Pyetja:

Duke e falur sunetin e drekës, më cingërroi telefoni, andaj dhashë selam në rekatin e dytë. Tash a duhet prej fillimit t’i fal 4 rekate, apo të vazhdoj 2 rekatëshin tjetër?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ.

Së pari, më duhet të theksoj se çdo musliman, kur hyn në namaz, duhet ta dijë se ka hyrë në bisedë me Allahun e Madhërishëm. Në fakt, namazi është miraxhi ditor i muslimanit. Së këtejmi, në namaz lypet koncentrim dhe përkushtim maksimal, nënshtrim i plotë ndaj Allahut dhe braktisje e punëve të kësaj dynjaje. Allahu i Madhërishëm dëfton se:
Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët: ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit. (Muminun: 12)

Poashtu, në një sure tjetër, Allahu i Madhërishëm konfirmon se besimtarë të vërtetë janë ata të cilët kur u përmendet emri i Allahut, u rrënqethen zemrat. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ”E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrënqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” (Enfal: 2)

Mesazhi i këtyre ajeteve është që kur të përmendet emri i Allahut dhe kur të lexojmë fjalët e Allahut, duhet të jemi plotësisht të nënshtruar ndaj Allahut, e që në kontekst të namazit d.m.th. se në namaz, ku i lexojmë fjalët e Allahut, ku e përmendim emrin e Allahut, dhe në përgjithësi ku jemi në bisedë me Allahun e Madhërishëm, duhet që këtë ta bëjmë me përuletësi dhe përkushtimin më të madh, ashtu që gjatë kësaj kohe mos lëmë hapësirë për t’u preokupuar me gjërat e kësaj bote, më së paku me thirrjet telefonike, të cilat janë bërë preokupim kryesor i njeriut të sotëm. Jo vetëm në namaz, po edhe kur flenë, njeriu i sotëm e ka mendjen te celulari.

Me këtë, nuk dua të them që t’i hedhim telefonat celular, por kur të hyjmë në namaz, kemi bisedë shumë më të rëndësishme, apo që biseda e njerëzve aspak nuk mund të krahasohet me të, gjegjësisht bisedojmë me Allahun e Madhërishëm. Për këtë, mjetin e bisedës me njerëzit duhet ta lëmë anash, t’ia ndalim zërin që mos na shqetësojë ne dhe tjerët, e pasi të dalim prej namazi, mund ta shohim kush na ka thirr.

Telefonat celularë janë dukuri e shëmtuar kur cingërojnë në xhami derisa jemi duke u falur. Jo vetëm që e shqetësojnë personin përkatës, por edhe gjithë xhematin. Së këtejmi, duhet me çdo kusht të deaktivizohen derisa jemi në xhami.

Për sa i përket pyetjes suaj, ju nuk duhet ti përsërisni dy reqatet që i keni falur. Kjo, ngase suneti në përgjithësi, pra qoftë sunet i drekës, ikindisë, etj., mund të falet katër reqat pa ndërprerje, por mund të falet edhe nga dy reqat, gjegjësisht i fal katër reqat, por duke dhënë selam në dy reqat. Ju i keni falur dy reqat dhe keni dhënë selam, dhe kjo është krejt në rregull në aspektin e fikhut, pastaj i falni edhe dy reqate tjera, poashtu sunet, dhe me këtë i plotësoni katër reqat sunet para farzit të cilat i ka falur i Dërguari i Allahut ﷺ dhe na ka mësuar që t’i falim, ngase kanë vlerë të madhe te Allahu i Madhërishëm.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu