Pyetje:
Një njeri dëshiron të udhëtojë gjatë ditës në muajin Ramazan. A i lejohet atij të vendosë natën se nuk do të agjërojë në udhëtim?
Përgjigje:
Nëse njeriu dëshiron të udhëtojë, së pari duhet të bëjë nijetin për agjërim, sepse ndoshta nuk i lehtësohet udhëtimi e më pas, kur udhëton, mund të hajë kur largohet nga vendi i tij.
Këtu mund të marrim disa shembuj:
Shembulli i parë:
Një person ka vendosur që të udhëtojë dhe se në udhëtim nuk do të agjërojë. E ka vendosur natën se nesër do të udhëtojë dhe nuk do të agjërojë, pastaj i përgatit të gjitha gjërat që i duhen me vete, por kur gdhihet mëngjesi nuk i lehtësohet atij udhëtimi. Në këtë gjendje i ka kaluar atij një pjesë e ditës dhe nuk ka bërë nijetin e agjërimit. Në këtë rast, si duhet të veprojë ky person?
Duhet të agjërojë pjesën e mbetur të ditës dhe ta agjërojë kaza këtë ditë, sepse në këtë rast ky person është gdhirë i ngrënë.
Shembulli i dytë:
Nëse një person është i vendosur për udhëtim dhe thotë: “Do të agjëroj nesër dhe nëse Allahu ma lehtëson udhëtimin do të ha pasi të largohem nga vendi.”
Në këtë rast, i lejohet ta hapë agjërimin (të hajë e të pijë) dhe gjithashtu i lejohet plotësimi i agjërimit.
Kjo, sepse për agjërimin farz (muajin e Ramazanit) duhet patjetër nijeti të bëhet natën, në kundërshtim me agjërimin nafile për të cilin mund të bëhet nijeti edhe nëse ka hyrë dita, duke u bazuar në rrëfimin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj), e cila thotë:
“Profeti (salallahu alejhi ue selam) hyri tek ne dhe na pyeti: ‘A keni gjë për të ngrënë?’ I thamë: ‘Jo’. Atëherë tha: ‘Unë jam agjërues’.” (Hadith i saktë).
Nga ky hadith kuptojmë se Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk e ka pasur nijetin për agjërim që natën. Më pas ka menduar se do të gjejë diçka për të ngrënë tek njerëzit e tij, dhe kur nuk ka gjetur gjë, atëherë ka thënë: “Jam agjërues.”
Kushti për agjërimin vullnetar me nijet gjatë ditës:
- Të mos bëjë ndonjë gjë që e prish agjërimin nga ezani i sabahut e deri kur bën nijetin e agjërimit.
Shpërblimi i agjërimit vullnetar për atë që e fillon agjërimin ditën është nga koha që bën nijetin, sepse punët janë sipas qëllimeve.
Burimi: http://telegram.me/Dobifikh