bërthama dhe zemra e namazit. Allahu s.v.t. thotë:
“Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur (përqëndruar, koncentruar) në namazin e tyre,” (Elmuminun: 1-2).

Përfitimet e shumta nga namazi varen mu nga kjo çështje, sa më i përqendruar të jetë besimtari në namaz aq më shumë do të përfitojë dhe anasjelltas sa më pak që përqendrohet nuri dhe përfitimet e namazit të tij dobësohen.

A prishet namazi nga mungesa e përqendrimit?
Megjithë rëndësinë e madhe që ka përqendrimi, dijetarët kanë konsideruar se humbja e pjesërishme apo e përgjithshme e tij gjatë namazit nuk e prish atë dhe nuk ka nevojë të përsëritet ai namaz përderisa është kryer i plotë nga aspekti strukturor me shtyllat dhe farzet dhe vaxhibet e tij.

Përtej kësaj, besimtarit i ka hije të punojë dhe të angazhohet që sa më mirë dhe me sa më shumë përqendrim ta kryej shtyllën kryesore të Islamit – Namazin. Kjo është për të mirën dhe interesin e tij primar, prandaj ja vlen që ta ketë në fokusin e vet vazhdimisht.

Kur duhet përsëritur namazi?
Ndërsa sa i përket rasteve kur duhet përsëritur namazi, ato janë të shumta dhe lidhen me lënien e ndonjë prej farzeve dhe vaxhibeve të tij pa kryer. Që ti përmendim një nga një nuk është e mundur, por ajo që ju sugjerojmë është ta mësoni strukturën përbërëse të namazit, se çka konsiderohet shtyllë kryesore, çka obligative dhe çka është e preferuar. Kësisoj është lehtë të gjykoni se kur duhet përsëritur namazi e kur jo.

 

Burimi: pergjigje.net