Pyetja:

Përse Allahu i urdhëroi melekët t`i bëjnë sexhde Ademit, alejhi selam? Dhe, përse vëllezërit e Jusufit, alejhi selem, i bënë sexhde Jusufit? Unë e di që sexhdeja duhet të jetë për Allahun.

***

Përgjigjja:

I tërë lavd-falënderimi i përket Allahut.

Sexhdeja është në dy forma:

1. Madhërim dhe afrim tek ai që po iu bëhet sexhde. Kjo sexhde është ibadet (adhurim) që bëhet vetëm për Allahun Një, (kjo ka qëne kështu) në krejt Sheriatet.
2. Sexhdeja përshëndetëse dhe e respektit. E, kjo është sexhdeja me të cilën Allahu i urdhëroi melekët t`i përulen Ademit, dhe ata i bënë atij sexhde nderimi. Kur ata i nënshtrohen Atij pasi t`i urdhërojë për sexhde, ky nënshtrim i tyre është ibadet për Allahun e Lartësuar. Ndërsa sexhdeja që iu bë Jusufit, alejhi selam, nga prindërit dhe vëllezërit e tij, kjo është prej sexhdeve përshëndetëse dhe të respektit. Kjo ishte e lejuar në Sheriatet e tyre. E, sa i përket sheriatit me të cilin erdhi vula e pejgamberëve, Muhamedi, ﷺ (në këtë Sheriat) nuk lejohet sexhdeja për dikë tjetër pos Allahut në mënyrë të prerë. Kësisoj i Dërguari i Allahut, ﷺ thotë: “Sikur ta urdhëroja dikë t`i bëjë sexhde dikujt, do ta urdhëroja gruan t`i bëjë sexhde burrit të saj.” I Dërguari i Allahut, ﷺ e ndaloi Muadhin t`i bëjë sexhde atij. Kur ai (Muadhi) i tregoi se ehlul kitabët (çifutët dhe të krishterët) bënin sexhde për prijësit e tyre, atëherë ai përmendi hadithin paraprak. Ndalimi i sexhdes për dikë tjetër pos Allahut në mënyrë të prerë në këtë Sheriat është nga përsosshmëria e tij dhe nga realizimi i Teuhidit. Ky është Sheriati i përsosur në çdo gjë që ka përfshirë prej ligjeve. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide: 3)

Shejh Abdurrahman B. Nasir Berrak

Përktheu: Burim Koçinaj