Pyetja: A e kupton i vdekurit në varr, në natën e varrit, se ku e ka vendin e vet, në xhenet apo në xhehenem?

​Përgjigjja: Në fakt, vendi për në xhenet apo në xhehenem përcaktohet më herët, por ai është edhe një pjesë e përcaktimit të plotë, ose më saktë, vërtet definohet se ku po shkon dhe gjithçka përfundon.

​I vdekurit fillon ta kuptojë pjesërisht se ku e ka vendin e vet, se ku po shkon, që në momentin e fillimit të agonisë së vdekjes, kur sheh melekët (engjëjt). Sepse, kur i afrohen melekët për t’i marrë shpirtin, melekët e xhenetit që janë melekët erahmetit (mëshirës) vijnë me fytyra të ndriçuara, me fytyra që nuk ngopesh duke i parë, që të kënaqin dhe ke dëshirë të qëndrosh me ta. Ndërsa melekët e xhehenemit vijnë me fytyra të zeza, të trishtueshme dhe të frikshme.

​Melekët e dënimit të xhehenemit përdorin dhunë gjatë nxjerrjes së shpirtit. Ndërsa melekët e rahmetit dmth të xhenetit përdorin butësi, prandaj quhen të rahmetit, të mëshirshme.

​Kështu që shpirti pastaj, pasi del, merret nga melekët e rahmetit, të cilët e futin në një qefin që e kanë marrë nga xheneti dhe e çojnë lart, pjesë-pjesë deri në qiellin e lartë. E pastaj hapet dera e qiellit, dhe pasi hapet, Allahu thotë: “Kthejeni robin Tim në tokë, sepse prej saj e kam krijuar, në të kam për ta kthyer dhe prej saj kanë për ta ringjallur.”

​Kur robi futet në varr, futet edhe shpirti, dhe vijnë melekët Munker dhe Nekir e pyesin; e marrin në pyetje, duke i bërë tri pyetje. Nëse besimtari përgjigjet, atij i hapet dera e xhenetit, një lloj dritareje apo dere, dhe i vjen një lloj arome, frymëzimi, kënaqësie dhe pamje e bukur nga xheneti. Dhe ai thotë: “Rabbi ekimis-saah, Rabbi ekimis-saah” (O Zot, bëje kiametin, bëje kiametin). E atij i thuhet: “Pusho, qetësohu, aty e ke vendin, derisa të vijë koha për të shkuar atje.” Pra, ai e di tani se ku ka për të shkuar.

​Ky tjetri, fatkeqi, nuk mund të përgjigjet, sepse thotë “kam dëgjuar diçka, por nuk e di se çfarë thoshin”, dhe rrihet në varr. Atij i hapet dera e xhehenemit dhe i vjen një nxehtësi, një dënim me një pamje të trishtuar e të tmerrshme të xhehenemit, dhe i trishtuar thotë: “O Zot, mos e bë kiametin, mos e bë kiametin”. Atij i thuhet: “Atje e ke vendin ku ke për të shkuar.” Pra, ai e kupton. Në varr e kupton. Për këtë arsye, varri ose është pikërisht një kopsht prej kopshteve të xhenetit, sepse ai i sheh mirësitë e xhenetit (një pjesë, jo të gjitha), ose është një gropë prej gropave të xhehenemit, sepse e sheh një pjesë të dënimit jo gjithçka që ka në xhehenem, por një pjesë të dënimit, të vuajtjeve e kështu me radhë.

/Hoxhë Dr. Shefqet Krasniqi/