Pyetja:

Nëse namazi falet jashtë vaktit të tij me arsye, a quhet shlyerje (kaza) apo kryerje e rregullt?

***

Përgjigjja:

Ka thënë shejhul Islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë) në “El-Feteua”, me pak shkurtime: “Nëse thuhet: ‘Kjo a quhet shlyerje apo kryerje?’ Thuhet se: “Dallimi mes dy termave është dallim terminologjik që nuk ka origjinë në fjalën e Allahut dhe të Dërguarit të tij ﷺ; Allahu i Madhëruar e ka quajtur veprimin e adhurimit në kohën e tij kaza siç ka thënë në lidhje me xhumanë: (Kur të kryhet (feidha kudijet) namazi shpërndahuni në tokë), po ashtu ka thënë: (Kur të kryeni (fidha kadajtum) ritet tuaja përmendeni Allahun) megjithëse këto dy vepra kryhen në kohë.
Fjala “Kada’” në gjuhën arabe do të thotë plotësimi i diçkaje dhe përsosja e saj, siç ka thënë dhe Allahu i madhëruar: (I plotësoi ato (kadahunne) shtatë qiej), d.m.th i plotësoi dhe i përsosi. Kush e bën adhurimin e plotë, e ka plotësuar atë edhe nëse e ka bërë atë në kohën tij.”

Kanë rënë dakord dijetarët (me sa di unë) se nëse njeriu beson se ka mbetur kohë nga namazi dhe e bën nijetin për kryerje (në kohë), pastaj e kupton se është falur pas daljes së kohës ai e ka namazin e saktë dhe, nëse beson se ka dalë koha dhe bën nijet kaza pastaj kupton se ka mbetur kohë i mjafton ai namaz. Çdokush që e bën adhuriminnë kohën që është urdhëruar e ka kryer namazin dhe i mjafton, njësoj nëse e bën me nijet kryerje apo shlyerje.

Ndërsa ai që ka qenë në gjumë apo ka harruar nëse falen në kohën e zgjimit e të përmendjes, janë falur në kohën që janë urdhëruar me namaz edhe pse janë falur pas daljes së kohës së lejuar për të tjerët. Kush e quan këtë kaza me këtë kuptim, në gjuhën e tij kaza do të thotë kryerja e adhurimit pas daljes së kohës së përcaktuar nga sheriati për të gjithë, ky emërtim nuk sjell as dëm dhe as dobi.

Husejn El Auajshe, “Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut”

Përktheu: Teuta Xeka